Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar kërkesë për debat parlamentar lidhur me “mosrealizimin e projekteve kapitale për vitin 2022”. Kështu ka bërë të ditur në seancën e sotme të Kuvendit deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, duke shtuar se ende nuk ka ndonjë investim apo realizim substancial të investimeve kapitale që ndërlidhin qendrat e qyteteve. Sipas tij, nuk është parë asnjë investim kapital sa i përket investimit në kapacitetet e reja gjeneruese në fushën e energjisë. Para deputetëve, ai ka deklaruar Qeveria ka rreth 800 milionë euro në llogaritë bankare, që nuk investohen në projekte kapitale. “Ne sot kemi deponuar një kërkesë për debat për mosrealizimin e investimeve kapitale për vitin 2022”, është shprehur deputeti Mustafa.
