Fati i Sali Çekajt lidhej ngushtë me fatin, brengat, aspiratat e detyrat aktuale të popullit shqiptar për çlirimin e viseve të robëruara shqiptare. Me sjelljet e tij skofiare, ai ishte rrafshues dallimesh politike, partiake e kombëtare, kudo që pati nevojë. Edhe pse, fillimisht veteran i opcionit paqesor, vizioni i tij prej militanti e drejton kah zgjedhja e vetme e opcionit të luftës së armatosur për liri. Idealte, për të cilat ra heroikisht, u bënë frymëzim për bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë.
U lind në fshatin Broliq të komunës së Deçanit, më 22 qershor 1956, në një familje me traditë patriotike, e ardhur nga fshati malor i rrëzëbjeshkës së Strellcit. Prindërit e Salihut, Beqir dhe Nushe Çekaj, i patën gjashtë fëmijë: Muharremin, Hasanin, Musën (Xhemajli), Timën, Salihun dhe Smajlin. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike e përndjekjeve nga forcat policore të pushtetit serb, si kryengritës dhe strehues i grupeve luftarake të Rrafshit të Dukagjinit, fshati Bellë përjetoi ngjarje dramatike, shpesh edhe tragjike. Vetë gjyshit të tij, Dervishit, pas vrasjes mizore, iu prenë mustaqet dhe iu dërguan në kishë të Deçanit, për lëvdatë, që e kanë likuiduar një luftëtarë të rrezikshëm shqiptar. Familja e Salihut, nga Belleja, së pari vendoset në Tropojë, e prej andej në Broliq. I brumosur me idetë patriotike të gjithë brezave të familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, i dalluar me sukses të shkëlqyeshëm në shkollimin fillor, të mesëm e të lartë, në përgatitje politike e ushtarake në të gjitha fazat e zhvillimit, si dhe i frymëzuar me idetë e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, më vonë i rrethuar me shokë të idealit, mes tjerash me Adem e Hamzë Jashari, Zahir Pajazitin, Agim Ramadanin e të tjerë, Salihu nuk e pati të vështirë të gjejë rrugen e luftës për liri, me gjithë rreziqet, duke e lënë rrugën e paftyrshme të lëvizjes paqësore.
Shkollimin fillor e kreu në fshatin Prapaqan dhe në Kryshec, ndërsa fakultetin juridik e kreu në Prishtinë. Në komunën e Deçanit e kreu detyrën e gjykatësit, më vonë edhe të kryetarit të gjykatës komunale. Gjatë atyre viteve, ndodhin manifestime demonstrative antijugosllave në mbarë Kosovën, madje edhe në Pejë e në Deçan. Duke mps u pajtuar me dënimin e demonstratave, më 27 shtator 1990, Salihu përjashtohet nga detyra dhe mbetet i papunë, por veprimtarinë e vazhdoi me organizimin politik të kohës. Si i tillë iu besua detyra e kryetarit të Forumit Demokratik ndërpartiak në Komunë. Ndërkohë, në Deçan u formua edhe Shoqata e Pavarur e Juristëve, ku Salihu emërohet Kryetar i saj dhe kryetar i grupit kushtetues për komunën e Deçanit. Ai, bashkë me kolegë të tjerë, e hartoi statutin e komunës në bazë të Kushtetutës së Kosovës, e shpallur në Kaçanik, më 7 shtator 1990. Disa sish (Xhevdet Lataj, Esat Mushkolaj etj.), u burgosën dhe u dënuan, ndërsa Salihun e paralajmëruan, prandaj u detyrua të mërgojë. Por edhe atje e vazhdoi aktivitetin e tij politik dhe ushtarak për çlirimin e Kosovës, në drejtim të bashkimit të potencialit patriotik shqiptarë, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ushtarak. Pas të gjitha përgatitjeve paraprake, grupi prej 70 veprimtarësh, në tetor të vitit 1991, bashkë me patriotë të tjerë, filloi ushtrimet ushtarake në Burrel dhe në Dajtë, në mbikqyrjen stërvitore të eprorëve ushtarakë të ushtrisë shqiptare, ku u bënë përgatitjet solide të grupit të parë, e më vonë edhe të grupit dytë, e të tjerë me radhë, në mesin e të cilëve ishte edhe Salih Çekaj, i cili me të kthyer në Kosovë organizoi dhe koordinoi shumë aksione sulmuese kundër forcave serbe në Kosovë. Pas përgatitjeve disamujorëshe, 34 luftëtarë elitë, të uniformuar e të armatosur deri në dhëmbë, nën udhëheqjen e Salih Çekajt, në dhjetor të vitit 1991, e thyen kufirin shqiptar-shqiptar dhe depërtuarn në Kosovë. Armatimi u vendos në Voksh te familja e Sali Panxhajt, prej nga u bart në Pobërgjë, te familja Tolaj, në Beleg te familja e Saim Tahirajt, e prej andej në Broliq, në trollin e Sali Çekajt, ku deponohen 43 automatikë, municion e materiaj tjetër luftarak.
Së fundi, Salihu, bashkë me Agim Ramadanin, Rrustem Berishën, Anton Çunin, Abaz Thaçin etj., planifikoi strategjinë e kalimit të kufirit të mallkuar shqiptar-shqipar, detyrë e cila u krye me sukses, pas betejash të ashpra. Më 1991 Salihu mobilizohet dhe me një grup shokësh, ndër ta edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Saim Yahiri, Zymer Lulaj etj, gjithësej 44 veta, kur në Tiranë ishte formuar njësiti i parë ushtarak, i uniformuar me rreth 75 automatikë, kaloi kufirin dhe fillimisht armatimin e vendosi në Broliq, më 4 dhjetor 1991, për ta shpërndarë më vonë në pika të caktuara strategjike në Kosovë, me qëllim të parapërgatitjes së luftës së armatosur kundër pushtuesit serb. Pas një kohe, misioni i përsërit, pothuajse nga të njëjtët luftëtarë, ku tashmë në mesin e tyre ishin edhe veprimtarët që më vonë formuan bprthamat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Salih Çekaj, Zymer Lulaj, Saim Tahiri, Osman Ferizi, Ismet Avdullahu, Ismet Çeku, Zenun Idrizi etj.
Në mesin e viteve 90 të shekullit të XX, Salihu mori pjesë në disa aksione guerile kundër forcave serbe të stacionuara në Dukagjin, duke montuar esploziv, sidomos në kolonitë e refugjatëve serbë të ardhuar nga Shqipëria e fronti kroat e të vendosur në periferi të Junikut (tani “Lagjja Agim Ramadani”) dhe afër Sukës së Baballoçit etj., me qëllim të rikolonizimit të Kosovës. Këto aksione, asokohe shkaktuan pasiguri te kolonistët e te vetë regjimi pushtues serb.
Mp 1998, Salihu iu bashkua UÇK-së, ku fillimisht kreu detyrën e komandantit të Brigadës 134 të ZOD-it, por edhe detyra të tjera, si të furnizimit të saj me armatim e ushtarë të rinj, sudomos të ardhur nga Perendimi përmes Shqipërisë. Rol me rëndësi ai lujti në qendrat stërvitore dhe në shoqërimin e vullnetarëve për në Kosovë. Në fillim të Prillit 1998, Salihu me shumë vullnetarë dhe eprorë të tjerë, e theu kifirin e mallkuar shqiptar-shqiptar dhe hyn në frontin e Koshares, duke përjetuar thyerjen e kufirit të programuar kryesisht nga ai vetë, me Agim Ramadanin, Rrustem Berishën, Anton Çunin, Feriz Treshnjevën nga Tropoja etj., duke realizuar aktin e kryer për bashkimin e trojeve etnike.
Edhe pse në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave kishte qenë në pozitën e eprorit, ai u ristërvit dhe stërviti bashkëluftëtarët në Papaj, Bajram Curr, Viçidol etj.
Fillimisht kreu detyrën e komandantit të Brigadës 134, luftoi në betejën e Llukës, Logjës dhe të Koshares, ku ra më 19 prill 1999. Atë ditë heroike, ranë edhe: Aziz Gashi nga Malisheva, Afrim Stojaku nga Arbana e komunës së Prizrenit, Bejtë Kajdomçaj nga fshati Dedaj i Prizrenit, Hysni Temaj nga Kushnini, Ilir Hpxha nga Arbana e Prizrenit, Lenonard Paluca nga Klina, Fisnik Ibrahimi nga Sharri, Izet Morina nga Astrazubi, Luan Gashi nga Hoça e Prizrenit, Mejdi Korani nga Pozharani i Gjilanit, Fatos Limani nga Prishtina, Shefqet Mustafa nga Gllogjani i komunës së Deçanit, e të tjerë. U plagosën Bekim Zylfiu nga Krusha e Madhe dhe Basri Bajraktari nga Klina.
Dëshmori Sali Çekaj u varros në Bajram Curr. Pas lufte u rivarros në Koshare.
Sali Çekaj la bashkëshorten, Halën dhe fëmijët, Migjenin, Shpresën, Arbnoren, Hysenin e Donjetën, të cilët po rriten me krenarinë e veprës heroike të babait. Atij i është ngritur shtatorja në qendër të Deçanit dhe busti në Broliq.
Nga Krijimtaria e tij personale ka mbetur ditari. Ndërkaq, si relikte të tij ruhen uniforma ushtarake, arma, telefoni mobil, llap-topi dhe çanta personale.
Pjesë nga ditari i luftës.
Më 1.2.1999: “Musa Sadiku, Isuf Çetaj, Fazli Hasani, Sadri Morina, Adem Bajramaj, Abush Loku, u paraqitën vullnetarë në Babinë, në repartin ushtarak. Bashkë me Rrustem Berishën, komandanton e Brigadës 131, pasi u uruam mirëseardhjen, vullnetarët i njoftuam me organizimin e njësive operative ushtarake ne Papaj”.
Më 28.2.1999: “Së bashku me Agimin dhe Antonin, vizituam objektin nr.3, ku ishte vendosur një pjesë e njësisë vëzhguese dhe ku planifikohej të vendosej edhe një pjesë e shtabit komandues të njësive tona. Objekti nr.3 ishte ende duke u riparuar dhe mendohet se shumë shpejt do të rregullohet”.
Salihu ishte komandat me vizion dhe strategji të lartë ushtarake. Angazhimi i tij në fushën e komandimit, mobilizimit, stërvitjes, vëzhgimit e furnizimit janë tregues realë për rolin e tij dominant në jetësimin e idesë së operacionit me përmasa të gjera luftarake, sidomos në betejën e Koshares. Ai i ideoi operacionet e gjera luftarake të karakterit sulmues, duke filluar nga thyerja e kufirit, ide e cila u argumentua dhe u pranua, pos tjerash, edhe për peshën politike, jurudike, morale dhe ushtarake brenda opinionit të brendshëm dhe të jashtëm.