leoni

Një lavdi marrëzie “erazmiane” e dy viteve më parë, e cila nuk mund të harrohet kurrë

Muhamet Tërnava, ishte historiani më i njohur shqiptar i Mesjetës, ndër të parët shkencëtarë të historisë

Profesor, doktor Muhamet Tërnava, ishte historiani më i njohur shqiptar i Mesjetës, ndër të parët shkencëtarë të historisë, i cili me argumente e të dhëna të faktuara shkencore hodhi poshtë pretendimet e historianëve serbë lidhur me përkatësinë e shqiptarëve të Kosovës,  në Mesjetë. Ai, pasi i kishte lexuar e studiuar me kujdes defterët e Turqisë  të Vilajetit Vëllk të vitit 1455, kishte arritur në përfundim se emrat e krishterë dhe përgjithësisht patronimet  e kohës nuk ishin vetëm emra serbë e sllavë, sikur pretendonte historiografia sllave e serbe,  por në shumicë ishin emra, patronime të shqiptarëve të krishterë të Mesjetës. Duke zbuluar mbaresat gramatikore të mbiemrave, ai kishte arritur në përfundim se emrat me mbaresën, “i” i përkasin gjuhës shqipe, ndërsa ata me mbaresën, – iq, gjuhës sllave -ov dhe oviq  gjuhës së vjetër sllave e bullgare.

Duke u mbështetur në këtë zbulim gjuhësor, ai formuloi metodologjinë shkencore se  trajta Dimiter Dimitri ishte e gjuhës shqipe, trajta Dimitar Dimitriq apo Dimitrijeviq ishte trajtë serbe sllave, Dimitar Dimitrov, trajtë e vjetër sllave e bullgare e kështu me radhë me të gjithë emrat e pranishëm në defterët e kohës.

Në librin e tij “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” që ishte edhe temë e doktoraturës, Muhamet Tërnava i vuri bazën shkencore pranisë së elementi shqiptar në viset e Kosovës, në shtrirje diakronike e sinkronike, duke përfunduar se në vitin 1455 në trevat e Kosovës së sotme popullata shumicë me 82 për qind ishte shqiptare, ortodokse,  pastaj popullata sllave serbe, etnoset e caktuara si vllahet, raguzianët, hebrenjtë, turqit e të tjerë për bën jo më shumë se 18 për qind të popullatës së shënuar në defterët me rastin e instalimit të administratës turke në Kosovë

Për shkak të këtij zbulimi shkencor që dokumentonte praninë historike të shqiptarëve në Kosovë, regjimi i kohës nuk ia lejoi që temën e magjistraturës ta mbronte  në Prishtinë, por u detyra ta mbronte në Zarë të Kroacisë.

Muhamet Tërnava u lind në vitin 1947 në Lismir, ish Dobërdub. Ishte djali i Mulla Ademit hoxhë i njohur dhe  me autoritet në këto anë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin e mbaroi në Prishtinë ku ka kryer edhe studimet në degën e Historisë në Fakultetin Filozofik. Ka magjistar  në Zarë dhe ka doktoruar në  Zagreb.

Ka marrë pjesë në demonstratat studentore  të vitit 1968. Ishte shok ideali me Jusuf Gërvallën me të cilin edhe ka mbajtur korrespondencës gjatë kohës së arratisë së tij. në Gjermani prej vitit 1979 e deri në vitin 1981.

Shërbimi sekret serb e kishte gjurmuar dhe më në fund e kishte burgosur në nëntor të vitit 1981 kur edhe ishte dënuar me burg së bashku me veprimtarët: Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri. 

Gjatë kohës së hetimeve në Burgun e Prishtinës, inspektorët e UDB-së i kishin inskenuar një prapaskenë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tij. Ata  i kishin dërguar në qelinë e tij  një vozitës serb, i arrestuar gjoja për delikt në komunikacion. Serbi pas një kohe e kishte provokuar dhe  e kishte sulmuar duke ia përplasur kokën për radiatorin e qelisë. Pasojat e atij  sulmi, i cili i kishte prekur edhe një pjesë të ndjeshme të trurit  i ka vuajtur  gjatë kohës së burgut por edhe deri në fund të jetës. Pas daljes nga burgu në vitin 1983, iu mor e drejta e ushtrimit të profesionit dhe nuk iu lejua të punonte në arsim apo as në institucione. Për ta mbajtur familjen dhe për t i ndihmuar bijat të shkolloheshin ishte detyruar ta shiste tokën që e kishte trashëgim nga i ati.

Në vitin 1996, Instituti i Albanologjisë i kishte botuar veprën, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”,  e cila deri atëherë ishte trajtuar si vepër  i ndaluar dhe nuk kishte pasur mundësi të kontaktonte me studiuesit dhe lexuesit shqiptarë. Në parathënien e librit punonjësit e Institutit Albanologjik i kishin kërkuar falje që nuk kishin pasur mundësia ta ndihmonin me kohë, në kushte dhe rrethana që tashmë dihen.

Pas luftës së UÇK-së për disa vite ka ligjëruar Historinë e Mesjetës në Katedrën e Historisë në Prishtinë.

Duke qenë i lënduar dhe me pasoja fizike që i kishin prekur edhe sferën mendore, i vetëdijshëm për gjendjen, prej lirimit  nga burgu në vitin 1983  e deri në vdekje  ka jetuar i tërhequr, por ka qenë tejet  mirëpritës, i sinqertë dhe i dashur   për të gjitha ata që e  kanë vizituar dhe me të cilët ka komunikuar.

Muhamet Tërnava është shembulli tipik i intelektualit të papërkulur shqiptar. Ka qenë i vetëdijshëm se zbulimi i tij shkencor  i kishte vulosur fatin tragjik të jetës dhe ardhmërisë, por kurrë nuk ishte thyer dhe nuk ishte penduar për veprat e tij në shërbim të shkencës shqiptare dhe komit në përgjithësi.

Mund të thuhet me bindje të thellë se Muhamet Tërnava ishte “Anjshtajni” i Historisë së Mesjetës shqiptare. Lexojeni veprën e tij me kujdes, zbulimin e tij gjuhësor, të cilin nuk e kishte vërejtur madje as Eqrem Çabej e Selami Pulaha, dy studiuesit më të mëdhenj shqiptar të kohës, dhe,  do të bindeni se çfarë zbulimi epokal ka bërë Muhamet Tërnava.

Ishte stoik në jetë, shkencëtar i paanshëm dhe shumë i thellë në vrojtimet e tij studimore, bashkëshort, vëlla,  baba i dashur për bijat, gjysh i nderuar për nipat e mbesat, përjetë i paharrueshëm për të afërmit dhe shokët e idealit. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …