Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se greva në arsim që duhet të jetë prioritet “po mjegullohet me retorikën e luftës”. Retorika e luftës, Kryeministër, përcillet me rreziqet që bart fillimi i psikozës së luftës, por te një pjesë shfaqet edhe me panik. Kujt i duhet paniku? Informacionet, nëse i disponon një kryeministër dhe shpalos nëpër media ndërkombëtare, janë të lidhura me detyrën, me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të kryeministrit. Por, publikimi i informacioneve të klasifikuara, përbëjnë vepër penale. Energjia, greva e mësimdhënësve, çmimet dhe inflacioni, papunësia, ikja e të rinjve nga shteti, mungesa e investimeve dhe projekteve kapitale, mungesa e perspektivës, investitorëve dhe investimeve strategjike, janë prioritete. Kryeministër, lufta ka përfunduar me fitoren tonë, jemi çliruar, kemi institucione shtetërore të sigurisë, të drejtësisë, këtë e kanë arritur gratë dhe burrat para jush. Të gjitha i kemi arritur në bashkëpunim me aleatët tanë. Këto i kemi arritur me përkushtim, me sakrificë dhe shumë mund. Gjetja e zgjidhjes për grevën e mësimdhënësve është prioritet. Nesër nxënësit duhet ta fillojnë mësimin, është java e tretë që presin këtë ditë. Ky prioritet nuk do mjegulluar me retorikë për luftën!
