Fshati Harilaq i komunës së Fushë Kosovës kishte një pozitë të veçantë strategjike, në kohën kur Kosova ndodhej e pushtuar nga Serbia. Të tillë e bënte këtë pozitë shtrirja e tij rrëzë kodrës së Goleshit, në barkun e së cilës strukej misteri i krimit dhe i vdekjes. Në nëntokën e kësaj kodre ishte ndërtuar baza ushtarake, ndër më të mëdhatë të kohës së perandorisë jugosllave titiste. Beogradi pushtues e kishte paramenduar të ardhmen e Kosovës, prandaj në këtë bazë kishte vendosur me kohë arsenal të paimagjinueshëm të makinerisë e të armatimit ushtarak, i cili u shfrytëzua në operacionet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, edhe kundër këtij intervenimi.
Baza ushtarake serbe e Goleshit ishte ndër caqet më kryesore të shënjestrës së NATO-s në Kosovë. Mbi të u hodhën bomba të panumërta nga aeroplanët bombardues, por edhe raketa teledirigjuese “Tomahovka”, të lansuara nga bazat në Adriatik. Kjo rrethanë bën që strategët serbë të krimit ta mbajnë peng popullatën e fshatit Harilaq, për ta shfrytëzuar si mur të gjallë mbrojtës kundër bombave të NATO-s. Ata shpresonin se ndonjëra nga këto bomba patjetër do të godaste në fshat dhe një rast i tillë do të mund të shfrytëzohej për ta akuzuar aleancën si vrasëse të popullatës civile. Për të joshur sulmet e NATO-s mbi këtë fshat, në oborret e shtëpive të tij, militarët serbë strehojnë makineri dhe arsenal ushtarak. Në rrethanat kur fshatra dhe qytete të tëra i zbrazin, duke e shpërngulur me dhunë popullatën shqiptare, banorët shqiptarë të fshatit Harilaq i mbajnë nën rrethim të hekurt që të mos e lëshojnë fshatin. Ndërkohë, banorët e pakët serbë, e braktisin fshatin që më parë. Në këtë veprim të militarëve serbë shquhet edhe banori i këtij fshati, i quajtur Milivoj. Mbajtja peng e këtyre banorëve kishte edhe qëllimin tjetër: që të pamundësohej depërtimi i njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë fshat, prej nga, pastaj do t’i afroheshin më lehtë Goleshit dhe aeroportit të Prishtinës.
Në fshatin Harilaq lindi dhe u rrit dëshmori Arsim Zogiani. Prindërit Ahmeti e Zoja, po rritnin nëntë fëmijët e tyre: Ademin, Hysenin, Faikun, Shemsien, Bukurinë, Afrimin, Mirveten, Burimin e Sanien, por ende nuk u kishte lindur sugari. Ai lindi më 21 shkurt të vitit 1976 dhe u pagëzua me emrin Arsim.
Si më i vogli prej fëmijëve dhe vëlla i pesë vëllezërve e i katër motrave, Arsimi e kalon fëmijërinë në një atmosferë të ngrohtë familjare, e nën përkujdesje të shumanshme. Në këtë atmosferë, ai rritet i shëndetshëm fizikisht e shpirtërisht. Konstruksionin e tij fizik prej atleti e shoqëron afërsia me rrethin, dashamirësia ndaj tij, si dhe ndjenja e humorit të shëndetshëm. Shkollën fillore e kryen në fshatin e lindjes, kurse të mesmen, në Prishtinë, ekonominë. Pastaj regjistron Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, por nuk i vazhdon studimet, meqenëse ndërkohë, herë pas here fillon të merret me çështje kontabiliteti. Dëshirë të veçantë kishte të praktikonte ndonjë punë në lëminë e elektroteknikës të cilën e kishte për hobi, prandaj, shpesh herë provonte të ndreqte ndonjë aparat të prishur, apo të eksperimentonte me të. Arsimi ishte i martuar me Arditën, me të cilën jetoi një kohë të shkurtë.
Si çdo i ri, i rritur në frymën e patriotizmit e në kushtet e mungesës së lirisë kombëtare, edhe Arsimi interesohej për rrjedhat aktuale në Kosovë. Frymëzim i veçantë për të u bë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fillimi i luftës çlirimtare. Ai tregohet i gatshëm në çdo kohë për ta ndihmuar këtë ushtri e këtë luftë.
Në qershor të vitit 1998, Arsimi përjetoi një goditje të rëndë. Policia sekrete serbe, në Prishtinë, rrëmben pa gjurmë të vëllain, Hysenin. Hyseni ishte veprimtar i palodhshëm dhe njëri ndër pjesëtarët e UÇK-së që kryente detyra të rëndësishme jo vetëm në Prishtinë, por madje edhe jashtë Kosovës. Veç tjerash, ai ishte edhe njëra prej hallkave më të rëndësishme ndërlidhëse të kreut të UÇK-së, Azem Syla, të cilin e kishte djalë daje. Arsimi kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë dhe dorë e djathtë e Hysenit, prandaj humbja e tij pa gjurmë ishte goditje e fortë edhe për veprimtarinë e tyre të përbashkët. Kjo ngjarje e hidhur bën që Arsimi ta shtojë vigjilencën, por jo të zbrapset. I gatshëm për të zbatuar detyra që mund t’i ngarkoheshin në shërbim të UÇK-së e të luftës çlirimtare, tash e tutje ai vëzhgon terrenin, mban roje dhe shkon i armatosur.
