Në 26 vjetorin e rënies të dëshmorit, Ismet Krasniqi

Përpjekja dhe rezistenca për t’i çliruar trojet  tona shqiptare ishte e kamotshme dhe e vazhdueshme. E tillë ishte edhe demonstrata e vitit 1989 e cila njihet si rezistenca më e fuqishme dhe më e përgjakshme dhe njëkohësisht më e rëndësishmja e shqiptarëve të Kosovës, ngase përfundimisht iu dha fund iluzioneve që klasa politike komuniste-titiste propagandonte për “vëllazërim-bashkimin” . Kjo demonstratë dëshmoi se shqiptarët janë të gatshëm të organizohen dhe t’i kundërvihen pushtuesit serbo-çetnik, si dhe shërbeu për ta ngritur vetëdijen kombëtare se liria nuk fitohet pa rezistencë, dhe se rezistenca nuk ndodhë pa veprim.

Padrejtësia, tortura, plaçkitja, burgosja si dhe diskriminimi në shkallë aparteidi ishin sinjale të qarta se shqiptarët duhet të vepronin.

Por ashtu, siç u shtua zullumi ndaj shqiptarëve, në anën tjetër dyfish më shumë u shtua rezistenca, vendosmëria e shqiptarëve për ta rrënuar pushtetin kriminal të fashistit Millosheviq.

Si shumë të tjera, edhe kjo e vitit 1989 ishte një rezistencë ku populli shqiptar u zgjua për liri, kundër shtypjes, torturës dhe agresionit të pushtuesit kriminal serbo- çetnik në Kosovë.

Demonstratat e vitit 1989 sikur edhe në ato të  viti 1981,  veprimtarin Ismet Krasniqi e gjetën në ballë të tyre, gjithmonë i përgatitur dhe i vendosur si një trim sy patrembur, i gatshëm të flijohej vetëm e vetëm që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur me të drejtë bashkimi me Shqipërinë. Por jo vetëm kaq, dashuria që Ismet Krasniqi kishte për vendin, e bëri që të organizohej dhe të fliste nëpër lagje, në rrugë, në punë dhe kudo që i jepej mundësia drejt një rezistence masive kundër pushtuesit serbo-jugosllav. Kushtrim për thirrje bënte edhe përmes shkrimit dhe shpërndarjes së parullave të cilat shkonin në favor të ribashkimit kombëtar.

Përkundër ndjekjeve dhe arrestimeve që ia bënin, ai për asnjë moment nuk u shmang nga rruga të cilën e kishte nisur qysh si nxënës i shkollës së mesme, duke vazhduar të rezistojë në forma të ndryshme kundër forcave pushtuese kriminale të Serbisë. Edhe gjatë kohës sa ishte në ushtrinë e ashtuquajtur jugosllave, Ismeti maltretohet dhe burgoset disa herë. Ndërsa gjatë vizitës që Tito i kishte bërë kazermës ushtarake në vitin 1979,  arrestohet dhe mbahet në izolim. Megjithatë, edhe pse u arrestua disa herë dhe u kërcënua edhe me likuidim, ai nuk ndalej për asnjë moment, madje kërcënimet që ia bënin inspektorët UDB-esk, Ismetit ia shtonin edhe më shumë dashurinë dhe motivin për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Në një aktivitet të organizuar nga autoritetet komunale më 1982, Ismeti si një i ri entuziast, patriot dhe trim shqiptar e shqyen flamurin serb dhe në vend të tij e vendos dhe e shpalos duke ngre lartë e më lartë flamurin kombëtar shqiptar. Kjo iu kishte rënë në sy organeve të sigurimit, të cilët të nesërmen e arrestojnë në vendin e tij të punës në Prishtinë.

Vetëm pesë ditë para se të binte dëshmor, Ismeti arrestohet nga policia dhe mbahet në stacionin e lagjes Dardania në Prishtinë. Aty merret në pyetje dhe i kërkohet të heqë dorë nga veprimtaria e tij kundër ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Madje e kërcënuan edhe me likuidim fizik. Por, megjithatë Ismeti ishte këmbëngulës në qëndrimet e tij se rezistenca për liri dhe bashkim kombëtar duhet të jetë një përpjekje e pandalshme deri në arritjen përfundimtare të saj.

Ishte 27 marsi i vitit 1989, ku Ismeti me shokë u gjend përballë kriminelëve si bisha karpatiane, para gazit lotsjellës, tankeve dhe autoblindave, duke brohoritur për liri e për fitore deri në bashkim. Rreth orës 17:30 po të njëjtës datë në krismën e kallashnikovëve, dhe në katrahurën e demonstratave, Ai nuk u ndalë se thirruri për liri për fitore definitive. Mirëpo guximin, idealin e Ismetit dhe shokëve të tij nuk kishte kush ta ndalë pos plumbave të kriminelëve të regjimit serb, dhe kështu ai u bë një nga shembujt e shumtë se si duhet sakrifikohet për liri dhe kauzën e drejtë kombëtare.

Siç u dëshmua më vonë, demonstratat që ishin organizuar për vite, si ato të ‘68, ‘81, ‘89, ishin një parapërgatitje për një zgjim mbarëkombëtar, që rezultoi me shfaqjen e USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, e cila luftoi kundër forcave policore-ushtarake serbo-jugosllave dhe paramilitare e çetnike të Serbisë fashiste të kryekriminelit Milosheviq.

Në demonstratat e 27 dhe 28 marsit në Kosovë ranë 28 dëshmorë , si dhe u plagosën e u arrestuan qindra të tjerë. Vetëm në Prishtinë, ranë dëshmorë: Ismet Krasniqi, Vetim Shala, Sevdat Xhafolli, Shukrije Obërtinca dhe Mustafë Veselaj.

Rezistenca e viteve ’80 dhe rënia heroike e dëshmorëve të kombit ishin sinjal kushtrimdhënës për luftën çlirimtare të UÇK-ës së kryekomandantit legjendar Adem Jashari, edhe pse për të përmbushur plotësisht amanetin e tyre lypset angazhim dhe unifikim i popullit shqiptar drejt bashkimit kombëtar.

Besart Krasniqi

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …