Besim Perjuci: Mësimdhënës të dashur dhe shumë të nderuar!

Besim Perjuci: Mësimdhënës të dashur dhe shumë të nderuar!

E kam për nder dhe kënaqësi, por edhe obligim shoqëror e njerëzor, t’ju drejtohem nëpërmjet kësaj letre të hapur, me fjalën më të thjeshtë e respektin më të madh, para se gjithash si njeri e pastaj edhe si prind, koleg, mësues i dikurshëm dhe arsimdashës deri në fund të jetës, pa dashur t’ju mohoj të drejtat dhe kërkesat tuaja legjitime, për kushte më të mira jetësore e arsimore, pa dashur të ngris polemika me askënd e as dua t’ju shqetësoj për rrugën tuaj, për ecjen dhe vizionin tuaj të nisur drejt mirëqenies tuaj e të fëmijëve tanë, si truri i së ardhmës sonë. 

Po ashtu, nuk do t’ju flas as për shkollat që datojnë që nga koha e antikitetit në Epidaonus dhe Apoloni/shek.IV.para Krishtit/, as për shkollat etnike dhe mësuesit shqiptar të viteve 1258, 1266 dhe 1345 në qendrat Durrës, Tiranë, Ulqin, Shkodër e gjetiu, as për Universitetin e shek.XIV. në Durrës, si i pari në Ballkan, as për dy kolegjet e shek.XVI. të Shën Athanasit në Romë/1572/ dhe atë Ilirik në San Loreto/1580/, as për shkollat e hershme në trojet shqiptare, si ajo e Himarës /1630/, e Kurbinit/1632/, e Janjevës/1665/, as për Akademinë e Re të Voskopojes/1744/, por as për shkollën e parë laike të Korçës/1887/, e cila pati jehonë të madhe dhe ngjalli interes për hapjen e shkollave të tjera, nuk do të flas as për Kongresin e Manastirit/1908/ku u themelua alfabeti i sotëm i gjuhës, as për qindra shkolla turke, greke, bullgare e slave që kishin për qëllim jo arsimimin, po rrënimin dhe asimilimin e të rinjve shqiptarë, as për shkollat e para shqipe në Kosovë, as për vitet e katrahurta 1990-1999 të shkollave –shtëpi, as për vrasjen e 385 mësimdhënësve dhe më së 2000 nxënësve apo për 534 shkolla të djegura e të shkatërruara etj.etj. sepse të gjitha këto i dini si të përjetuara.

Por, thjeshtë desha t’ju rikujtoj edhe njëherë BETIMIN E MËSUESIT dhe figurën e madhe të MËSUESIT- simbolit kyç të arsimit, i fisnikëruar me virtytet dhe vlerat më të larta universale që njeh historia e kombit tonë. BETIMIN E MËSUESIT e nxora nga libri”Metodologji të mësimdhënies dhe mësimnxënies”të Prof.dr.Tahir Zajazit/fq.841.v.j./, autor i të cilit është Ernest Boyer, president i Fondacionit Carnegie për Progresin e Mësimdhënies të cilin e botoi në 9 mars 1984”Çështje të arsimit të përditshëm”, kurse e përdori në qershor të vitit 1983.

Pa e zgjatur, po e jap origjinalin e këtij shkrimi:

BETIMI I MËSUESIT

“Nëpërmjet këtij betimi unë afirmoj dedikimin tim ndaj profesionit të arsimit. Me këte pohim, unë përfshij detyrimet e mësuesve profesionistë për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme, për të ngritur kuptimin dhe kompetencën njerëzore dhe për t’ju sjell nder orvajtjeve të mësimdhënies dhe mësimit. Unë vetë i pranoj këto detyrime dhe do të jem vigjilent dhe i përgjegjshëm që edhe kolegët e mi t’i pranojnë e mbështesin ato. Unë do të jem i vëmendshëm ndaj përgjegjësisë për të rritur intelegjencën e nxënësve nëpërmjet një vazhde të disiplinuar njohurish. Do të jem i palëkundur për këte vendim, madje edhe atëherë kur të jem i dobët dhe i tundur për të abdikuar një përgjegjësi të tillë ose t’ua hedh fajin pengesave që e bëjnë detyrën të vështirë. Unë do të jem këmbëngulës në vendimin tim për të ngjallur respekt për një jetë plot studime dhe respekt për të gjithë të tjerët.

Për t’i kryer me besnikëri këto detyra profesionale, unë premtoj të punoj gjithmonë për një kuptim më të mirë të përmbajtjes sime, të praktikës sime udhëzuese e të studentëve që i nënshtrohen tutelës sime. Unë premtoj të kërkoj e të mbështes strategji, që nxisin cilësinë në mësimdhënie e në të mësuar dhe t’i organizoj të gjithë të angazhohen në arsimin dhe t’u jap mundësinë të arrijnë përsosmëri. Premtoj të matem me cilësitë që unë dua të arsimoj dhe të mësoj e të nderoj përgjithmonë në mënyrë demokratike të jetës, që s’mund të ekzistojë pa mendje të lira, të disiplinuara e të kulturuara.

Unë e di që me kohë përpjekjet e mia do të ofendojnë privilegjin e statusin, që do të kundërshtohen nga paragjykime e mbrojtës të pabarazisë dhe që unë do të përballoj argumente që kërkojnë të dekurajojnë përpjekjet e mia dhe të dobësojnë shpresat e mia. Por unë do të mbetem besnik betimit që këto përpjekje dhe ndjekja e këtyre qëllimeve do të më bëjnë të vlefshëm për profesionin tim të vlefshëm për një popull të lirë. 

Përpara këtij tubimi unë e lidh veten me këte betim”.

Autori i këtij teksti, Ernest Boyer mban bindjen se “profesioni i mësimdhënies do të përfitonte ndoshta nga një kod etik të ngjashëm me betimin që mjekët e bëjnë kur fillojnë profesionin”. Përndryshe, kodi i etikës kështu si e përkufizon Boyer, shpreh sensin e deduktimit, profesionalizmit që mësuesit, studentët, prindërit, kuadri pedagogjik, nxënësit dhe të gjithë të tjerët e ndiejnë betimin si një shtysë lëvizëse e të kuptimshme në ceremoninë e diplomimit(Myra & David Sadker, 1995).

Në fund dua të besoj e shpresoj në misionin tuaj të shenjtë dhe t’i flisni edhe njëherë zërit të mendjes e të arsyes për dritën e madhe me vlera të përhershsme, për amanetin e shpirtëzuar të qëndresave ndër shekuj, për hir të gjeneratave të reja e për t’u bërë nderi dhe krenaria e kombit!…

Ju priftë e mbara dhe paçi uratën e popullit e të Zotit në rrugën e gjatë të mësuesisë!

10.9.2022                                                                     Ju faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …