leoni

Suad Isen Brava (11.3.1982 – 22.5.1999)

Suad Isen Brava (11.3.1982 – 22.5.1999)

Dëshmori Suad Brava u lind më 11 mars të vitit 1982 në fshatin Puset e Nikës të Hanit të Elezit. Ai rrjedh nga një familje me traditë kombëtare, pjesëtarët e së cilës, Islam Brava, Nazmi Brava, e Rufat Brava kishin vuajtur shumë vite burg në kohën e Jugosllavisë titiste. Si e tillë, familja e Suadit u radhit pa hezituar në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë strehuese dhe ushqyese e anëtarëve të saj, por edhe duke radhitur bijtë e saj në radhët e kësaj ushtrie, kur lufta çlirimtare përfshiu edhe trevën e Kaçanikut.
Shkollën fillore, Suadi e kreu në Shkollën Fillore “Tefik Çanga” në Han të Elezit. Në vitin shkollorë 1997/98 u regjistrua në shkollën e mesme “Dardania” në Han të Elezit, ku arriti ta përfundojë vetëm klasën e parë, pasi me të filluar luftimet në Puset e Nikës, ai radhitet në njësitet e Batalionit të Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Më vonë ky batalion shndërrohet në Brigadën 164.
Duke filluar nga 6 shkurti i vitit 1999, treva e Hanit të Elezit, përballet me sulme të fuqishme nga forcat e pushtuesit serb dhe më 2 mars të atij viti pas, një rrethimi të hekurt dhe një qëndrese heroike të njësiteve të Batalionit të Tretë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, luftëtari Suad Brava nuk arriti t’u shpëtojë duarve kriminale të forcave serbe, në afërsi të Puseve të Nikës. Pas torturave mizore në stacionin policor në Ferizaj, Suadin e përcjellin në burgun hetues të Prishtinës ku qëndron deri më 29 mars 1999. Në mëngjesin e 29 marsit të burgosurit nxirren nga burgu dhe transferohen në burgun e Lipjanit e në mesin e tyre edhe Suad Brava. Në burgun e Lipjanit, Suadi qëndron deri më 11 prrill 1999, kur transferohet në burgun famëkeq të Dubravës. Atje, Suadin e sistemojnë në paviaonin “B” në anën e majtë të katit të dytë.
Suad Brava me të burgosurit e Kaçanikut, Danush Kurtaj, Avdylgafurr Luma, Tefik Raka, Mejdi Dalloshi, Fatmir Kurtaj, Hasan Dalloshi, Valon Berisha, Shaban Qupi e Shefket Topojani, më 19 maj arrijnë t’i thyejnë dyert e pavionit të tyre dhe të dalin në oborrin e burgut ku të gjithë të burgosurit do të përballen me sulmet e raketave të NATO-s. Në këtë katrahurë pësojnë edhe 23 të burgosur, mirëpo, në shenjë hakmarrjeje dhe shfrimi të pasioneve antishqiptare autoritetet serbe shfrytëzuan rastin të shtinë mbi shqiptarët e burgosur në mënyrë që për këtë masakër ta fajësojnë NATO-n. Më 22 maj 1999, rojet e burgut tubuan të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit të burgut në orët e hershme të mëngjesit dhe shtinë mbi ta nga të gjitha llojet e armëve të lehta e me bomba, me ç’rast vranë rreth 170 të burgosur dhe plagosën mbi 200 të tjerë.
Njëri nga ata që në muajin e atij viti gjakosi tokën e ëmbël të Kosovës ishte edhe Suad Brava. Në atë plojë krimi, bashkë me Suadin, u vranë edhe Danush Kurtaj, Tefik Raka, Avdylgafurr Luma dhe Mejdi Dalloshi, të gjithë nga komuna e Kaçanikut.
Varri i Suad Bravës u zbulua pas përfundimit të luftës në varrezat masive të fshatit Rakosh të Burimit dhe më 6 gusht 1999 trupi i dëshmorit u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Puset e Nikës.
Suadi ka lënë prindërit, vëllain Emrushin dhe motrën Suadën. Në nderim të veprës së Suadit dhe dëshmorëve të tjerë, në Puset e Nikës është ngritur lapidari.
Në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e dëshmorit Suad Brava, familja e tij ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Komanda e Zonës së Nerodimes e UÇK-së, Komanda e Zonës VI e TMK-së dhe nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …