Dëshmori Hasan Shala është djali i Beqirit dhe i Hafijes. Ai është i lindur në fshatin Nënkala (ish-Vuçak) të Drenasit, më 22.5.1979. Beqiri dhe Hafia kanë rritur pesë bij: Rrahmanin, Rasimin, Naimin, Fazliun dhe Hasanin, si dhe pesë bija: Halimen, Sofën, Sadberen, Sadeten dhe Valdeten. Hasani ishte sugari i familjes. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së nga familja e ngushtë e Beqir Shalës ishin angazhuar tre bijtë e tij, Rrahmani, Naimi (invalid i UÇK-së) dhe Hasani, dëshmor i kombit.
Hasani mësimet e para i mori në shkollën fillore ,,Jusuf Gërvalla” të fshatit Fatos (ish-Negroc). Shkollën e mesme e ka mbaruar në shkollën teknike ,,Leonik Tomeu”, në Drenas, e cila mban emrin e dëshorit Fehmi Lladrovci.
Hasani rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Është nip i plakut të urtë, Xhafer Liman Shala, plak ky i njohur për urtësi, mençuri, mikpritje dhe veprimtari atdhetare. Ai gjatë rezistencë popullore të kryetrimit të Drenicës së asaj kohe, Shaban Polluzha ishte inkuadruar në luftë familjarisht. Për veprimtarinë e tij atdhetare, në vitin 1946, OZN-a serbe likuidoi, Imer Shalën. Me vonë UDB-ja jugosllave disa herë ka burgosur dhe ka keqtrajtuar vëllezërit e Imerit, Xhaferin dhe Zenën.
Në vitin 1981 pas demonstratave të rinisë studentore, që u zhvilluan në Prishtinë dhe në tërë Kosovën, arrestohet dhe burgoset Zenë Shala për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata. Po ashtu, burgoset xhaaxhai i dëshmorit, Ibrahim Shala. Nga e njëjta familje, për veprimtari ilegale, në vitin 1989 do të burgoset djali i xhaxhait të tij, Ferati, i cili asokohe ishte student në Prishtinë. Të gjitha këto ngjarje të dëgjuara e të përjetuara nuk do të mund të kalonin pa lënë gjurmë në shpirtin liridashës të Hasanit.
Për veç kësaj, si dhe edukatës atdhetare që e kishte trashëguar nga familja, personalitetin e tij do ta brumosin deri në militantizëm edhe ngjarjet që do të rrjedhin më pastaj. Me fillimin e organizmit të pikave ushtarake të UÇK-së, shtëpia e familjes se tij në Nënkala do të kthehet në bazë të UÇK-së. Hasani asokohe njohu personalitetet më të dalluara të luftës së UÇK-së. Radhëve të çlirimtarëve të Kosovës, Hasani u bashkohet në fillim të majit të vitit 1998. Më të filluar lufta frontale në rajonin e fshatrave Nënkala, Fatos, Gjergjaj, Arllat, Llapushnik etj, vetëm nga kjo familje e ngushtë mobilizohen gjashtë luftëtarë të të UÇK-së. Nga Komandanti i njësiteve “Pellumbi”, Ferat Shala, Hasnai ngarkohet bashkë me Shaniun, të përgatisin në malet e Kozamqit bazat e armatimit dhe bunkerët për mbrojtje nga forcat armike serbe dhe për deponimin e municionit. Më vonë kjo bazë shërben për njësitet “Pëllumbi” dhe për brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Këto baza do t’u përballojnë ofensivave serbe.
Në shtator të vitit 1998 forcat serbe kishin ndërmarrë ofansivë të ashpër në fshatrat Fatos dhe Nënkala. Pas një lufte të rreptë, luftëtarët e UÇK-së tërhiqen në pikat e larta të Kozmaqit dhe të kalasë së fshatit Nënkala.
Hasani dhe djali i xhaxhait të tij, Shaniu, kishin ngelur në thellësi të territorit të kontrolluar nga forcat serbe, duke maskuar municionet dhe rezervat e UÇK-së. Pasi kryejnë punën tërhiqen në drejtim të grykës së fshatit Rezistencë (ish-Baicë). Atje bien në rrethimin e forcave serbe dhe më 26 shtator të vitit 1998 arrestohen. Pas disa ditë qëndrimi në Burgun e Prishtinës dërgohen në burgun e Lipjanit. Nga gjykata serbe akuzohen penalisht si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me fillimin e bombardimeve nga forcat e NATO-s mbi forcat serbe, Hasani dhe Shaniu dërgohen në Burgun e Dubravës, ku më 23 maj të vitit 1999 ekzekutohen nga forcat kriminale serbe në oborrin e burgut. Pas përfundimit të luftës u identifikuan trupat e tyre në varrezën masive të të ekzekutuarve të burgut të Dubravës.
Më 14 nëntor të 1999, trupat e tyre u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve në fshatin Fatos. Eshtrat e dëshmorëve Hasan e Shani Shala prehen në përjetësi në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Fatos. Emrat e tyre janë skalitur në lapidarin e përbashkët, në qendër të Drenasit. Po ashtu, një lapidar në nderim të dëshmorëve është ngritur në oborrin e Shkollës së Mesme ku Hasani dhe Shaniu kishin vijuar shkollimin deri në fillimin e luftës çlirimtare.
Familja Shala ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së dhe nga shoqatat e dala nga lufta të UÇK-së. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …