Programi ishte i shkëlqyeshëm, por nuk po realizohej
Fjalmi ishte brilant, por nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë
Ka mendime të ndryshme për atë se si erdhi deri te ndërrimi i Qeverisë Zogu me Qeverinë Noli. Përmbysjen e Qeverisë Zogu disa e quajnë revolucion demokratik, dikush e quan kryengritje, të tjerë e quajnë rebelim i armatosur, avanturë politike, gushtshtet etj. Mund të pranohet cilado prej variantave të përmendura, përveç atij “revolucion demokratik”, sepse nuk mund të quhet demokraci dhuna, e aq më tepër dhuna e armatosur. Përmbysjes së Qeverisë Zogu i ka parapri një kaos i vërtetë i rebelimit të armatosur të opozitës me segmente të ushtrisë dhe xhandarmerisë, sikur ajo që ndodhi në e vitin e mbrapësht 1997, të cilën e kemi parë. Në kryeministrin Zogu u bë atentat (23 shkurt 1924). Për t’iu shmangur gjakderdhjes së mëtejme, kryeministri dha dorëheqje (më 25 shkurt), ndërsa detyrën e kryeministrit e mori Shefqet Vërlaci (30 mars). Më 20 prill, plagoset për vdekje Avni Rrustemi. Varrimi i tij në Vlorë u shndërrua në manifestim të hapur kundër Ahmet Zogut, mbi të cilin binte dyshimi për vrasjen e Avniut. Grupet e armatosura rrebele, nga Jugu në Veri kishin përkrahjen nga jashtë (nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia). Qeveria e Vërlacit nuk mundi ta qetësojë situatën kaotike në vend. Udhëheqjen e qeverisë shqiptare e mori Iljaz Vrioni, prej 27 maj deri më 10 qershor 1924.
Si u zgjodh Noli kryeministër
Direktoriati Ushtarak që u formua në Vlorë nga përfaqësues të forcave të rebeluara të ushtrisë dhe të opozitës, mori rolin e Këshillit të Lartë Kombëtar dhe më 16 qershor ia besoi mandatin Fan Nolit, për të formuar qeverinë e re. Në librin e Roland Qafokut “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, shkruan se zgjedhja e Nolit për kryeministër u bë me short. Ishin tre emra kandidatësh për atë post: Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Emrat e tyre ishin shkruar në tri copa letrash, shorti e kishte tërhequr letren me emrin e imzot Fan Noli. Kështu Noli u bë kryeministri i 13 me radhë i qeverisë së Shqipërisë. Më 17 qershor nisi mandatin qeveria me këtë përbërje:
Imzot Fan S. Noli, kryeministër
Kolonel Rexhep Shala, ministër i brendshëm
Sulejman Delvina, ministër i punëve të jashtme
Kolonel Kasem Qafzezi, ministër i luftës
Stavro Vinjau, ministër i drejtësisë dhe arsimit
Luigj Gurakuqi, ministër i financave
Qazim Koculi, ministër i punëve publike.
Më 19 qershor 1924, qeveria prezantoi program të admirueshëm, me motive të larta, për zbatimin e reformave thelbësore ekonomike, politike dhe ushtarake. Programi i Qeverisë Noli, edhe sot është për lakmi në shumë pika. Pikat e Programit parapriheshin me një manifest, në të cilin shkruante:
“Politika shkatërrimtare e qeverisë së fundit ka krijuar kaq dëshprim në vend, sa që rezultati më në fund qe kryengritja dhe vëllavrasja. Rezultatet e administrimit të ministrave të fundit janë buxheti i rrënuar me një deficit të madh, çorganizimi i shtetit në të gjitha institucionet e tij, pasiguria në të gjithë vendin, anarki në organet shtetëtore, krijimi i pushteteve personale jashtë dhe mbi pushtetin e shtetit, krahas vrasjes apo përpjekjeve për të vrarë shtetas apo të huaj. Këto fakte të pakundërshtueshme kanë dëmtuar themelin e vendit, na kanë diskredituar brenda dhe jashtë vendit dhe kanë hedhur dyshime në mendjen e shqiptarëve dhe të huajve për aftësinë e shetit tonë për të jetuar.
Për të kurorëzuar veprën e dobishme të kryengritjes dhe duke u mbështetur mbi besimin që na ka dhënë populli, ne pranuam barren e rëndë të drejtimit të punëve të shtetit, që na u besua nga Këshilli i Lartë i Regjencës, dhe kështu i premtojmë popullit tonë mëkëmbjen graduale nga gjendja kritike e krijuar nga puna shkatërruese e paraardhësve tanë, nëpërmjet zbatimit të programit të mëposhtëm:
- Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë, pa përjashtim.
- Vendosja e qetësisë, rendit dhe sovranitetit të ligjit.
- Të ngremë autoritetin e shtetit mbi çdo pushtet personal dhe jashtëligjor.
- Të çrrënjosim feudalizmin, të çlirojmë popullin dhe të vendosim përfundimisht demokracinë në Shqipëri.
- Të bëjmë reforma radikale në të gjitha degët e administratës, civile dhe ushtarake.
- Të thjeshtëzojmë organizimin e administratës dhe ta shurtojmë e ta pastrojmë atë: përveç aftësisë dhe moralit do të merret parasysh edhe atdhetaria e çdo nëpunësi.
- Sigurimi I të drejtave të nëpunësve dhe përcaktimi i përgjegjësive të tyre do të vendosen me një ligj të veçantë.
- Të organizojmë prefekturat, në mënyrë që të përmirësojmë kushtet e fshatrave dhe të fshatarëve, duke u dhënë këtyre të fundit kompetenca të gjëra në çështjet lokale.
- Të baraspeshojmë buxhetin me kursime rrënjësore.
- Të ndryshojmë sistemin e mbledhjes së taksave në mënyrë të favorshme për publikun.
- Të përmirësojmë kushtet e bujqëve, në mënyrë që të sigurojmë pavarësinë e tyre ekonomike.
- Të lehtësojmë futjen e kapitalit të huaj, të mbrojmë dhe të organizojmë pasurinë e vendit.
- Të rrisim prestigjin e vendit jashtë.
- T’i japim liri të plotë bashkiake çdo qyteti.
- Të bëjmë reforma gjyqësore.
- Të ndërtojmë rrugë dhe ura të reja dhe t’i kushtojmë kujdes të posaçëm mjeteve të komunikacionit në të gjithë vendin.
- Të organizojmë kushtet sanitare të vendit, për të luftuar sëmundjet që po shkretojnë popullsinë.
- Të organizojmë dikasterin e arsimit me orientime moderne dhe praktike, që shkollat të nxjerrin qytetarë të zotët, atdhetarë të mirë dhe punonjës të aftë.
- Të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet dhe në veçanti me vendet fqinje.
Me kthimin e kushteve normale, ne do të thërresim vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe me votim të fshehtë, të drejtpërdrejt dhe krejtësisht të lirë populli do të japë verdiktin e tij për punën tonë, verdikt të cilit ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi.
Ne nuk i mohojmë vështirësitë që i bashkohen përmbushjes së premtimeve tona, as nuk themi që ky program do të zbatohet menjëherë në tërësinë e tij, por ne jemi të bindur që, me ndihmën e të Gjithfuqishmit dhe me mbështetjen e popullit, do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë shkallë-shkallë”,- thuhet në fund të pikave programore të Qeverisë, ku jepet nënshkrimi: Fan Noli. (Teksti kurziv është marrë nga libri: Joseph Swire, “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, i përshtatur të folmës dhe drejtëshkrimit të tashëm).
Programi qeveritar u mirëprit, sepse shprehte interesat e shtresave të gjëra të popullsisë. Shumica e pikave të programit të Qeverisë Noli, kishin qenë edhe në programet e qeverive të mëparshme, por që nuk kishin mund të realizohen, për shkak të situatës jostabile politike e të sigurisë dhe për shkak të mungesës së financave.
Një gabim të nxitueshëm dhe të pafalshëm e bëri qeveria e re, kur formoi një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave, Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë, poqese do t’i zënin. Ndiqeshin e persekutoheshin personat e regjimit të Zogut dhe pasanikët e njohur. Ishin future në një listë 196 veta për t’i gjzkuar. Gjendja në vend nuk u qetësua as pas formimit të Qeverisë Noli. Ajo qeveri nuk u njoh nga shtetet e tjera, me pretekst se konsiderohej jolegjitime, pasi nuk ishin organizuar zgjedhjet për Parlamentin, rrjedhimisht qeveria nuk kishte legjitimitetin e duhur, pasi nuk ishte e zgjedhur nga Parlamenti. Emërimi i ministrave të Kabinetit Noli ishte imponim nga Direktoriati Ushtarak, i cili kishte marrë kompetencat e Këshillit të Lartë Kombëtar, kështu që as shumica e ministrave nuk e përkrahnin Nolin, por vepronin krye në vete. Qeveria nuk kishte mjete financiare për të zbatuar reformat e përcaktuara në programin e saj. Noli kishte kërkuar nga Lidhja e Kombeve një hua prej 300 milionë franga ari, por kjo nuk iu dha. Në lidhje me atë hua të kërkuar, Noli në mbledhjen e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924, mbajti një fjalim që mahniti të pranishmit dhe mediat e botës, por që nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë.
Kryesuesi i Asamblesë, zvicërani Guiseppe Motka, duke ia dhënë fjalën Nolit, tha se “folësi i fundit është imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndes si kryeministër dhe kryetar i qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, por përfitoj nga ky rast të shtoj se të gjitha shtetet anëtare të Lidhjes së Kombeve janë të barabarta para ligjit” (Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920, v.j.).