Në një artikull për zhvillimet e fundit në Kosovë CNN shkruan për mosmarrëveshjet e shumta në mes të Kosovës dhe Serbisë rrënjët i kanë te Asociacioni i Komunave Serbe. Kosova pak ditë më parë një periudhë dymujore të zbatimit për një veprim të diskutueshëm për të detyruar serbët, kryesisht ata që jetojnë në pjesën veriore të vendit, në kufi me Serbinë, të fillojnë të përdorin targat e lëshuara nga Qeveria në Prishtinë. Tensionet etnike mbi vendimin shpërthyen muajin e kaluar kur serbët etnikë në Kosovën veriore, të cilët mbështeten nga Serbia dhe nuk e njohin autoritetin e Kosovës, ngritën postblloqe për të protestuar ndaj rregullit të ri. “Kosova dhe Serbia synojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian dhe kanë rënë dakord, si pjesë e këtij procesi anëtarësimi, të zgjidhin çështjet e tyre të pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore”, shkruan CNN.
Pse ka tensione?
Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje guerile kundër sundimit represiv të Beogradit. Serbia, megjithatë, ende e konsideron Kosovën si pjesë integrale të territorit të saj dhe refuzon sugjerimet se po rrit tensionet dhe konfliktin brenda kufijve të fqinjit të saj. Beogradi akuzon Prishtinën për shkeljen e të drejtave të minoritetit serb.
Serbët etnikë përbëjnë 5% të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, me shqiptarët etnikë që përbëjnë rreth 90%.
Pse u ndezën sërish tensionet?
Kosova prej vitesh dëshiron që rreth 50,000 serbët që jetojnë në veri t’i ndërrojnë targat serbe me ato të lëshuara nga Prishtina, si pjesë e planit të Qeverisë për të vendosur autoritet mbi territorin e saj.
CNN shkruan se serbët kanë refuzuar prej kohësh të njohin autoritetin e institucioneve të Kosovës në veri, duke shfryrë armiqësinë e tyre duke refuzuar t’i paguajnë operatorit energjetik të Kosovës për energjinë elektrike që përdorin dhe duke sulmuar shpesh policinë që përpiqet t’i arrestojë ata.
Përpjekja e Kosovës vitin e kaluar për të vendosur targat u ndërpre kur serbët etnikë protestuan. Më 31 korrik të këtij viti, Prishtina shpalli një afat dymujor për ndërrimin e targave, duke shkaktuar protesta të reja. Tensionet u zbutën pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën presionin e SHBA-së dhe BE-së, ra dakord të shtynte ndryshimin.
Çfarë duan serbët?
Serbët në Kosovë duan të krijojnë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe që do të funksiononte me autonomi më të madhe. Serbia dhe Kosova kanë bërë pak përparim në këtë dhe çështje të tjera që nga angazhimi i tyre në vitin 2013 për dialogun e sponsorizuar nga BE-ja.
Cili është roli i NATO-s dhe BE-së?
NATO ka rreth 3700 trupa të stacionuara në Kosovë për të ruajtur paqen. Aleanca tha se do të ndërhynte në përputhje me mandatin e saj nëse stabiliteti në zonë do të rrezikohej. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili mbërriti në vitin 2008, ende ka rreth 200 policë specialë atje, shkruan CNN.