Ata që na bëjnë detyrimisht të durojmë, krye-parët e shteteve anëtare të organizatës globale që quhet Bashkim Evropian, kthehen dhe na lavdërojnë për durimin që kemi, pasi edhe pse na kanë injoruar historikisht, sidomos prej vitit 2008 kur kemi shpallur pavarësinë e deri tani, aktualisht kanë filluar të na lavdërojnë, që jemi kaq të durueshëm, madje kjo disave ua ka humbur edhe durimin. Ky durim yni, autoritetet e BE-së i bën të arrijnë në përfundim se përderisa shumica shqiptare kanë durimin në gjene, mund të durojnë krejt derisa Serbia të pajtohet me lëshimet që do t i bëjë Kosova.
Eurodeputeti, austriak, Lukas Mandl, ka ripërsëritur qëndrimet e tij përballë BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai paska thënë se është duke punuar shumë në këtë çështje por ka edhe kolegë nga vende të ndryshme evropiane që janë duke punuar po ashtu shumë në këtë drejtim. Unë pothuajse kam humbur durimin dhe e vlerësoj durimin që kanë shumë njerëz në Kosovë sepse është stërzgjatur kjo çështje. Liberalizimin e vizave e meriton populli i Kosovës, por janë vetëm disa shtete anëtare të cilat akoma nuk janë bindur plotësisht për këtë ka thënë mes tjerash Lucas Mandl.
Disa nga zyrtarët e shteteve të Evropës mund edhe të habiten me të drejtë me durimin tonë kolektiv, për të cilin ne jemi, dhe nuk jemi sa duhet të vetëdijshëm. Mendoj se shumica, as ka qenë as është e vetëdijshme për durimin, të cilin e ka me bollëk dhe kurrë nuk i bëhet vonë.
Edhe ne kemi armën tonë jetike, që nga koha e skllavërisë së moçme dhe gjithandej shekujve të robërisë e durimit, sepse vetëm me durim kemi arritur këtu ku jemi, shtrirë me shpinë përtokë dhe me dy gishta përpjetë. Jetojmë në gjashtë shtete, në dy tonat, më të dobëtat e më të varfrat në Evropë dhe në katër shtete të gjitonëve tanë grabitçarë e vrastarë, të cilët falë durimit tonë as janë ngopur as po ngopen, sepse ata qenkan “të paqytetëruar e ne shumë të qytetëruar”, madje po të mos i thoshim vetes, me eufemizëm pozitiv jemi bij të shqipes, fare mirë do ta shkonte të pranonin se jemi bij të durimit, bijtë e qyqes, e cila nuk e rregullon dot çerdhen për zogjtë e vet, por vezët i leshin në çerdhet e shpendëve të tjerë.
Durimi, ka qenë dhe është arma e më e fuqishme e skllavit, dhe kjo në përgjithësi gjithnjë është çmuar nga padronët e të gjitha ish dhe tani regjimeve, globaliste, kapitaliste.
Durimi është fjala e parë e predikimit të çdo feje.
Këtu e gjen ngushëllimin shumica shqiptare.
Me durim dhe me kurriz të thyer arrihet gjithçka dhe krejt këtë që e kemi arritur do ta arrinim edhe “pa luftë”, por ja që historikisht del se kemi pasur disa të paduruar si Skënderbeu që nuk rrinte urtë e butë në Pallatin e Baba Sulltanit, dhe e gjeti belanë me të gjithë të vetët tok. Shumë të tjerë pas tij duruan, madje duruan me stoicizëm e përkushtim për Dovletin edhe kur ua shkurtonin kokat
Edhe ashtu ne do të kishin pritur 500 vjet, ashtu sikur edhe kemi pritur, realisht.
Po ashtu i padurueshëm ishte edhe Ismail Qemali, ishte beg i uruari, guvernator, pasha, por nuk rrinte rehat dhe na shtini në “zahmet” të madh, sepse edhe ashtu do të liroheshim nga Turqia.
I tillë ishte edhe Enver Hoxha. Duhej të rrinte urtë e butë ashtu sikur bënë ballistët, zogistët dhe krejt istët e tjerë.
Edhe ashtu, sot në Shqipëri, një pjesë të madhe të pushtetit e kanë mafiozët, ballistët, kolaboracionistët e Mussolinit dhe të Hitlerit, durimtarët e denjë të asaj fjalës së urtë puro shqiptare, “qengji i butë i thith dy nëna”. I tillë është edhe Sali Berisha, i cili desh u çmend kur mësoi lajmin se në Itali ka fituar zgjedhjet, Gjorgjia Meloni një idealiste fashiste, një mbesë ideologjike e Mussolinit.
Edhe ne në Kosovë, duhej të kishim pritur, krejt derisa të dorëzohej Serbia, pasi në krye kishim durimtarin më të njohur të kombit deri në ditët tona. Po na prishi punë Adem Shaban Jashari dhe UÇK-ja, të cilët u nguten, sepse me durimin tonë do ta kishim plasur edhe Serbinë deri tani, ashtu sikur i kemi plasur të gjithë pushtuesit.
Pikërisht, sepse jemi denbabaden bij të durimit “i kemi punët më mirë” se çdo popull tjetër.
Jetojmë të lirë e kënaqur, në gjashtë shtete dhe aq na bën.
Edhe Evropën një ditë do ta plasim me durimin tonë jetik, gjenetik.
Vetëm në një segment nuk kemi durim, nuk e durojmë dot njëri-tjetrin, por kjo nuk u shkakton dëm fqinjëve as “miqve” tanë, përkundrazi.
Unë, lugat si hij’ e trazueme,
Trashëgimtar i vuajtjes dhe i durimit.
Endem mbi bark te malit me urinë e zgjueme,
Dhe me klithma te pa kënaquna t’ instinktit. ( Migjeni)