Për tri ditë rresht, me 2, 3 dhe 4 shtator, qytetarë nga mbarë Kosova dhe jashtë saj, u kënaqën me aktivitetet e shumta ditore dhe koncertet e tri netëve që kishin përgatitur për sivjet organizuesit e festivalit “Hardh Fest”, në komunën e Rahovecit. Festa e rrushit që dikur shënohej në mënyrë simbolike nga vreshtarët lokalë të Rahovecit, tani është shndërruar në një festival madhështor, shumëngjyrësh e rekreativ, që mbledh të rinj e të reja nga e gjithë bota, për t’u kënaqur e dëfryer, për të parë e shijuar, sigurisht, përjetime të shumta e të paharruara nga oferta e pasur dhe e shkëlqyer që përmban e përfaqëson kjo festë, por edhe për ta njohur vreshtarinë e verën rahovecase, sikurse edhe vlerat e trashëgimisë tonë të pasur kulturore e natyrore. Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, e ka falënderuar këshillin organizues të edicionit të sivjetmë, në krye me drejtorin ekzekutiv të festivalit, Agron Sokoli, për performancë të shkëlqyer, përkushtimin e madh në punë dhe planifikimin e mirë e të menduar deri në detajet më të imëta. Po ashtu, falënderoj edhe organet e rendit dhe ligjit, policinë, sigurimin dhe ekipin e QKMF-së, njësinë e zjarrfikësve si dhe ekipe e individë, që kryen detyrat e veta me përgjegjësi të lartë dhe me vigjilencën e treguar mirëpritën dhjetëramijëra pjesëmarrës, vizitorë e turistë të shumtë, pa u shënuar as edhe incidenti më i vogël. “Hardh Fest”-i tashmë është shndërruar në një ngjarje të madhe kulturore që i sjell krenari të madhe komunës së Rahovecit, por të pasur me njerëz të mirë, punëtorë e mikpritës si askund tjetër. Mbështetja e Komunës së Rahovecit për “Hardh Fest”-in vetëm se do të rritet viteve në vijim, ka thënë kryetari Latifi.