Një lavdi marrëzie “erazmiane” e dy viteve më parë, e cila nuk mund të harrohet kurrë

Ahmet Qeriqi: Muhamet Tërnava ishte “Ainshtajni” i Historisë së Mesjetës shqiptare

Më 6 shtator të vitit 2017, ka ndërruar jetë veprimtari, i burgosuri politik i viteve 80-të, profesor doktor, Muhamet Tërnava.

Po atë ditë, gazetari kontrovers,  i shituri dhe i bleri nga të gjitha qeveritë, nip nga ADN-ja me trashëgimi kromozomesh nga fara e Esad Pashë Toptanit,  Blendi Fevziu rastisi të shënonte 20-vjetorin e punës së tij  si gazetar. Ai kishte organizuar, në Tiranë,  një “galla(ta) manifestim” dhe mes tjerësh nga Kosova kishte ftuar, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin e disa të tjerë, por jo Adem Demaçin, as Rexhep Qosen…

Ndodhi ajo që nuk e kisha pritur, jo sepse  të ftuarit, i “kishin bërë nderë” qel-qerosit Fevziu, dhe kishin shkuar në Tiranë,  por sepse  asnjëri prej tyre  nuk i kishte dërguar telegram ngushëllimi familjes së profesor Muhamet Tërnavës. Natyrisht se ishte faji i këshilltarëve, por kjo nuk do të duhej të ndodhte në asnjë mënyrë.

Kisha ftuar disa shokë të burgut për të marrë pjesë në varrim por nuk erdhi asnjëri.  Shokët e tij dhe të  mi të burgut kishin dijeni se ai nganjëherë falej në xhami, dhe kjo sipas tyre, mjaftonte për ta anashkaluar,   pasi  ata mendonin e  mjerisht mendojnë se të gjithë të burgosurit, edhe nëse nuk ishin marksistë leninistë, doemos duhej të ishin ateistë. Jo pak prej tyre kështu mendojnë edhe sot. 

Pasi afishova lajmin në Radio, disa medie dhanë njoftimin.

As sot në shtatë-vjetorin e ndarjes nga jeta të profesor, doktor, Muhamet Tërnavës nuk vërejta se ndonjë nga institucionet apo shoqatat  ta kenë përkujtuar, hulumtuesin dhe zbuluesin më të madh, e më të rëndësishëm të historisë shqiptare të Mesjetës, lirisht mund të them Ajnshtajnin e saj. Këtë krahasim e mbështes në fakte e dëshmi, pasi është unikat zbulimi i tij shkencor për praninë e madhe të shqiptarëve në Kosovë e më gjerë, i mbështetur në mbaresat gramatikore të emrave e mbiemrave,  në “Defterët turq të Vilajetit Vëllk” të vitit 1455.

As Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, tashmë nën tutelë të Vetëvendosjes, asnjëherë deri tani nuk e ka përkujtuar, historianin, ndër më meritorët, të burgosurin politik, shokun e ngushtë e bashkëpunëtorin e Jusuf Gërvallës, shkencëtarin e kalibrit botëror, dr. Muhamet Tërnava.

Profesor, doktor Muhamet Tërnava, ishte  ndër të parët shkencëtarë të historisë, i cili me argumente e të dhëna të faktuara shkencore hodhi poshtë pretendimet e historianëve serbë lidhur me përkatësinë e shqiptarëve të Kosovës,  në Mesjetë. Ai, pasi i kishte lexuar e studiuar me kujdes, defterët e Turqisë  të Vilajetit Vëllk të vitit 1455, kishte arritur në përfundim se emrat e krishterë dhe përgjithësisht patronimet  e kohës nuk ishin vetëm emra serbë e sllavë, sikur pretendonte dhe pretendon  historiografia sllave e serbe,  por në shumicë ishin emra e patronime të shqiptarëve të krishterë të Mesjetës. Duke zbuluar mbaresat gramatikore të mbiemrave, ai kishte arritur në përfundim se emrat me mbaresën, “i” i përkasin gjuhës shqipe, ndërsa ata me mbaresën, – iq, gjuhës sllave -ov dhe oviq  gjuhës së vjetër sllave, bullgare .

Duke u mbështetur në këtë zbulim gjuhësor, ai iu përmbajt analizës shkencore, duke konkluduar se   trajta:

Dimiter Dimitri ishte emër e mbiemër i gjuhës shqipe.

Dimitar Dimitroviq  apo Dimitrijeviq ishte trajtë  sllave-serbe.

Dimitar Dimitrov, trajtë e vjetër sllave e bullgare.

Dimitris Dimitraqis trajta grekfolëse.

Dimitre Dimitrul trajta vllahe e kështu me radhë me të gjithë emrat e pranishëm në defterët e kohës.

Sipas një analize të tillë, ai prezantoi tërë materialin e antroponimisë, përkthyer  në gjuhën shqipe nga origjinali, në turqisht.

Në librin e tij,  “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” që ishte edhe temë e magjistraturës e më vonë edhe e doktoraturës, Muhamet Tërnava i vuri bazën shkencore pranisë së elementit shqiptar në viset e Kosovës, në shtrirje diakronike e sinkronike, duke përfunduar se në vitin 1455 në trevat e Kosovës së sotme, popullata shumicë me 82 për qind kishte qenë shqiptare, ortodokse,  pastaj popullata sllave serbe, etnoset e caktuara si vllahet, raguzianët, hebrenjtë, turqit e të tjerë përbënte jo më shumë se 18 për qind të popullatës së shënuar në defterët me rastin e instalimit të administratës turke, në Kosovë.

Për shkak të këtij zbulimi shkencor që dokumentonte shkencërisht praninë historike, autoktone  të shqiptarëve në Kosovë, regjimi i kohës nuk ia lejoi që temën e magjistraturës ta mbronte  në Prishtinë, në Beograd assesi, por u detyra ta mbronte në Zarë të Kroacisë, ku më vonë edhe kishte doktoruar, në Zagreb.  Tërë librin, në më shumë se 450 faqe ishte detyruar ta daktilografonte dhe  ta përkthente vetë.

Muhamet Tërnava u lind në vitin 1947 në Lismir, ish Dobërdub. Ishte djali i Mulla Ademit hoxhë i njohur dhe  me autoritet në këto anë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin e mbaroi në Prishtinë ku ka kryer edhe studimet në degën e Historisë në Fakultetin Filozofik. Ka magjistar  në Zarë dhe ka doktoruar në  Zagreb.

Ka marrë pjesë në demonstratat studentore  të vitit 1968. Ishte shok ideali me Jusuf Gërvallën me të cilin edhe ka mbajtur korrespondencës gjatë kohës së arratisë së tij, në Gjermani prej vitit 1979 e deri në vitin 1981.

Shërbimi sekret serb e kishte gjurmuar dhe më në fund e kishte burgosur në nëntor të vitit 1981 kur edhe ishte dënuar me burg së bashku me veprimtarët: Kadri Rexha dhe Shaqir Shaqiri.

Gjatë kohës së hetimeve në Burgun e Prishtinës, inspektorët e UDB-së i kishin inskenuar një prapaskenë të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tij. Ata  i kishin dërguar në qelinë e tij  një vozitës serb, i arrestuar gjoja për delikt në komunikacion. Serbi pas një kohe e kishte provokuar dhe  e kishte sulmuar, duke ia përplasur kokën për radiatorin e qelisë.

Pasi ishte dëgjuar britma e tij, të gjithë të burgosurit politikë në burgun e Prishtinës kishim protestuar duke rrahur muret dhe duke mos e pranuar  ushqimin. Këtë fakt e dinë të gjithë të burgosurit e asaj kohe. Pasojat e atij  sulmi, i cili i kishte prekur edhe një pjesë të ndjeshme të trurit,   i ka vuajtur  gjatë kohës së burgut por edhe deri në fund të jetës.

 Në verë të vitit 1983, derisa ishte në burgun e Gjurakovcit, ku kam qenë edhe unë dhe  rreth 50 të burgosur politikë shqiptarë, shtypi serb e akuzonte se Muhamet Tërnava, me gjoja falsifikimet e tij të historisë,  kishte indoktrinuar rininë studentore shqiptare me nacionalizëm  dhe irredentizëm.  Muhameti asokohe kishte reaguar, madje reagimin e kishte përkthyer edhe në gjuhën serbe, por nuk arriti ta nxjerrë as nga burgu e lerë  më se do të botohej edhe po të arrinte në redaksitë e gazetave të kohës.

Pas daljes nga burgu në vitin 1983, iu mor e drejta e ushtrimit të profesionit dhe nuk iu lejua të punonte në arsim, as në institucione. Një kohë, kishte blerë një tufë dele dhe i ishte kujdesur për to në shtëpinë e tij, në Lismir.  Për ta mbajtur familjen dhe për t i ndihmuar bijat të shkolloheshin,  ishte detyruar ta shiste tokën që e kishte trashëgim nga i ati. Në vendin ku e kishte shitur  tokën,  në Lagjen Velania, ku tani  janë varrezat, pak vite  më vonë vlera e tokës ishte rritur njëzet fish.

 Institucionet e Krahinës Autonome të Kosovës jo vetëm që nuk e kishin pranuar në punë por nuk e kishin lejuar as të vizitonte katedrat apo institucionet. E kishin përbuzur, duke menduar se do ta fundosnin edhe zbulimin e tij shkencor.

Por koha kishte bërë të vetën.

Në vitin 1996, Instituti i Albanologjisë i kishte botuar veprën e tij shkencore, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI”,  e cila deri atëherë ishte trajtuar si vepër  i ndaluar dhe nuk kishte pasur mundësi të kontaktonte me studiuesit dhe lexuesit shqiptarë. Në parathënien e librit, punonjësit e Institutit Albanologjik i kishin kërkuar falje që nuk kishin pasur mundësia ta ndihmonin me kohë, në kushte dhe rrethana që tashmë dihen.

Pas luftës së UÇK-së,  për disa vite ka ligjëruar Historinë e Mesjetës në Katedrën e Historisë në Prishtinë.

Duke qenë i lënduar dhe me pasoja fizike që i kishin prekur edhe sferën mendore, i vetëdijshëm për gjendjen, prej lirimit  nga burgu në vitin 1983  e deri në vdekje  ka jetuar i tërhequr, por ka qenë tejet  mirëpritës, i sinqertë dhe i dashur   për të gjitha ata që e  kanë vizituar dhe me të cilët ka komunikuar.

Muhamet Tërnava ka mbetur në kujtesë  si shembulli  më tipik i intelektualit të papërkulur shqiptar. Ka qenë i vetëdijshëm se zbulimi i tij shkencor  i kishte vulosur fatin tragjik të jetës dhe ardhmërisë, por kurrë nuk ishte thyer dhe nuk ishte penduar për veprat e tij në shërbim të shkencës shqiptare dhe kombit në përgjithësi.

Mund të thuhet me bindje të thellë se Muhamet Tërnava ishte “Ajnshtajni” i Historisë së Mesjetës shqiptare. Lexojeni veprën e tij me kujdes, zbulimin e tij gjuhësor, të cilin nuk e kishin vërejtur,  Eqrem Çabej,  Selami Pulaha madje as Aleks Buda, studiuesit më të mëdhenj shqiptar të kohës, dhe,  pasi ta lexoni librin, të cilin vështirë se mund ta gjeni do të bindeni se çfarë zbulimi epokal ka bërë Muhamet Tërnava.

Ishte stoik në jetë, shkencëtar i paanshëm dhe shumë i thellë në vrojtimet e tij studimore, bashkëshort, vëlla,  baba i dashur për bijat, gjysh i nderuar për nipat e mbesat, përjetë i paharrueshëm për të afërmit dhe shokët e idealit.

Përditësuar më 6. 9. 2024

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA; Grenelli është engjëll krahasuar me Donald trumpin

Grenelli është engjëll krahasuar me……: Në Amerikë përfunduan zgjedhjet ashtu si pata shkruar në gazetën “Epoka …