Luftimet dhe rënia në Petrovë, më 24 dhjetor të vitit 1949
Në një natë të zezë sterrë, dërmuar nga lodhje e mundimet gjysmë shekullore, Sali Rexha me çetën e tij, kishte pranuar të kaloj natën e ftohtë në një familje të fshatit Petrovë, në komunën e Shtimes.
Ishte hera e parë që largon pushkën nga trupi dhe e vendos varur në muri, por revolen nuk e heq nga brezi e as bombat që i mbante gjithmonë pranë. Edhe bashkëluftëtarët habiten me gjestin e tij!!! Po ai ua sqaron se pak po e bën këtë pasi kështu po e kërkon i zoti i konakut ama edhe sepse tani pushka po i rëndon më shumë në supe, sikur është bër më e rëndë.
Derisa Salihu e Rexhepi po i ngrohnin gjymtyrët e tyre të oxhaku, që thuaja nuk i ndjenin pasi gati ju ishin ngrirë nga i ftohti, papritmas, dëgjohet një rrëmujë, hapje e furishme e derës së konakut, drita verbuese të projektorit jashtë konakut dhe breshëri armësh. Saliu e Rexhepi sulmohen befasisht dhe tinëzisht në Shtëpinë që konsiderohej e Zotit dhe e mikut. As në këto momente nuk jepen por fillojnë të rezistojnë me armët që kanë afër, automatik, bomba dore e revole.
Pas një kohë, pushojnë armët pasi trimat bien në altarin e lirisë. Nezir Bujën paraprakisht e kishin kapur gjallë. Në kohën kur ai ishte dalë nga shtëpia e mikut të tij dhe ishte duke shkuar në konakun ku ishte Saliu me Rexhepin. Zekë Lumës i kanë humbur gjurmët dy tri ditë më parë.
Të nesërmen, trupat e pajetë të Sali Rexhë Ribarit dhe djalit të tij. Rexhep Salihut, i ekspozojnë në Lypjan. Përhapin fjalë se këta janë trupat e pajetë të një bande të vrarë mes vete dhe ftojnë qytetarët nëse munden t’i identifikojnë.
Ishte kjo edhe një djallëzi e UDB-së dhe regjimit shqiptar – vrasës të Titos e Rankoviqit sepse ata e dinin shumë mire se trupat e kujt janë por e bënin këtë për ta shkatërruar mitin e ndërtuar për Sali Rexhen dhe çetën e fundit të NDSH-së dhe për ta dërguar porosinë në popull se askush nuk do të mund ta sfidoj më regjimin Jugosllav. Shumë shpejt përhapet fjala se në rrethana misterioze është vrarë Sali Rexha me djalin e tij dhe se trupat e tyre janë ekspozuar buzë rrugës së Lypjanit.
Njerëz të shumtë shkojnë nga kureshtja të binden nëse është e vërtetë se është vrarë Sali Rexha. Një shpirtshitur, shkon dhe shkelmon kufomat e tyre. Ndërkohë, shkojnë e marrin djalin e tij, në burg djalin e Sali Rexhës, Ahmetin dhe e pyesin se a është e vërtetë se këta dy trupa janë ashtu sikur po flitet, të babës së tij, Sali Rexhës dhe vëllaut, Rexhep Salihut. Fillimisht, iu thotë se nuk i njeh se nuk janë trupat e tyre, rrëfente Ahmet Salihu, kur evokonte takimin e fundit me trupin e pajetë të prindit dhe vëllait të tij, dhe vazhdonte. Kjo i stepi UDB-ashët dhe shihnin njëri tjetrin me habi. Edhe të tjerët u habitën nga përgjigjja ime, shihnin njëri tjetrin. Por ndërkohë më ra ndërmend se nëse nuk e pranoj se ata janë trupat e babës dhe vëllaut, mandej do t’i varrosin ndokund pa shenjë e pa nishan. Ofrohem edhe njëherë, i shoh nga afër dhe i përqafova por nuk më lanë gjatë, më larguan nga aty dhe sërish më kthyen në burg, ku ishin edhe 10 kushërinj tjerë. Dhe kurrë nuk na treguan se ku i kanë varrosur trupat e tyre – rrëfente me dhimbje, mllef e krenari, Ahmet Sali Rexha. Ndërkohë, trupin e bashkëluftëtarit tjetër, Nezir Buja, udbashët e Titos e të Rakoniviqit, për javë me radhë, e dërgojnë nga njëri fshat me serb në fshatin tjetër për ta zbrazur mllefin e tyre shtazarak në trupin e tij që po jepte shumë pak shenja jete.
Shtator 2022