Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Hipokrizia, nihilizmi, demagogjia,… ka emër – Qeveria Kurti!?

   Vështirë të gjejë njeriu ndonjë politikan që i konkurrojë  kryeministrit Kurti me hipokrizi, nihilizëm e demagogji. Nëse këto vese i marrim kriter për të vlerësuar politikanët, kryeministri ynë, Albin Kurti, është i pa konkurrencë. Se sa hipokrit është, më së lehti kuptohet nëse krahasojmë deklaratat e tij gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe tani që është në pushtet. 

 

    Posa kujton njeriu fjalimet me rima të liderit të partisë politike “Vetëvendosje”, Albin Kurti, kur ishte në opozitë e bënte fushatë për pushtet dhe mandej analizon veprimet e tij të tashme nga kolltuku i pushtetit, nuk ka se si të mos habitesh  a është po ai Albini i kohës kur s’kishte pushtet dhe me të drejt protestonte e kritikonte vendimet e Qeverive paraprake!? Gjëja e parë që bije në sy janë qëndrimet e tij të forta kur ishte në opozitë dhe zbutja e tyre tani që është ulur në kolltukun e butë të pushtetit. Mbase s’ka zbutës më të mirë të qëndrimeve të forta se sa kolltuqet e buta.

  Jo shumë kohë pasi instituti autoritativ për matjen e opinion publik “Gallup International” kishte konstatuar se shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut preferojnë bashkimin kombëtar, edhe lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, bashkimin kombëtar e paraqet si kauzë të subjektit politik “Vetëvendosje”. Por më vonë u pa se bashkimin kombëtar e ka përdorur si mjet vetëm për të marr vota. Makiavelizëm tipik. Përdorimin e çdo mjeti për të ardhur në pushtet. Madje-madje ky e tejkalon Makiavelin sepse përderisa ai thotë se në politikë lejohet përdorimi i çdo mjeti që mundëson ardhjen te pushteti, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti bënë një hap tutje, ai përdorë jo vetëm çdo mjet por edhe idealet kombëtare vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet. E themi këtë sepse me tu ulur në kolltukun e pushtetit, pyetjes për qëndrimin e tij për bashkim kombëtar, ai i përgjigjet se këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës(!).  Po pasi këtë nuk e lejon Kushtetuta, pse çështje të subjektit politik që drejton e bëri bashkimin kombëtar!? Ishte i padijshëm që këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës apo e dinte shumë mirë por vazhdonte ta paraqes si kauzë të tij dhe subjektit politik që drejton për të vjel sa më shumë vota!? Thjesht, ishte i padijshëm apo i dijshëm por manipulues e demagog!?

   Por jo vetëm kaq. Janë të shumta konstatimet e tij të bëra gjatë kohës kur ishte në opozitë dhe konstatime të kundërta tani që është veshur me pushtet. Një ndër to është qëndrimi i tij ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Duke shfaqur mendimin e tij për Rugovën kur ai ishte gjallë, pra në vitin 2002 Kurti deklaronte se ideja e Rugovës ka qenë që të pengoj dhe të bllokoj çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çdo lëvizje çlirimtare dhe rezistencë aktive. Por ja që kur vërejti se jo kritikat por elozhet për ish liderin e LDK-së dhe ish kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova i sjellin vota, ndryshoj për 180 shkallë qëndrimin për të dhe përulej para varrit të tij. Ai gjatë përuljes para varrit deklaron se presidenti Rugova dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore. Dhe kur njeriu krahason këto dy qëndrime, nuk ka se si të mos bije në konfuzion dhe ta parashtroj pyetjen: Si është e mundur që një njeri që ka penguar dhe bllokuar çfarëdo dinamizimi të jetës, rezistencë aktive dhe lëvizje çlirimtare, të ketë dhënë kontribut për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore!?

   Por jo vetëm kaq. Kundërthënia e qëndrimeve të kryeministrit, Albin Kurti të kohës kur ishte jashtë pushtetit dhe tani që është në pushtet, janë të shumta. Shumë më e gjatë është lista e qëndrimeve të përgënjeshtruara nga ai vet se sa e atyre zotimeve të mbajtura.

Ai dikur flamurin e Kosovës e quante leckë lara lara, tani i rri gatitu, në opozitë rrokulliste veturat e EULEX-it, tani që është me pushtet, ia zgjatë mandatin po këtij misioni. Përderisa gjatë kohës sa ishte në opozitë me tonë të përvuajtur qante hallin e qytetarëve duke deklaruar se ata janë duke e paguar rrymën shumë shtrenjtë, tani që është ardhur në maje të pushtetit, pa asnjë grimë turpi deklaron zëshëm se çmimi i rrymës është shumë i lirë prandaj duhet shtrenjtuar!!!

Ai fliste me dhembshuri e grimasa keqardhje edhe për çmimin e shtrenjtë të naftës, vajit, sheqerit,.. dhe mandej vazhdonte ta bëjë demagogun se me të ardhur në pushtet, të gjitha do t’i liroi por e bërë të kundërtën!.

Apologjetët e tij deklarojnë se ata artikuj nuk i prodhojmë vetë kështu që Kurti nuk mund të bëjë asgjë. Ama këta harrojnë se kryeministri ynë, Albin Kurti, këtë e ka ditur shumë mirë edhe kur ka bërë zotimin e tij për zbritjen e çmimit të tyre por ja që ai me vetëdije të plotë ka bërë premtime që kanë dëshirë t’i dëgjojnë qytetarët – thjesht, demagogji tipike.

Ka mbajtur fjalime çfarë njerëzit janë të etur të dëgjojnë. Këtë ka bërë vite me radhë, kryeministri ynë, Albin Kurti. Por jo vetëm kaq. Ai jo rrallë herë ka kritikuar me shumë të drejt qeveritë paraprake për truproje të shumta e limuzina me xhama të zi por tani që është vesh me pushtet, nuk ka zvogëluar numrin e tyre por zëvendësimin e tyre. Po ky kryeministër, para se të vinte në pushtet, fliste me përvuajturi për mësimdhënës dhe dilte në përkrahje të tyre por tani që është veshur me pushtet, është bërë i shurdhër ndaj tyre dhe ka filluar të brengoset për hallin e nxënësve dhe prindërve të tyre. Po ku e kishte këtë brengë për këto dy kategori kur SBASHK-u bënte grevë ndaj qeverive tjera e Kurti ishte në opozitë!? Si u bë që atëherë SBASHK-u kishte të drejt në kërkesat ndaj Qeverisë së partive tjera dhe tani që Qeveria drejtohet nga Kurti dhe partia e tij, SBASHK-u nuk paska të drejt!?

   Këtë qëndrim hipokrit ndaj SBASHK-ut kanë edhe ministrat e tij. Dikur kur ishte në opozitë, ministrja e sotme e Arsimit, Arbërie Nagavci me shumë përvujtuni fliste për gjendjen e rëndë të mësimdhënësve dhe kërkesat e tyre të arsyeshme drejtuar Qeverisë ndërsa sot, mbajnë krejt qëndrim tjetër ndonëse gjendja në arsim është e njëjtë! Qëndrime dualiste, kundërthënëse ka bërë edhe ministrja tjetër, Albulena Haxhiu kur fliste me tone kritike për gjendjen energjetike. Atëherë ajo fliste me dhembje  për çmimin e shtrenjtë të rrymës ndërsa tani që është shtrenjtuar rryma,  bën shurdh memecen! Qëndrime hipokrite kanë edhe ministra tjerë. Një ndër ta është edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai gjatë kohës kur bënte përkthyesin e KFOR-it, qortonte qytetarët në Kastriot se pse po e dëgjojnë Radion Kosova e Lirë dhe pse po ia lëshojnë zërin emisioneve dhe këngëve për dëshmorët e kombit(!!!) ndërsa sot e shohim duke ngarendur nëpër familje të dëshmorëve për të na treguar se sa shumë respekt ka për ta! Ku i ishte strukur ky respekt e ky vlerësim kur nuk ishte ministër por përkthyes!? Po nëse nesër do të kthehet në zanatin e vjetër, çfarë do të ju thotë qytetarëve të Kastriotit që dëgjojnë emisione dhe këngë për dëshmorët!? Morali hipokrit, në i thënçin moral, është neveritës!

   Por kjo nuk është e tëra. Kryeministrin tonë, Albin Kurti, me dhjetëra herë e kemi dëgjuar duke mbajtur fjalime nihiliste të cilat janë përsëritur si në korë nga ithtar dhe imitues të tij, që preokupim kryesor e kanë artin e imitimit.

Kuptohet, imitimin e liderit pasi sa më shumë i përngjan atij, aq më shumë ke gjasa me u ofruar te maja e pushtetit, përndryshe, përjashtohesh. Një nga fjalimet e tij të bëra me patetizëm është edhe konstatimi i tij se Kosova që 20 vjet vetëm është shkatërruar (!). Por pasi ai mbi dhjetëra herë na e ka thënë këtë, do të bënte mirë të na tregoj qoftë edhe njëherë të vetme se nga kush qenka ndërtuar aq shumë ky vend sa është dashur 20 vite për shkatërrim!?, nga Sllobodan Millosheviqi, nga shqiptar vrasësit tjerë Tito e Rankoviq apo nga realizuesi i planeve të Akademisë Serbe të Shkencave për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës, Nikolla Pashiqi? Sepse njeriu nuk mund të shkatërroj diçka për pa e ndërtuar më parë. Të thuash se në këtë vend për 20 vite vetëm është shkatërruar dhe të mohosh ndërtimin e vendit, të bërë shkrumb e hi nga lufta, është jo nihilizëm por më shumë se kaq! Dhe këtë e ka bërë me shumë pasion, kryeministri, Albin Kurti. Mbase ai dëshiron që të gjithë ta shohim dhe vlerësojmë sikur ai e vetpërcepton veten e tij. Se ai dhe vetëm ai është atdhetar shembullor, se ai është më i dituri në mesin e më të diturve, se me atë fillon epoka e përparimit dhe rilindjes së Kosovës. Thënë thjesht e shkurt, Qeveria Kurti po duket se ka ndarë mendjen për etablimin e një mendësie sipas së cilës, mendimet dhe dogmat e liderit të tyre janë të pakontestueshme, mendësi sipas së cilës Albin Kurti është njeri i pagabueshëm, udhëheqës perfekt, i gjithëdijshëm, trim, vizionar, … dhe një ditë shoqëria jonë të karakterizohet tërësisht me mendësinë e shoqërisë së Egjiptit të kohës së  faraonëve dhe të gjithë ne, pa përjashtim, ta perceptojmë, vlerësojmë dhe trajtojm Albin Kurtin, sikur egjiptasit Faraonin!!!

   Por e keqja nuk përfundon këtu sepse nuk është se kemi vetëm qeveri hipokrite por edhe kryetarene e vendit e kemi të tillë.  Gjatë kohës sa ishte në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetarja, Vjosa Osmani deklaronte me patetizëm se “atë ditë që nuk do të jetë më në Lidhjen Demokratike të Kosovës, më nuk do të merret me politikë” por ja që po merret që çke me të! Urtakët na kanë mësuar se për nevoja të tij, djalli është në gjendje ta citoj edhe Biblën ndërsa politikanët tonë, për të ardhur në pushtet, janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin. Mbase Kurti nuk ka harruar kur iu printe demonstratave ku brohoritej:

Isë, Isë, argati i Serbisë

Dhe kur i duhej përkrahja e po këtij Ise për të arrit majat e pushtetit, nga argat i Serbisë, Isa bëhej profesor i nderuar i ekonomisë! Edhe Vjosa njëherë e një kohë shfaqte aversion ndaj të majtëve e  të kuqve ama posa e vërejti se me ndihmën e tyre do të arrij në majat e pushtetit, ua zgjati dorën e bashkëpunimit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …