Në përditshmërinë tonë përdoret shumë fjala Oligark. Madje klasa politike shqiptare e ka këtë fjalë më të preferuarën për të goditur partinë në pushtet. Po kush janë oligarkët, çfarë përfaqësojnë ata?! Çfarë modeli ekonomik ka përqafuar Shqipëria pas viteve 1990? Cilat janë problemet e ekonomisë shqiptare sot? Disa nga këto pyetje do t’i gjeni në këtë bisedë me Prof. Vangjel Kicin…
-Sot flitet shumë për oligarkët. Kush janë dhe çfarë përfaqësojnë oligarkët në Shqipëri?
Tek ne flitet shpesh, se vendi drejtohet nga oligarkët. Pra, Shqipëria është shndërruar në një oligarkí (vend që drejtohet nga pakica e pasur). Më poshtë jepet shpjegimi, për ata që nuk e dinë, se çfarë janë oligarkët dhe çfarë është oligarkia? (marrë kryesisht nga enciklopedia amerikane Vikipedia).
Fjala oligark vjen nga greqishtja oligo = pak. Oligark është njeri i pakicës. Një oligark është një nga njerëzit e paktë të zgjedhur, që sundon ose ndikon mbi udhëheqësit në një oligarkí – një qeveri, në të cilën pushteti mbahet nga disa individë të zgjedhur, ose nga një klasë e vogël njerëzish të fuqishëm.
Oligarkia është një grup i vogël njerëzish, që kanë kontrollin e një vendi, organizate ose institucioni. Pra, oligarkia është një vend i qeverisur nga një oligarkí (pakica). Për shembull, oligarkia aristokratike angleze e shekullit të 19 (qeveri nga një oligarkí).
Oligarkët e biznesit pas – sovjetik përfshijnë të afërt ose bashkëpunëtorë të afërt të zyrtarëve qeveritarë, madje edhe vet zyrtarët e qeverisë, si dhe bosët kriminalë të lidhur shpesh me qeverinë. Kështu janë edhe oligarkët shqiptarë, pas vitit 1990. Shqipëria e sotme përfaqëson një oligarkí, domethënë vend i drejtuar nga oligarkët, që nuk mendojnë fare, as për atdhe dhe as për shumicën e popullit të varfëruar. Atdheu i tyre është xhepi i tyre!
Modelet e ekonomisë në vende të ndryshme nuk janë standart. Standarte janë llojet, por jo të njëjtat ekonomi janë përqafuar në vende të ndryshme të globit. Cilin model ka përqafuar Shqipëria dhe pse?
Siç e dini, ekonomia e tregut ka dy modele:
1. Ekonomia e tregut të lirë kapitalist ose neoliberalizëm (angl. Free market capitalism or neoliberalism). Ky model pasuron një grup të vogël njerëzish (oligarkët) dhe varfëron masën popullore. Ky model ka pasoja negative sociale, dhe ndonjë herë ka edhe dështime. Ky model i liberalizmit ekonomik përfshin privatizimin, globalizmin etj. Ky model ka qenë objekt i një debati thelbësor shkencor. Neoliberalizmi ka përkufizime të shumta dhe kuptime të ndryshme. Ai ka kritikët e tij. Neoliberalizmi ka forma të shumta (si kukudhi!!). Për fatin tonë të zi, klasa jonë politike, pas vitit 1990, zgjodhi pikërisht këtë model. Pse? Sepse donte të pasurohej për vete me anë të grabitjes dhe privatizimeve me korrupsion. Në Shqipëri u grabitën dhe u privatizuan të gjitha pasuritë kombëtare. Tek ne u bë privatizim ekstrem. Shteti shqiptar u shpronësua plotësisht. Ai është krejt i pafuqishëm, sepse kështu e duan armiqtë tanë!! Kjo nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës!!! U pasurua vetëm pakica (oligarkët). Shqiptarët mbetën pa atdhe. Pse? Sepse atdheu është toka, uji, deti, lumi, pylli, ajri, qielli…., por të gjitha këto i kanë marrë padrejtësisht pushtetarët dhe oligarkët. Prandaj, shqiptarët e mbetur pa atdhe, kanë marrë rrugët e botës. Ata po bredhin si çifuti nëpër shkretëtirë. A ka zgjidhje? Po, ka. Shqiptarët duhet të kërkojnë me forcë zbatimin e modelit të dytë të ekonomisë së tregut, Ky model vijon më poshtë.
2.Ekonomia sociale e tregut (angl. The social market economy). Është një model socio-ekonomik, që kombinon një sistem ekonomik kapitalist të tregut të lirë, me politikat sociale. Ky model krijon një shtet të mirëqënies për të gjithë shoqërinë. Ky model (modeli gjerman i Rinit ose modeli anglo-sakson) ofron mundësi të barabarta për të gjithë, dhe mbrojtje të atyre që janë të paaftë. Ky është kapitalizmi social. Shtetet, që zbatojnë modelin e ekonomisë sociale të tregut, i kanë të ruajtura të dyja format e pronësisë: Edhe pronën shtetërore, edhe pronën private. Ky model është si një kombinim i socializmit me kapitalizmin!!! Këtë model e zbaton Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, vendet nordike etj., që kanë mirëqënie të lartë. Ky model i duhet Shqipërisë!!!
Nafta pas sistemit monist
Gjatë regjimit monist, sektori shtetëror i naftës në Shqipëri u zhvillua në tërësi.
Pas vitit 1990, në sektorin e naftës u bënë privatizime. Vendburimet ekzistuese të naftës dhe të gazit u dhanë me koncesione (dorëzime) tek kompanitë e huaja. E gjithë Shqipëria, toka dhe deti, u nxorën në ankand (shitje në ankand) tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, gjeologëve shqiptarë iu hoq mundësia për të bërë kërkime nafte dhe gazi. Kjo politikë e mbrapshtë ekonomike vazhdon edhe sot, me qeverinë “Rama”. Kështu u hiqet perspektiva e zhvillimit ekonomik jo vetëm brezave të sotëm, por edhe brezave të ardhshëm, sepse nafta dhe gazi janë e vetmja pasuri, që mund ta zhvillojë ekonominë e Shqipërisë.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI