leoni

Pesë vëllezërit Dvorani nga Qëndresa, ish Tërsteniku luftëtarë e dëshmorë të Kombit

Hysni Idriz Dvorani,   10 gusht 1971 – 30 prill 1999

Avni Idriz Dvorani,     3 shtator 1974 – 30 prill 1999

Veli Idriz Dvorani,      5 janar  1976,  –   30 prill 1999

Lumni Idriz Dvorani,      8 prill 1978  –  30 prill 1999

Haki Idriz Dvorani          11 prill 1980  – 30 prill 1999

Tersteniku sot ka rreth 1000 shtëpi dhe konsiderohet se është fshati më i madh në Drenicë. Fshati i përket komunës së Drenasit dhe  administrativisht është i ndarë në dy pjesë.Qëndresës I, ( ish-Terstenikut) i takojnë lagjet: Dvorani, Cakaj, Bylykbashi dhe Gashani. Ndërsa Qëndresa II, përbëhet nga lagjet: Gjokaj, Arllati, Bazaj, Spahiaj, Franca, Kukaj dhe Munishi. Luftës së UÇK-së ky fshati ka dhënë shumë dëshmorë e martirë.

Familjet e këtij fshati të Drenicës, të frymëzuar nga familja Jashari e Prekazit, treguan gatishmëri dhe vendosmëri për të luftuar e për të qëndruar. Ata edhe pse të rrethuar nga të katër anët, nuk kërkuan shpëtim duke ikur nga vendlindja për të shpëtuar kokat, por qëndruan, luftuan dhe ranë për çlirimin e vendit nga pushtuesit barbarë, serbë. Nga lagja Gllareva, në  Verboc, më 30 prill të vitit 1999 forcat ushtarake e policore martirizuar, nga lagja,Gllareca 26, nga Lagja Dvorani, 14, nga lagja Gashani, 13.

E gjatë është lista e të rënëve dhe e të martirizuarve në këtë fshat, ashtu sikur edhe në fshatrat: Prekaz, Izbicë, Rezallë, Abri, Paklek, Qikatovë etj.

Vetëm këto gjatë fshatra të Drenicës, vrastarët serbë kanë vrarë e kanë masakruar rreth 500 shqiptarë, në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, burra të moshuar e gra plaka,  vajza e nuse të reja, djem të ri, të mitur e të rritur.

Idriz Murat Dvorani dhe bashkëshortja e tij Eminja lindën dhe rritën gjashtë bij: Hysniun, Avniun, Veliun, Lumniun, Hakiun dhe Hajrizin.  Pesë prej tyre ranë dhe u martirizuan për çlirimin e Kosovës, ndërsa i gjashti, Hajrizi ka mbijetuar dhe tok me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët ka vazhdimësuar jetën në trungun familjar, i cili u godit mizorisht e barbarisht nga forcat fashiste serbe, në prill të vitit 1999.

Hysni Dvorani u lind në fshatin Terstenik më 10 gusht të vitit 1971. Shkollën fillore e kreu në vendlindje.

Me rastin e daljes publike të UÇK-së, ai kishte shfaqur gatishmëri për të luftuar kundër barbarisë serbe, e cila vriste e masakronte shqiptarë liridashës, vetëm sepse kërkonin liri, barazi dhe shkëputje nga një regjim i egër dhe fashist, sikur ishte regjimi kriminal i Serbisë me Slobodan Milosheviqin në krye, i cili kishte përgjakur, vrarë e asgjësuar  edhe dhjetëra mijëra kroatë liridashës në Kroaci qindra mijë boshnjakë myslimanë të Bosnjës e Hercegovinës.

Hysniu, në fillim iu bashkua pikës së UÇK-së në fshat të cilën e komandonte, Nexhmedin Dvorani së bashku me Imer Dvoranin, Nuhi Dvoranin e shumë të tjerë.

Pika e komanduar nga Nexhmedin Dvorani fillimisht kishte disa pjesëtarë, kryesisht të lagjeve të fshatit por kërkesat për armë nga djalëria shtoheshin nga dita në ditë. Ishin dhjetëra e qindra të rinj që shfaqnin interesim për të marrë armët dhe shumë prej tyre, në verë të vitit 1998, ishin nisur për në Shqipëri. Ata në kushte dhe rrethana lufte e granatimi të pandërprerë nga forca policore dhe ushtarake serbe, një kohë kishin qëndruar në Glogjan, nga ku bënin përpjekje të depërtonin në Shqipëri, por për shkak të ofensiva të pandërprera që kishte ndërmarrë ushtria dhe policia okupatore serbe, ishin detyruar të ktheheshin duarthatë në Drenicë. Pavarësisht se nuk kishin armë, ata i ndërronin ato në rast të vëzhgimit dhe në rast të ndonjë aksioni.

Të edukuar me dashuri atdhetare, djalëria e kësaj ane nuk pranonte të largohej nga atdheu, që ishte përflakur në luftë. Ata, edhe pse pa armë, bredhin nga një pikë në tjetrën duke ofruar forcën dhe vullnetin e tyre të përkushtuar. Punonin në logjistikë, hapnin transhe e bunkerë dhe qëndronin afër luftëtarëve për të ndihmuar të plagosurit apo për të nxjerrë të rënët dhe për të mos lejuar që trupat e tyre të binin në duart e armikut.

Të angazhuar në ndihmën e pakursyer dhënë luftës së UÇK-së ishin edhe të gjithë vëllezërit e Hysniut: Avniu, Veliu, Lumniu dhe Haliu. Ata ndihmonin luftën në të gjitha mënyrat edhe pse nuk kishin armë. Ato ua merrnin bashkëluftëtarëve, në kohën kur ata pushonin dhe me do bënin roje e vëzhgonin terrenin.

Në luftën e UÇK-së nga familja e Idriz Dvoranit kanë qenë të angazhuar Hysni Idriz Dvorani dhe vëllezërit e tij: Avniu, Veliu, Lumniu dhe Hakiu dhe të rinj e burra të tjerë nga kjo lagje, e cila luftës së UÇK-së i dha 14 dëshmorë e martirë.

Duke folur për dhunën dhe barbarinë masive që kanë kryer forcat serbe kundër shqiptarëve, profesori i gjuhës shqipe, Xhafer Dvorani, babai i dëshmorit, Ferat Dvorani dhe vëlla i dëshmorit, Imer Dvorani, në shënimet e publikuara të  poemës “Pranverë e përgjakur”, (Prishtinë 2010), shkruan: Më 30 prill 1999 ditë e premte, u bë rrethimi i trefishtë i Fortesës, ish Vërboc dhe i katundeve përreth. Kishte këtu mbi 15.000 njerëz të zhvendosur nga pjesët më të rrezikuara. Shumë prej tyre ishin drejtuar për në këtë vend, meqë vetë serbët u kishin thënë: “Shkoni në Vërboc, sepse atje është zonë e lirë!… Po atë ditë, një ditë pas bombardimit të bazës serbe në Feronikel nga aeroplanët e NATO-s, u pa se grumbullimi i shumë shqiptarëve të paarmatosur (moshash dhe gjinish të ndryshme) ishte bërë me qëllim që këtu të kapen gjatë të vriten e të pushkatohen. Kështu që për dy ditë u vranë dhe u masakruan mbi 300 shqiptarë, duarthatë dhe kryesisht të moshës rinore. (Xhafer Dvorani, Pranverë e përgjakur, Prishtinë 2010, f. 69)

Një pjesë e luftëtarëve të lirisë, iu kishin bashkuar popullatës civile me qëllim për ta mbrojtur, por në kushte të rrethimit nga të katër anët ata ranë qoftë nga granatat e armikut qoftë duke i pushkatuar pasivisht.

Atë ditë, më 30 prill të vitit 1999 nga lagja Dvorani e fshatit Terstenik ranë dhe u martirizuan:

Hysni Idriz Dvorani, Avni Idriz Dvorani, Veli Idriz Dvorani, Lumni Idriz Dvorani, Haki Idriz Dvorani

Nuhi Lan Dvorani,  Ferat Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Mehmet Murat  Dvorani,  Hazir Lah Dvorani,   Nuredin Dvorani,  Nazmi Dvorani.

Kohë më parë nga kjo lagje ishin vrarë edhe  Hetem Dvorani dhe  Idriz Dvorani.

Katër bijtë e Idriz dhe Emine Dvoranit, Hysniu, Avniu, Veliu, dhe Lumniu nuk kanë qenë të martuar, ndërsa Hakiu u martua dy tre muaj para se të binte.

Vëllai i pesë dëshmorëve e martirëve, Hajrizi ka mbijetuar dhe tok me prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët po e vazhdon  jetën në trungun familjar. Hajrizi,  tani ka dy bija: Azizen dhe Fitoren.

(Fshati Terstenik i Drenicës, tani Qëndresë është i  shënuar në regjistrimin turk, të vilajetit Vëllk, të vitit 1455. Asokohe  ky fshat kishte 25 shtëpi dhe nëntë lagje, apo vëllazëri, të gjithë shqiptarë të besimit ortodoks. Fshati i përkiste Vilajetit të Vushtrrisë, ashtu sikur edhe shumica e fshatrave të Drenicës qendrore.

Në vitin 1455, në këtë fshat dalin të shënuar emrat e këtyre familjarëve: Nikollë Petku, Simon Nikolla, Konstandin Dhimitri, Pjetër Prodani, Radivoj Nikolla, Radosav Nikolla, Pejo Nikolla, Dojçin Mati dhe prifti Dhimitër. ( Dr. Muhamet Tërnava: Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 90, defteri, 222.)

Duke u bazuar në shënimet e këtij defteri, në fshatin Tërstenik në mesjetë nuk ka pasur sllavë as vlleh, edhe pse në disa fshatra të kësaj ane ishin të pranishëm pjesëtarë të këtyre etnive, por gjithnjë pakicë në numër, në krahasim me popullatën ortodokse shqiptare.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …