Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha gjatë një takimi të partisë së tij, Fidesz, se duhet të hiqen sanksionet që Bashkimi Evropian ka vendosur kundër Rusisë. Sipas gazetës pro-qeveritare, Magjar Nemzet, kryeministri hungarez i krahut të djathtë këto komente i ka bërë gjatë mbledhjes partiake që u mbajt më 21 shtator. Orban – lideri i vetëm i BE-së që mban raporte të mira me presidentin rus, Vladimir Putin – është një kritik i ashpër i sanksioneve që blloku ka vendosur kundër Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sipas gazetës Magjar Nemzet, Orban ka deklaruar se sanksionet e BE-së kanë rritur çmimet e gazit dhe inflacionit. Por, ai nuk ka treguar se ku i bazon këto pretendime. Ai po ashtu ka pretenduar se nëse sanksionet hiqen, çmimet e gazit do të binin menjëherë për 50 për qind dhe po ashtu do të binte edhe niveli i inflacionit. Gazeta raportoi se Orban ka thënë se pa sanksione, Evropa do të ishte në gjendje të shmangte recensionin, teksa ka përsëritur qëndrimin e tij se sanksionet po e dëmtojnë më shumë Evropën sesa Rusinë.
Kontrolloni gjithashtu
Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …