Deklaratë e përbashkët e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar – “Nderi i Kombit” dhe i Kryesisë së Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut.
Kohët e fundit një grup deputetë të Partisë Demokratike me në krye Enkelejd Alibeaj, nip i kriminelit, Isa Toska, kanë dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë për shqyrtim e miratim një projektligj, me anën e të cilit synojnë të mohojnë 50 vite Histori, kujtesë kolektive, ndërgjegje kombëtare, kulturë, art, shkencë, festa historike të popullit shqiptar etj., duke i etiketuar, sigurisht me mentalitet neofashist, vite dhe produkte të regjimit totalitar komunist! Synimi i këtij projektligji të tipit fashist nuk është vështirë të merret me mend: ai ka për qellim të ngjallë në publik ethet e urrejtjes, të hakmarrjes e të përçarjes, të krijojë destabilitet në vend, të minojë unitetin kombëtar dhe të njollosë e të shkatërrojë identitetin kulturor etnik shqiptar! Ky projektligj bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila u garanton të shtetasve lirinë e besimit, lirinë e ndërgjegjes, lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes dhe, po sipas kushtetutës, askush nuk duhet të dënohet për shkak të bindjeve të tij. Disa nga nenet e këtij projektligji hedhin poshtë Luftën e Lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare – veprën më madhore të popullit tonë, sepse, sipas tyre, kjo luftë paska qenë vëllavrasëse!
Në frymën e të ashtuquajturit Institut për dënimin e krimeve të komunizmit, u konsideruan kriminelë lufte komandantët e komisarët e formacioneve të mëdha partizane, madje edhe shumë nga Heronjtë e Popullit, ndërsa sot, ky projektligj parashikon të fshijë kujtesën më të lavdishme të popullit, me të cilën populli ynë krenohet, mburret para Evropës së qytetëruar. Shembulli i heronjve tanë është modeli i sjelljes dhe qëndrimit atdhetar për mbarë shqiptarinë!
Organizata e Veteranëve dhe e pasardhësve të LANÇ të Popullit Shqiptar – “Nderi i Kombit”, si dhe Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut e hedhin poshtë me neveri këtë projekt ligj që i paraqitet Kuvendit! Ne e konsiderojmë fyes për mbarë popullin shqiptar, sepse i mohon atij veprën më madhore: Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky projekt ligj, që i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim e miratim bie ndesh edhe me nderimin që Koalicioni i madh Antifashist Botëror i bëri LANÇ që në dhjetorin e vitit 1942. Fuqitë e mëdha të antifashizmit botëror e konsideruan zyrtarisht Luftën e Antifashiste e Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar pjesë të pandarë të luftës antifashiste botërore.
Veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre, si dhe të gjithë pjesëtarët e familjeve të Dëshmorëve të LANÇ e të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut kanë mbrojtur, mbrojnë e do ta mbrojnë deri në fund lavdinë e epopesë së shkëlqyer të çlirimit, duke e konsideruar këtë mision të shenjtë atdhetar. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në krahun e duhur të historisë, duke mos iu shkëputur atyre vendeve që luftuan e fituan mbi fashizmin. Antifashizmi është në themelet e Bashkimit Europian, ku aspirojmë të anëtarësohemi. Organizatat tona të lavdishme, masive dhe autoritare, kanë qenë e do të jenë kurdoherë në mbrojtje të vlerave të historisë së lavdishme, të letërsisë, të artit e të kulturës, duke i konsideruar këto thesare të paçmuara të popullit! Këto vlera kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë atdhedashuri dhe prosperitet.
Populli Shqiptar ruan një kujtesë kolektive të shkëlqyer, brenda së cilës është lufta për Pavarësi, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, si dhe lufta për zhvillim e demokraci. Çdo përpjekje tjetër e sajuar me projektligje të përgatitura enkas nga deputetë neoballistë synon shkatërrimin e kësaj kujtese, për ta lënë popullin tonë pa vlera, pa Heronj, pa art, pa kulturë, pa filma, pa këngë, pa valle, pa folklor, pa vepra arti vizual, pa ndërgjegje Kombëtare, pa festa historike!
Duke e hedhur poshtë me përbuzje projektligjin e paraqitur prej neoballistëve të ditëve tona, veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre, si dhe pjesëtarët e familjeve të Dëshmorëve të LANÇ e të Atdheut, kanë pranë edhe shumë nga shkrimtarët e artistët, intelektualët e njohur të vendit! Dëshirojmë e besojmë se kuvendi do ta injorojë këtë projektligj, që iu vihet përpara si një nismë e “vyer” ligjore! Jemi të sigurt që ky projekt ligj nuk do të kthehet në ligj!