- Sot u bënë katër javë që kur 320 mijë nxënës dhe 23 mijë mësimdhënës kanë humbur 23 ditë mësimi nga 185 ditë të vitit shkollor! Deri më sot janë humbur mbi 2.100.000 orë pune për mësimdhënësit e orë mësimi për nxënës.
- Një humbje e madhe me pasoja shumëdimesionale për shoqërinë dhe performancën pedagogjike të nxënësve! Dhe krejt kjo për një arsye të vetme: mungesën e një vullneti politik qeveritar për të ofruar një zgjidhje për mësimdhënësit! Është jetike për çdo nxënës dhe për gjithë Kosovën arritja e një marrëveshjeje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut!
- PDK ftoi debat parlamentar për të rikthyer nxënësit në mësim dhe për ndërprerjen e grevës, duke mbështetur një zgjidhje e cila është kalimtare! Ajo do të kushtonte më pak se 3 milionë euro në muaj për të gjithë mësimdhënësit, duke ofruar një rritje shtesë në përputhje me rritjen e inflacionit! Për të gjithë ata që janë në administratë zgjidhja do të kushtonte afërsisht 23 milionë euro. Ligji për Pagat është zgjidhja afatgjatë, e jo zgjidhja kalimtare! Por, rezoluta jonë dhe zgjidhja e sygjeruar nuk u pranua nga shumica në Kuvend. Jo për shkak të fuqisë së argumentit, por si refleks i nevojës për të nxjerrë jashtë inatin, të cilin e kanë brenda!
- Me kokëfortësinë e tyre, Qeveria dhe Kryeministri Kurti nuk po ofrojnë një zgjidhje kalimtare, sepse, jo pse ndjekin një politikë të kursimit, por sepse kanë një politikë të nënshtrimit! Problemi me grevën nuk është çështje e koprracisë financiare, por e mendësisë autoritare. Një mendësi e tillë nuk e sheh dialogun me SBASHK-un si platformë për zgjidhje politike. Ajo nuk i beson kompromisit si mënyrë për të zgjidhur problemet në demokraci, por i beson politikës së nënshtrimit.
- Ne kemi rritur pagat 85% gjatë qeverisjes sonë, duke rënë ndesh edhe me Fondin Financiar Ndërkombëtar! Nga ajo kohë, pagat nuk janë rritur më, por është rritur në mënyrë dramatike, të shpejtë dhe të vazhdueshme kosto e jetesës! Kjo kërkon masa në përputhje me inflacionin dhe duhet të ketë mbështetje shtesë për mësimdhënësit, duke mbrojtur dinjitetin e tyre!
- Është jetike që të ndalet fushata e egër dhe e strukturuar e denigrimit të figurës dhe personalitetit të mësimdhënësit. Ata po akuzohen dhe fyhen në mënyrën më të ulët që ka përjetuar ndonjëherë mësimdhënësi shqiptar në Kosovë.
- Një zgjidhje kalimtare, që është jetike, do ta tejkalonte grevën dhe bllokadën totale, duke i rikthyer nxënësit në shkollë dhe mësimdhënësit në punë! Është me rëndësi kompromisi i cili do t’i jepte fund grevës, duke e tejkaluar egocentrizmin dhe mllefin e papërkulshëm! Kjo zgjidhje politikisht ka qenë e mundur pa hyrë fare në grevë dhe sot është edhe financiarisht e mundur gjithashtu! Pritja deri në miratimin e Ligjit të Pagave është e papërballueshme! Ku ka vullnet, ka natyrisht edhe zgjidhje!”, ka shkruar Hoxhaj