Sa mallë kam, o bjeshka ime
për ato shkrepa, t’mbushur me pyje
pisha t’bukura, hije-m’hije
kroje t’ftofta, ujë freskie
stane t’drunit, me aq shije
koritë t’amli, mbi raftie
n’pocerk t’larme, ujë me pi’e
mazë e zime, mazë tepsie
leçenik e rrethenike
kabliç kosi, i nxanë pa hile
n’cedillë t’bardhë, varur në brij’e
kum’sht i kthjellët, si lëng dafine
mish i thatë me raki sh’pie
tinarë djathi, rend hijeshie
p’shesh i shijshëm, misërnike
çaj i malit, ç’farë mrekullie
boronicë, ilaç dashnie
mbledhë n’lugina, ndër shpatie!
Pak matanë, aty që moti
është liqeni i kthjellët si loti
me ujë t’ëmbël, dhuratë nga ZOTI
i’jep shpirtë, bag’tisë e robit!
Kroi i etheve, rrjedhë nga shkëmbi
vend i lutjeve, cak i fatit
thonë janë parë, Zanat e malit
t’uj kërcye, për’rreth zjarrit
e kur lodhen, t’uj hedhë valle
flejnë te breja qufurrake!
E livadhet, t’bukura e t’dlira
plotë me lule, ngjyra-ngjyra
ku kullosin, m’rizojnë bagëtia
bjen kumona, melodia
larg ndigjohet, pallja-blegërima
e përcjellë me hingëllima
ushton bjeshka, ndihet gjallëria
qeshë bariu, g’zohet baçica
buza-gaz, lozin fëmi’a
kjo është jeta, n’bjeshk’t e mi’a
e bekuar nga Perëndia!
Cerrovodë, bjeshka e Shatrit
trashëguar, nga ma i pari
amanet, çikës e djalit
ruane fort, si sytë e ballit!
Prishtinë, 15.09.2022