KKSB: Malisheva komunë e qetë dhe stabile në aspektin e sigurisë së përgjithshme

Situata e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Malishevës, është e qetë, stabile dhe pa tendencë të destabilizimit. Kështu është vlerësuar situata e sigurisë së përgjithshme nga ana e organeve përgjegjëse për siguri, në mbledhjen e rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i cili drejtohet nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. “Bazuar në të dhënat e raportuara nga ana e organeve përgjegjëse për siguri, duke filluar nga stacioni policor në Malishevë dhe organet tjera, situata e sigurisë së përgjithshme konsiderohet e qetë, stabile dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate. Po ashtu bazuar në të dhënat e shtabeve emergjente komunale, edhe situatat me pandeminë covid-19 dhe me EHKK janë stabile dhe nën kontroll dhe aktualisht kemi vetëm një rast aktiv me covid, ndërsa me EHKK, nuk kemi pasur asnjë rast të infektuar”, ka thënë kryetari Kastrati, në takimin e rregullt të KKSB. Togeri policor Zenel Halitaj, nga stacioni i policisë në Malishevë, gjithashtu e ka vlerësuar të qetë situatën e sigurisë së përgjithshme, dhe ka bërë të ditur se “krahasuar me vitet tjera, ka rënie të rasteve të veprave penale, siguria në trafik është shumë e lartë, si dhe ka rritje zbulimit të veprave penale dhe kjo falë bashkëpunimit të mirë me qytetarët”. Drejtori Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shqipron Shala, në raportimin e tij, ka njoftuar, se “deri në këtë periudhë kohore, nuk ka situata emergjente në fushën e zjarreve, përmbytjeve apo të natyrave tjera, në të cilat nevojitet ndërhyrja e njësisë së zjarrfikësve dhe shpëtimit”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …