24 vjet më parë, më 26 shtator 1998…!
Ata ishin 8 fëmijë, 6 vajza dhe dy djem. Fëmijë nga mosha gjashtë javësh deri në moshën 16 vjeçare. Po qëndronin të strehuar në malin afër lagjes Deliu, së bashku me familjet e tyre. U masakruan sepse kishin lindur shqiptarë, ishin pasardhës të shqiptarëve, dhe kishin emra shqiptarë, ky ishte i vetmi faj i tyre.
Diturija ishte gjashtë javësh, Valmiri sapo kishte mbushur dy vite jetë, Mendohija flokëgjata, ishte katër vjeçare, Jetoni ishte 10 vjeç që të katërt fëmijë të Imer Deliut.
Donjeta ishte 7 vjeçare, dhe motra e saj Gentijana, 8 vjeçare, të dyjat vajza të Hajriz Deliut, i cili u masakrua bashkë me vajzat.
Antigona ishte 14 vjeçare, ndërsa motra e saj Mihanja, 16 vjeçare, të dyjat vajzat e Hysen Deliut, po ashtu i masakruar atë ditë.
“…Është tepër e vështirë të shkruash biografi për personazhet e mira… kur në kokë e ke të ngulitur fundin e fatit tragjik të tyre, sepse, ja, papritmas vijnë kriminelët dhe prishin gjithçka… Eh! Biografitë e fëmijëve janë të shkurtra sepse jeta e tyre u shkëput ende pa u shkëputur nga lodrat, e ata që ua shuan jetën fëmijëve, në vend të fëmijëve paçin lodra…” shprehet Imer Deliu.
#Valmiri e çoi Kosovën në OKB, në Këshillin e Sigurimit ai ka ba nji Rezolutë nr. 1203!
Valmiri flijues me ‘cucllën’ e përgjakun krahaqafë, e ri zgjoi vullnetin tek krenat e NATO-s për me e mbrojte qytetnimin . Andaj për me u varrosë sopatat serbe u desht me u ba gati sopatat që bien nga qielli ‘Tomahawk” (idiomë sipas sopatave të indiane). Prandaj, që nga vdekja e Valmirit nën sopatën serbe, kjo shfaqje nuk u përket ma shqiptarëve por Zotnave; Të qiellit dhe Tokës! H.M
Sot, 24 vjet pas çlirimit, atdheu i Valmirit, i Diturijes, i Menduhijes, i Jetonit, i Donjetës, i Gentijanës, i Antigonës dhe Mihanës, është shtet i pavarur falë gjakut tuaj. Për çudi, në Kosovën tuaj, nuk ka asnjë emër rruge, asnjë emër çerdhje, asnjë emër shkolle, asnjë tekst poezie, asnjë këngë kujtimi, me emrat e juaj!
Asnjë institucioni shtetëror, nuk iu kujtua gjaku i familjes Deliu, që përmes emrave, të bartë tek brezat sakrificën e gjakut për liri dhe çlirim. Klasës politike kur iu duhet marrja e vëmendjes së opinionit vendor, për çështje vote, dalin në foltoren e Kuvendit të Kosovës, me foto të Valmirit!
Nesër, përkujtohet 24 vjetori i tre dëshmorëve te fshatit dhe masakrës mbi 23 anëtarë të Familjes Deliu, në Abri të Drenicës!
Pushofshi n ‘parajsë engjëj të atdheut!
I përjetshëm qoftë kujtimi për JU…!