Ilir Meta dhe Salih Berisha

RKL: Shpata e SPAK-ut bashkon Sali Berishën me Ilir Metën

Fakti se SPAK-u tashmë ka filluar hetimet për vepra penale  kundër Ilir Metës, ia ka dridhur leqet e këmbëve,  Sali Berishës, i cili nuk mund të gjejë më qetësi.  I  shpallur “non grata” nga Amerika, i  degraduar para elektoratit të PD-së, të cilin e ndau dhe e shpërndau gjithandej, i tronditur nga ditët e liga që e presin atë bashkë me familjen e tij të ngushtë, Sali Berishës i ka mbetur vetëm edhe epilogu i dramës së tij të trishtueshme jetësore,  të cilën e ka shkruar dhe e ka realizuar vetë, por me pasoja të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët përgjithësisht.

Tani kur po bindet përfundimisht se nuk mund t’ ia hedhë edhe kësaj radhe, ashtu sikur ia ka hedhur gjatë tërë jetës së tij, Sali Berisha, nuk ka çfarë të humbasë më tepër, pasi burgu do të jetë banesa e tij e parafundit. I ndodhur në një pozitë të tillë, kur nuk ka as edhe një rrugëdalje, ai do të provokojë trazirat në rrugë dhe në sheshet e Tiranës, duke provokuar forcat e rendit, pasi kjo është edukata e tij politike e qytetare e cila e ka mbajtur dhe e mbanë në arenën  gladiatore të politikës në Shqipëri.

Mediet në Shqipëri bëjnë të ditur se  Sali Berisha ka reaguar për herë të parë në lidhje me hetimin e SPAK-ut ndaj Ilir Metës. Ai ka thënë me këtë rast  se ky hetim po organizohet nga urdhrat e shtetit monist.

 ‘Gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të SPAK-ut, SHISH, Komisionit të Dosjeve, në anekse të zyrës së Edi Ramës. Gjithçka por organizohet nga shteti monist.’- tha Berisha.

Berisha paralajmëroi se aksioni opozitar do të vijojë me protesta, por edhe mosbindje civile. Berisha u shpreh se nuk bëhet fjalë për dhunë, por mosbindja civile nuk është as “gudulisëse”. ‘Aksioni opozitar do vazhdojë me të gjitha format e protestave përfshirë dhe mosbindejn civile, nuk është e dhunshme por jo dhe gudulisje.’- u shpreh Berisha. Berisha tha se kanë marrëdhënie shumë të mira me Partinë e Lirisë dhe janë në sinkron. ‘Shumë të mira janë marrëdhëniet me Partinë e Lirisë. Jemi në sintoni të plotë. Asgjë nuk e pengon këtë opozitë nga fitorja. Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara, e shihni se si përpëlitet”, tha Berisha.

Këto deklarata të Sali Berishës, mund të avullojnë gjatë ditëve apo javëve në vijim, nëse “Shpata” e SPAK-ut godet edhe njëherë, natyrisht me lejen  amerikane. Në të kundërtën, Berisha do ta bëjë të vetën, i vetëdijshëm se nuk ka kush e ndal, pasi për 32 vjet qeverisje “demokratike alla berisha” nuk ka pasur forcë që e ndalon, as atëherë kur ka lidhur marrëveshje kriminale me Millosheviqin përmes Arkanit, as  me piramidat që zhvatën popullin e nëpërkëmbur, as me luftën qytetare të vitit 1997, dhe asnjëherë tjetër.  Andaj Berisha ndihet trim mbi trimat, realisht edhe është trim mbi trimat, nëse veprimet e tilla quhen trimëri, derisa  ai nuk përfillë as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo më të përfillë një  kryeministër si Edi Ramën, i  cili edhe pse nuk e pranon hapur, e ndien në palcë frikën nga Berisha, sepse është tjetër qenie, ka tjetër kulturë dhe tjetër edukatë njerëzore e politike.

Në anën tjetër të barrikadës së të ligës, qëndron Ilir Meta, tanimë  me veshët e lëshuar poshtë, pasi SPAK-u ia drejtoi shpatën, e cila ka shumë kohë që i ka qëndruar te koka. Ilir Meta, ka zbutur fjalët. Tash për tash nuk iu bën thirrje të vetëve të marrin kosat, sëpatat e sfurqet e të dalin në shesh, sepse nuk është më kryetari, nuk është më njeriu që kërcënonte me ndërhyrje ushtarake, nuk është më trimi i vetëshpallur, por është vetëm një qytetar më shumë i Shqipërisë fatkeqe, e cila e duroi mbi kurriz për pesë vjet rresht ashtu si një rriqër të ligë e ndytë.

Ditë më parë, disa dokumente të publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar nga gazeta austriake “Kronen Caitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017.

Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania MekKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidecis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga avokati por përmes kompanisë “Dorelita Limited,  në Qipro. Po  shtrohet pyetja ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë MekKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”? A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?

Ilir Meta është trim me fjalë, por jo me vepër sikur Sali Berisha. Meta i paguan me para dhe i shtyn të tjerët të dalin e të kacafytën në Sheshet e Tiranës, Berisha del vetë përballë, andaj bashkimi i Berishës me Metën nuk është bashkim i dy trimave,  por është ashtu  si bashkimi i Don Kishotit me Sanço Pançon,  rreth një kauze,  që nuk bëjnë dot njëri pa tjetrin, meqë ëndrrat e tyre të sëmura, për ta ndrequr Shqipërisë sipas shijeve të tyre, për ta blerë e për ta shitur sikur të ishte pronë e babait apo  e gjyshit i  kanë të përbashkëta,

Berisha dhe Meta ende paraqesin rrezik për Shqipërinë dhe shqiptarët përgjithësisht, sidomos tani kur Evropa,  as bota nuk është më ajo që ka qenë para gjashtë muajve, ndërsa situata në Kosovë dhe përgjithësisht, në Ballkan po trazohet ditë e më shumë.

Nuk është thënë kot se ujqit kërkojnë mjegull. Vetëm në një mjegull të tillë, mund të llogarisin dy krerët me famën më të keqe në Shqipëri, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Nëse SPAK-u dështon kësaj radhe, ka dështuar edhe puna e deritanishme dhe gjithçka mund të kthehet bumerang.

Veset e ujqve: Sali Berisha dhe Ilir Meta, e disa të tjerëve si këta  nuk shërohen dot, ato vetëm mund të dënohen e të ndëshkohen, nëse funksionin Ligji, nëse jo këta dhe të tillët,  veset e tyre do t i bëjnë ligje mbi ligjet, ashtu sikur i kanë bërë qe 30 vjet.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 8 2022

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …