Ferizaj shënoi 28 Shtatorin – Ditën e Dëshmorëve të Kombit

Lumë bashkëqytetarësh, mes tyre krerë politik e institucional, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familjarë të dëshmorëve, drejtues e përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në shënim të 28 Shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, bënë homazhe tek Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj. Me përkulje, buqeta lulesh të vendosura pranë varreve të Dëshmorëve të Kombit, u nderua jeta, vepra sublime dhe sakrifica e më të dashurve, më të ndriturve, Dëshmorëve të Kombit nga Komuna e Ferizajt. Pjesë e homazheve dhe aktiviteteve kushtuar kësaj dite, ishin edhe pjesëtarët e motoklubit “Veteranët e UÇK-së – Zona Operative e Neredimes”, të cilët me marshutën e tyre i dhanë begati kësaj ngjarje. Në aktivitetet pasuese për shënimin e 28 Shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, përkatësisht 24 vjetorit të Epopesë së Jezercit, u mbajt Akademi Solemne shoqëruar me program kulturor-artistik në Teatrin “Adriana”. Me fjalë të pranishmëve, iu drejtua i pari i Ferizajt, Agim Aliu. “Në këtë sallë, në ditën e 28 të muajit Shtator, në këto momente lavdie e krenarie, jemi mbledhur së bashku, në përkujtimoren e më të dashurve tanë, në nderim të jetës e sakrificës së Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt. Ky 28 Shtator, si e gjithë historia jonë, erdhi me sakrifica të shumta, me përpjekje shekullore për lirinë, me gjak të njomë djem e vashash, me kumtin e shumëpritur të lirisë. Vendi ynë, njohu agresorin shekullor më barbarin e këtij gadishulli, më ç’njerëzorin e më makabrin regjim fashizoid mbi kurrizin e shqiptarëve. Ishin ata, emrat e përndritur të Dëshmorëve të Kombit dhe gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë veprat e tyre që do të rrojnë sa jeta, është trimëria që bëri të shkruhet liria në faqet e historisë së shqiptarëve, ajo që nuk i trembi nga asgjë, as nga vdekja, as nga veprat heroike për tokën stërgjyshore. Djemtë e vashat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dëshmorët e Kombit dhe martirët nga Ferizaj, i dhanë trupit të Kosovës, gjakun e tyre, gjymtyrët e tyre, djersën e përpjekjen e pakursyer që ajo të frymoj e lirë. Sot, kudo mes nesh, gjejmë gjurmën e sakrificës së tyre të lavdishme. Gjejmë vetveten në shembëlltyrën e tyre për lirinë, gjejmë kuptimin e lirisë sonë. Janë të pavdekshëm emrat e dëshmorëve, heronjve e martirëve ashtu siç janë të pavdekshme veprat e tyre sublime. Lufta jonë çlirimtare u brumos me idealin e dëshmorëve, me sakrificat e panumërta të mijëra familjeve anembanë vendit, me trimërinë e pashoqe të luftëtarëve të lirisë, andaj sot, krenarë sa të jetë jeta, nderojmë heroizmin e tyre. Edhe ky përvjetor, po e gjen vendin tonë në mërzi e pritje. Janë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që po paguajnë sërish çmimin e lirisë. Ata po mbahen padrejtësisht në Hagë, duke vazhduar akoma edhe pas mbi dy dekadave, betejën e Kosovës për çlirim. Unë pata rastin t’i vizitoja çlirimtarët, ditë më parë në Hagë. Ata mbaheshin të fortë, krenarë, plot shpresë, e të palëkundur në bindjen e veprën e tyre për idealin që i shtyri në luftë çlirimtare. I pathyeshëm është ideali i lirisë. Dielli do të lind përsëri. Krenarinë nuk e mposht as ky gjykim absurd. Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojnë, drejtësia do të ngadhënjej pa më të voglin dyshim, siç liria për të cilën rrokën armët, erdhi plot gjak e sakrifica. Çdo shqiptarë e di të vërtetën, e përjetoi në lëkurën e tij robërinë serbe, barbarinë që nuk kurseu as gratë, pleqtë e fëmijët, andaj triumfi i çlirimtarëve tanë, është i pashmangshëm, ashtu si liria jonë tash e mbi dy dekada. Ecja jonë në rrugën drejt çlirimit, në mote kur kërcënohej ekzistenca jonë kombëtare, nuk ka sesi të quhet ndryshe, përveç se ngadhnjim i lirisë. Fitore që çeli një kapitull të ri për shqiptarët, në botën e lirë, mes të barabartëve, si çdo qenie njerëzore kudo. Andaj në këtë kuptim, janë të nderuar përjetësisht, vlerat që kemi trashëguar nga lufta çlirimtare, kujtimet e djemve e vashave liridashës që na mbajnë zemrën ngrohtë të gjithëve, shpresën e arritjen e saj tani. Ferizaj si edhe gjithë Kosova, kudo frymon tashmë i lirë. I falemi sakrificës së bijve e bijave tuaja, familje të dëshmorëve, veteranë e invalidë të UÇK-së, për këtë që sot gëzojmë të gjithë. Ferizaj sot, shkëlqen nën dritën e zhvillimit, ritmit të pandalshëm të përparimit të prekshëm në çdo sferë. Janë veprat madhore publike, është djersa e burrave e grave ferizajas, talenti i të rinjve, trashëgimia e pasur e brezit të moshuar, që bënë kthesën e trajektores së qytetit tonë, drejt epiteteve meritore – model zhvillimi e transformimi si dhe referencë e padiskutueshme e ekonomisë vendore, vlerëplote edhe në lëmi tjera të jetës. Tani, na mbetet detyrë e gjithsecilit prej nesh, të forcojmë e lartësojmë shtetësinë tonë, rendin e rregullin, ligjin e shërbimin për bashkëqytetarët tanë, ashtu siç ëndërronin dikur ata që nuk janë në mesin tonë sot, ashtu siç ia kemi borxh historisë, ashtu siç brezat do të na gjykojnë në të ardhmen. Ftohtë ndiejnë zemrat e gjithsecilit prej juve, pa praninë fizike të më të dashurve tuaj. Loti nuk ndalon asnjëherë. Por ama, krenaria ngre kokë gjithherë, për lirinë për të cilën ranë, për shpresën që mbollën me gjakun e tyre, për lavdinë që nuk e tret asnjë mot, sa të jetë jeta. Zemrat tuaja kanë ngrohtësinë tonë, ngrohtësinë e gjithë popullit që deshi e luftoi për lirinë. Andaj jini krenarë e të pathyeshëm, ashtu siç i dhatë zemër gjithë shqiptarisë, me bijtë e bijat tuaja, me shembëlltyrën e tyre fisnike, sesi vdiset për atdhe. Janë fjalët e dhembjes e krenarisë gjithmonë, ato që shoqërojnë përvjetorët e tillë, ditët që shënojnë kthesën e madhe për një komb, për një popull. Janë zërat që artikulojnë më së miri, gjakun që vlon në dejet e çdo shqiptari, është emblema që i jep zemër e jetë, brezave të tanishëm dhe atyre që do të vijnë pas nesh, është Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës, janë Dëshmorët e Kombit dhe martirët e rënë për liri, janë veteranët dhe invalidët e UÇK-së, rrëfimi ynë i përgjakshëm e krenarë për lirinë. Sa të ketë shqiptarë e sa të jetë jeta. Nderim e përkulje veprës e sakrificës së Dëshmorëve të Kombit. Lavdi gjakut të derdhur për liri!” mbylli fjalën e tij Kryetari Aliu. Në vijim të kësaj Akademie, të pranishmëve me një fjalë rasti, iu drejtua edhe Luan Jahiri nga OVL- UÇK në Ferizaj. “24 vite më parë kjo ditë u shënua me gjakun e Dëshmorëve të Kombit, sot është dita ku përkujtojmë Dëshmorët e Kombit të rënë në Altarin e Lirisë në Epopenë e Jezercit: vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu, por është edhe dita ku përkujtojmë të gjithë heronjët, heroinat e martirët që dhanë gjithçka nga vetja, i dhanë Kosovës jetën që sot ne të gëzojmë Lirinë. Dëshmorët e kanë dashur jetën, por për lirinë ata ranë në altarin e lirisë. Por të rënët kanë lënë të gjallët pas vetes për ta ndërtuar atë të ardhme për të cilën ata kanë dhënë jetën. Kosova e lirë ka marrë udhën e ndryshimit e përparimit, e në këtë udhë heronjtë skaliten edhe më thellë në ADN-në e shoqërisë sonë. Sot tek i gjithë populli i Kosovës frymon e rrjedh mosnënshtrimi, guximi e liria. Historia na sheh krenarë tash, në dekada, e do të na shohë me shekuj me radhë, sepse Lirisë sonë i dham kurorën e rinisë së mijëra bijve e bijave të kombit, e lajtëm me gjakun e pastër të dëshmorëve e martirëve të kombit, e lajtëm me sakrificën e gjymtyrët e shumë veteranëve/invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si gjeneratë jemi të bekuar që po gëzojmë ditët e lirisë, historia e kësaj lirie është histori ku brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, do të jetojnë me shëmbëlltyrën e Dëshmorëve, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e burgosurve politikë, sepse vetëm pasi që ata ranë, u dha shumë mund e sakrificë nga i gjithë populli, ne sot mund të jetojmë të lirë, të shkruajmë e kujtojmë histori, por edhe të përkujtojmë gjithë ata që kontribuan për këtë liri. Pa gjakun, punën, sakrificën dhe luftën që bëmë s’do të ekzistonte kjo liri, e as vetë jeta jonë” tha mes tjerash, Luan Jahiri. Programi për shënimin e 28 Shtatorit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, vijoi me aktivitetin e Motoklubit “Veteranët e UÇK-së – Zona Operative e Neredimes” në Jezerc, gjersa në ora 15:00 në Galerinë e Arteve, u mbajt aktiviteti letrar “Ora e Astritit”, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Astrit Bytyçi, organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Ferizaj.

Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …