leoni

Anthony Blinken: Sali Berishës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ramazan Sherja: Udha e Sali Berishës të çon ose në burg, ose në greminë

Me vjen keq që disa demokratë që u bënë deputetë, kanë humbur udhën-shkruante para ca ditësh në shtyp dhëndri i Berishës, Malltezi. Sipas tij ata deputetë që kanë mbështetje e Perëndimit dhe SHBA, por që nuk shkojnë pas ish sekretarit të PPSH, Sali Berisha ,shpallur dy herë “non grata”, paskan humbur udhën. Këta deputetë -sipas tij-njohin vetëm zotin dhe Amerikën, dhe jo strukturat e PD që kanë zgjedhur si drejtues Berishën! Por dhëndri i Berishës dhe kushdo tjetër demokrat i ndershëm, duhet ta ketë kuptuar qartësisht se udha e Sali Berishës nuk e sjell kurrë PD në pushtet.

Nëse PD do të rikthehet në pushtet duhet: Në radhë të parë të largohet përfundimisht nga rruga ku e ka futur Sali Berisha. Historia 30 vjeçare e karrierës së Berishës ka marrë fund dhe si politikani më i keq i tranzicionit, e mbylli misionin e tij politik dhe fizik. Demokracia që rënkon, si dhe shpallja dy herë non grata, e vulosën atë përfundimisht si e keqja më e madhe e këtij vendi. Berisha duhet të ndjekë tashmë shembullin e politikanëve të Europës Lindore, ku asnjeri nga ata që nxori tranzicioni në krye të lëvizjes për demokraci, nuk është më aktiv në politikë.

Disa janë vetëhequr me ndërgjegje e të tjerë janë në burg. U pa nga të gjithë se PD u copëtua pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe me emërimet e strukturave, ai deshi ta vejë PD plotësisht në shërbim të tij, por nuk ia arriti dot. Pyesim: PD ishte më e fortë dhe e bashkuar me Lulzim Bashën, apo aktualisht me Berishën? Së dyti duhet një distancim real nga ajo kastë e vjetër që ka ngritur Berisha në drejtim dhe prej 30 vitesh nuk e lënë PD të marrë frymë demokratikisht . Popullit ju kanë neveritur fytyra të tilla si Paloka, Noka, Shehu, Boçi , Bylykbashi, Spaho, Kaso, të cilët me “primaret” e Berishës, nuk sollën asgjë të re, veçse ndërruan vendet me njeri -tjetrin. Në krye të PD duhet të dalin të rinjtë, me bindje vizion perëndimor, që demokracinë nuk e duan për të krijuar e mbrojtur privilegjet e tyre.

Se ta zëmë, pse Bylykbashi qenka më i zoti se Alibeaj, pse Vokshi qenka më demokrate se Flutur Açka, apo pse Tritan Shehu qenka më kontributor se Roland Bejko, e pse Flamur Noka qenka më i përshtatshëm për demokraci se Gaz Bardhi?

Shqiptarët e demokratët e vërtetë shpresuan shumë tek disa figura të reja,që mund ta ngrinin PD, por u zhgënjyen keq, kur i panë ata të zhysin kokën në gjirin e Berishës. Hipokrizia e Berishës “më bëj dhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj” nuk bind më askënd. Së treti PD duhet të distancohet një herë e mirë nga e kaluara e saj e errët, duke i bindur shqiptarët me autokritikë të sinqertë e me alternative konkurruese se rruga e ndjekur deri më sot nuk do të përsëritet kurrë më. Të marrin mbi vete edhe përgjegjësitë për vrasjet, grabitjet, dhunimin e demokracisë si dhe shkatërrimet e mëdha që i kanë sjellë vendit në këto vite. Së katërti drejtuesit e PD duhet të heqin dorë nga lufta me mllef e slogane kundër PS dhe Edi Ramës.

Nuk mund ta akuzosh qeverinë Rama, se ka bërë keq ata gjëra, që PD i bëri katran. Dy herë nga tetë vjet në pushtet PD, e ka trajtuar çnjerëzisht opozitën, dhe kur binte nga pushteti , akuzonte për ata që nuk diti apo nuk deshi t’i bënte vetë. E keqja në këtë vend, nuk lindi brenda muajit apo vitit, por është e trashëguar dhe përgjegjësi e rëndë e gjithë klasës politike shqiptare. Lind pyetja: çfarë bëri mirë qeverisja e Sali Berishës, që e prishi kjo e Edi Ramës? Së fundi nëse PD e kërkon demokratikisht pushtetin, duhet të ndahet një herë e mirë nga Ilir Meta, vampirit të demokracisë dhe pasurisë së popullit shqiptar. Afrim largimet e Sali Berishës me Ilir Metën, u kanë sjell shumë dëme popullit dhe demokratëve. Sapo partia e Ilir Metës futet në një koalicion pushteti, me metoda mafioze të rrëmben gjysmën e qeverisë dhe vendet e punës më të privilegjuara, duke i lënë ata që sakrifikojnë ndershmërisht për demokratët me gisht në gojë. Duke ndjekur këto rrugë, një brez i ri pa komplekse, pa barrë turpi mbi shpinë, të vijë në krye dhe të bashkojë gjithë PD, me vështrim nga e ardhmja,do të jetë gjithnjë e më afër pushtetit. Për vendin është tepër imediate një opozitë moderne, me alternativa që shëndoshin demokracinë e forcojnë shtetin ligjor. Por në realizimin e këtij objektivi madhor, nuk mund t’i çojë kurrë udha e mbrapshtë e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Dihet se udha e brumbullit në pleh të çon. (SOT)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …