Prokuroria e posaçme, SPAK, në Tiranë, në kuadër te hetimit kundër ish kryetarit Ilir Meta kërkon të dhëna nga departamenti FARA, ku janë regjistruar kompanitë e lobimit në ministrinë e drejtësisë në Amerikë. SPAK-u ka hartuar disa pyetje të kthyera tashmë në një letër porosi nga Ministria e Drejtësisë. Burime nga kjo ministri pohuan se dokumenti është përkthyer dhe nisur përmes postës diplomatike në Amerikë. Përmes kësaj letër porosie SPAK synon të marrë informacion për pagesat e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim për lobim në SHBA. SPAK ka vënë nën hetim Ilir Metën pas kallëzimit të ish deputetit Halit Valteri i cili pretendon se për llogari të LSI janë shpenzuar 700.000 dollarë por të padeklaruara për qëllime lobimi. Dërgimi letër porosisë në Amerikë vjen pas disa veprimeve hetimore në Shqipëri si kërkesa dërguar KQZ-së për të pasur një kopje të formularit të dekriminalizimit të Ilir Metës po ashtu edhe të dhënat e certifikatës familje të zotit Meta, i cili në javët në vazhdim me të gjitha gjasat do të thirret të dëshmojë në SPAK bashkë me Petrit Vasilin i cili drejtonte LSI në kohën kur ka ndodhur ky lobim i pretenduar i padeklaruar.