Shpesh e kujtoj momentin e fillimit të transmetimit të lajmeve të Radios Kosova e lirë të UÇK-së gjatë luftës në fshatin Berishë, përmes antenës transmetuese dhe rrezikut që paraqiste vendndodhja e kësaj antene, nga ndonjë sulm i teledirigjuar nga ana e armikut, pavarësisht se antena ishte vendosur në një vend të kamufluar. Si profesionist i fushës, mendoja se mos okupatori kishte pajisje dhe aplikacione të sofistikuara, që përmes detektimit të valëve elektromagnetike, nga largësia mund të godiste antenën tonë transmetuese, që me këtë të na vriste dhe të shkatërronte edhe antenën me pajisje të tjera përcjellëse. Për fat, pushtuesi në atë kohë nuk kishte teknologjinë informative aq të avancuar, pavarësisht gjuajtjeve kaotike përmes predhave që bënte nga distanca në vazhdimësi. Prandaj armiku nuk fle, ai të godet bash kur nuk e pret pa zgjedhur forma, në momentin që i paraqitet mundësia.
Nga ky rast konkret gjatë luftës në kuptimin e teknologjisë informative, po kthehem tek formimi i institucioneve të pavarura qeveritare në kohën pas çlirimit, në kohën e UNMIK-ut, ku është dashtë punë e madhe dhe me përkushtim, krijimi i Rrjetit të Pavarur Qeveritar të Teknologjisë Informative.
Me mund dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, në periudhën 2003-2005 dhe 2008-2011 sa kam qenë udhëheqës i kësaj fushe në kuadër të institucioneve të Kosovës, kemi krijuar Rrjetin e Pavarur Qeveritar të Teknologjisë Informative. Kemi krijuar Qendra të Sistemeve në lokacione të ndryshme qeveritare, kemi krijuar Qendrën e email-sistemit. Kemi krijuar dhe menaxhuar shumë Qendra Serverike dhe Qendra degëzuese të rrjetave, kemi krijuar dhe zgjeruar në vazhdimësi rrjetin infrastrukturor të TI-së, kemi krijuar Qendrën e të Dhënave të Republikës së Kosovës, kemi krijuar dhe vendosur me qindra aplikacione softuerike në Sistemin Qeveritar të TI-së për të gjitha institucionet lokale dhe qendrore të vendit, kemi marrë nën menaxhim edhe të gjithë rrjetin e TI-së të lënë në dorëzim nga UNMIK-u. Në vitin 2003/2004 është vendosur edhe domeni i sotëm rks-gov.net, që përdoret nga pothuajse të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. U vendos për këtë domen sepse OKB-ja nuk ndante pë Kosovën një domen shtetëror, pasi që Kosova nuk ishte anëtare e saj, ndërsa neve për të mos u bllokuar është dashur të adaptojmë një domen më të përshtatshëm. Pra, në menaxhim të punëve të mëdha nuk duhesh të ndalesh asnjëherë, duhesh të gjesh zgjidhje medoemos.
Gjithashtu kemi ngritur kapacitetet njerëzore dhe profesionale në vazhdimësi, aq sa me insistimin tim dhe me vendim të Qeverisë së asaj kohe, stafi i sektorit të teknologjisë informative në institucionet e Kosovës, edhe sot ka shtesa të veçanta në pagat e tyre, gjë që kjo ka ndikuar shumë në mirëmbajtje dhe funksionalitet të Sistemit Qeveritar të Teknologjisë Informative në vazhdimësi.
Në vitin 2009 për herë të parë Republika e Kosovës harton dhe vë në zbatim Strategjinë e Qeverisjes elektronike 2009-2015 si dhe Planin e Veprimit 2009-2015 të kësaj Strategjie. Gjithashtu Kosova për herë të parë harton dhe vë në zbatim Kornizën e Interoperabilitetit të Republikës së Kosovës në fushën e Teknologjisë Informative.
Në vitin 2011 nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, kam kaluar si udhëheqës i Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kur jam larguar nga ASHI-ja, kam lënë në gjendje shumë të mirë tërë Sistemin e Qeverisjes Elektronike të Republikës së Kosovës, me përjashtime shumë të vogla kam lënë një staf shumë profesional dhe të mrekullueshëm. Për fat të keq të institucioneve tona, një pjesë e këtij stafi sot punojnë në kompani prestigjioze evropiane të TI-së. Kam lënë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore për të avancuar sistemet dhe realizuar objektivat e vendosura sipas dokumenteve të më sipërme në fuqi. Unë nuk besoj që një institucion varet aq shumë nga një menaxher, pasi që pas meje menaxherët ishin adekuat.
Po çfarë në të vërtetë ka ndodhur?
Bazuar në praktikat e mia dhe sidomos në praktikat ndërkombëtare, në momentin që sektori i Teknologjisë Informative nuk ka investime, ai gradualisht shkatërrohet. Unë besoj që kjo i ka ndodhur Sistemit Qeveritar të Teknologjisë Informative. Qeverisja elektronike, si sektor jetësor në Republikën e Kosovës, si duket që nga viti 2011 e deri më sot është lënë pa mbështetje buxhetore dhe institucionale. Kjo është e vërteta, pasi që nga viti 2016 nuk kemi fare Strategji të Qeverisjes Elektronike, nuk kemi fare Plan të Veprimit, por veprohet në mënyrë stihike nga shumica e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nuk është askund Qendra për Rimëkëmbje e TI-së.
Në anën tjetër sot, Teknologjia Informative kudo në botë avancon dhe zhvillohet në baza ditore, e lere më në baza vjetore, apo për periudha më afatgjata. Prandaj, nëse Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështesin dhe investojnë në këtë sektor, normalisht që do të ketë avari dhe sulme kibernetike të vazhdueshme, madje avari që shkaktohen jo vetëm në rrjetin e jashtëm, por edhe brenda në të dhënat tepër konfidenciale të vendit dhe të qytetarëve tanë, kudo në bazat e shënimeve, të kudo ndodhura dhe të kudo ruajtura. Në infrastrukturë të vjetërsuar të TI-së, në sistemet e vjetërsuara dhe në një Sistem qeveritar të TI-së ku për një kohë të gjatë nuk ka pas avancime teknologjike qoftë edhe minimale, avaritë janë të pashmangshme. Prandaj, unë besoj që këtyre ditëve ka pas Avari në Sistemin Qeveritar të Teknologjisë Informative dhe jo sulm ekskluziv kibernetik. Megjithatë, edhe po të kishte vërtetë një sulm të jashtëm kibernetik, infrastruktura e vjetër dhe e pa avancuar që një kohë të gjatë, si dhe mungesa e aplikacioneve të sofistikuara të sigurisë për tu mbrojtur nga këto sulme, prap në fushën e TI-së konceptohet si avari.
Përfundimisht, në sektorin e TI-së në përgjithësi në institucionet tona, por në veçanti në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionet, duhet investuar në avancimin teknologjik dhe softuerik, sidomos në fushën e realizmit dhe zbatimit të aplikacioneve të larta të sigurisë në TI. Me urgjencë duhet të rritet buxheti në fushën e TI-së në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.