Në fillim të muajit janar të vitit 1999, dëshmori Arsim Zogiani merr përsipër kryerjen e një detyre të caktuar, të cilën ia kishte ngarkuar Azem Syla, i cili në këtë kohë ishte Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së. Ai, së bashku me vëllain, Ademin, duhej të çonte në Shtabin e Përgjithshëm, në Divjakë, shumën e të hollave prej 1 milion markash gjermane. Këto të holla i kishte dhënë një agjenci perëndimore, në fund të muajit dhjetor 1998, për nevojat e Shtabit, të cilat ato ditë ishin mjaft të mëdha. Megjithatë, këtë mision në shërbim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Arsimi vullnetarisht e merr përsipër ta kryejë vetë individualisht, duke u betuar se porosinë, gjallë a vdekur do ta çonte deri në vend. Ky betim ishte dëshmi e disiplinës ushtarake për të respektuar urdhrin në dobi të luftës çlirimtare.
Pas ngarkimit me këtë detyrë, më 11 janar të vitit 1999, Arsimi i shoqëruar nga vëllai Ademi, niset me autoveturë nga Prishtina për të shkuar në Divjakë. Mirëpo, pasi vëren shenja të dyshimta të përcjelljes, vendos që udhëtimin ta vazhdojë me autobus publik, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë do t’i shmangej përcjelljes eventuale. Hip në autobusin e relacionit Prishtinë-Golesh, mirëpo, me të arritur në fshatin Vrellë të komunës së Lypjanit, autobusin e ndalon patrulla ushtarake serbe. Në këtë çast gjithçka kishte qenë e qartë: Arsimi kishte qenë nën përcjellje të vazhdueshme, prandaj edhe ndalja e autobusit kishte të bënte me të. Ushtarët serbë fillojnë legjitimimin e udhëtarëve dhe sapo i shohin dokumentet e Arsimit, e arrestojnë menjëherë. Ditët e para të arrestit mbahet në burgun hetues të Prishtinës, prej ku pastaj dërgohet në burgun ushtarak të Nishit. Për vendndodhjen e tij, familja njoftohet përmes një telegrami të arritur nga Nishi.
Vetëm pak ditë pas arrestimit të Arsimit, militarët serbë kryejnë masakrën e tmerrshme në Reçak. Pas këtij krimi, filloi një periudhë e re e qasjes së diplomacisë ndërkombëtare ndaj Beogradit neofashist, e cila rezultoi me Konferencën e Rambujesë. Gjatë kësaj kohe, Arsimi vazhdon të jetë në duart e gjyqit ushtarak. Pas dy muajsh, më 12 mars, e kthejnë në burgun e Qarkut të Prishtinës dhe ua dorëzojnë organeve gjyqësore. Që nga kjo datë, ai nuk do të ketë asnjë kontakt me familjen, ndërsa hetimet ndaj tij bëhen proces i pambaruar. Për mbajtjen në paraburgim, nuk i lëshohet asnjë lloj dëshmie, apo dokumenti me të cilin do të arsyetohej dyshimi, si dhe kundër tij nuk u përpilua kurrfarë aktakuze. E vetmja formë e akuzës ishte denoncimi publik i bërë nga shtypi i Beogradit (gazetat Blic, Oglas etj.), i cili, ato ditë, arrestimin e Arsimit e komenton si kapje të një “terroristi”.
Gjatë kohës së qëndrimit në burgun hetues të Prishtinës, Arsimi torturohet tmerrshëm nga hetuesit. Megjithatë, ai nuk thyhet, por mbahet stoik e me moral të lartë. Të vetmin peng që shpesh herë e zë në gojë para shokëve të burgut, ishte dështimi i përpjekjes për ta kryer me sukses aksionin e fundit.
Kur NATO-ja fillon fushatën e bombardimeve kundër Serbisë, Arsimi ndodhej në burgun e Prishtinës. Në këtë burg ndodheshin edhe shumë të burgosur të tjerë politikë, të akuzuar si “terroristë”. Ndër ta ishin edhe Enver Dugolli, Bislim Zogaj, Bajrush Xhemaili e të tjerë. Disa ditë më vonë, cak i bombardimit u bë edhe ndërtesa e policisë serbe, që ndodhej në afërsi të burgut. Këtë rast Arsimi e vlerëson si moment të përshtatshëm për të thyer burgun e për t’u arratisur dhe për këtë insiston t’ua mbushë mendjen edhe shokëve të dhomës.
Në muajin prill, Arsimi dhe shumë të burgosur të tjerë dërgohet në burgun e Dubravës. Edhe atje vazhdon ta ketë statusin e të paraburgosurit. Duke qenë nën hetime të përhershme, autoritetet e burgut e provokojnë në mënyrë të vazhdueshme. Mirëpo, edhe këto provokime i përballon me frymë morali të lartë. Edhe pse ndër më të rinjtë me moshë në radhët e shumë të burgosurve, qëndrimi i tij burrëror, u bën përshtypje të gjithëve. Atje takon dhe qëndron me shumë shokë, siç janë: Bislim Zogaj, Nait Hasani, Enver Topalli, Suad Brava, Enver Dugolli, Abdullah Tahiri, Besim Zymberi, Xhemail Alushani (vëllai i dëshmorit Imer Alushani) e të tjerë.
Ploja e militarëve serbë kundër të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës, e filluar pas bombardimit të një pjese të këtij burgu nga NATO-ja, më 19 maj të vitit 1999, hapi një faqe të re të jetës së këtyre të burgosurve. Tani jetën dhe vdekjen e tyre s’i ndante as një fije floku. Vdekja ishte bërë pjesë e jetës, ashtu siç ishte bërë edhe jeta pjesë e vdekjes. Ata, të gjithë ishin të bindur se do të ndodhnin edhe epizoda të tjera të plojës, pasi për asnjë minutë nuk mund të parashikohej se ç’do të sillte. Dhe kështu edhe ndodhi. Kriminelët serbë zbrazën pasionet e tyre antinjerëzore mbi shqiptarët nën pranga, edhe më 21 dhe më 22 maj. Më 22 maj, në oborrin e burgut, plumbat e snajperit qëllojnë në Arsimin dhe përskaj tij edhe në Suad Bravën, nga komuna e Kaçanikut. Për fat të keq, Arsimi merr plagë vdekjepruese. Shokët nxitojnë t’i ofrojnë ndihmë. Bislim Zogaj nga Bushati (ish-Komoran), i cili kishte profesionin e teknikut mjekësor përpiqet t’ia ndalë gjakderdhjen. Mirëpo, çdo gjë ishte e kotë, sepse goditja ishte fatale dhe gjakderdhja e pandalshme. Pa kaluar shumë kohë, Arsimi thith për të fundit herë ajrin e Kosovës, që tashmë mbante erë baroti.
Pas rënies, duke ditur se trupin e tij do ta merrnin kriminelët serbë, sikurse ishte vepruar edhe me të rënët e tjerë, shokët e dhomës e shkruajnë një copë letre identifikuese, të cilën e fusin në xhepin e pantallonave të Arsimit të rënë. Në letër shkraunte: 22 maj 99 – A. Zogiani, Harilaq. Përmes kësaj letre edhe bëhet identifikimi i trupit të këtij dëshmori nga i vëllai, Afrimi, më 20 gusht të vitit 1999, në varrezat e Rakoshit. Në këto varreza, pushtuesi serb i vorrosi të gjithë të burgosurit, të vrarë në burgun e Dubravës, më 19, 21 dhe 22 maj.
Për rënien e Arsimit, familja e tij kupton pas përfundimit të luftës, meqenëse deri në këtë kohë kishte munguar çdo informatë për të burgosurit në burgjet serbe. Me të përfunduar lufta në Kosovë, familja e tij, sikurse edhe ato të të burgosurve të tjerë, pret të marrë ndonjë lajm për të. Mungesa e këtij lajmi krijoi dyshimin nëse ai do t’i kishte shpëtuar masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë burg. Ky dyshim u vërtetua, pas ekspozimit të rrobave të trupave të zhvarrosur nga varrezat e Rakoshit, e të gjësendeve të gjetura në xhepat e këtyre rrobave. Katër ditë pas identifikimit, më 24 gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit Arsim Zogiani u rivarros në fshatin e tij të lindjes. Po të njëjtën ditë, aty u varros edhe babai i tij, Ahmeti, të cilin forcat serbe e vrasin më 12 prill të vitit 1999, derisa ishte nisur për të shkuar në Prishtinë, te fëmijët e djalit të humbur, Hysenit, të vendosur në një banesë. Trupi i tij u gjet në fshatin Varigonë (ish – Vragoli) afër Fushë Kosovës, më 4 korrik.
Mbi varrin e dëshmorit Arsim Zogiani, familja e tij i ka ngritur përmendore. Në fshatin e lindjes, po ashtu është vendosur pllaka përkujtimore, në shenjë mosharrese e nderimi për gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës. Vepra e tij e sakrificës supreme është nderuar me mirënjohe nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Kujtimi për dëshmorin Arsim Zogiani, i cili është shembull i flijimit të pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye të detyrës, do të jetë i paharrueshëm për brezat e ardhshëm. Pjesë e këtij kujtimi, sot janë edhe mjetet e tij të punës, veshmbathjet, fotografitë dhe gjëra të tjera, të cilat familja i ruan në dhomën e tij personale. Si kujtim i tij ruhet edhe autovetura e tipit “Passat”, të cilën e ngiste ai. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …