Adresimi në mënyrë të drejtë, çështja e Luginës së Preshevës, duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi. Jo të përdoret si instrument për lëshim pe ndaj veriut ose kushtëzime nën nocionin arkaik të reciprocitetit, por si nevojë që qytetarët e Luginës kanë për jetë shoqërore e politike, për mirëqenie e siguri. Për barazi.
– Që Lugina të pushojë së përdoruri politikisht, ajo duhet të përfundojë si temë. Ripërcaktimi i kufirit është zgjidhja e duhur politike dhe e vetmja që krijon kushte për marrëdhënie të tjera me Serbinë. Pa ndryshuar këto marrëdhënie, vështirë të mendohet për zhvillim e mirëqenie. Por për një fillim të tillë duhet shkëputje e thellë. E qartë. Pa nënkuptime. Ripërcaktimi i kufirit është rivendosje e raporteve tjera në mes vete dhe me fqinjët. Me të ardhmen dhe me historinë. Ky ishte vullneti i shprehur në takimet e zhvilluara në Luginë, me qytetarë, aktivistë dhe politikanë shqiptarë.
– Ndërtimi i autostradave, sidomos në kohë të vështirësive ekonomike e politike globale, duhet të racionalizohet në atë mënyrë që theksi të jetë tek nevojat e tanishme. Nëse ka një autostradë që duhet ta gëzojë statusin e urgjencës është ajo e Bujanocit. Pra, ndërtimi i autostradë së Bujanocit duhet të bëhet me shpejtësi e prioritet. Nga çka kemi parë, përditshmëria e qytetarëve shqiptarë në Luginë preket direkt nga ky investim.
– Të rritet ndjeshëm buxheti që qeveria e Kosovës ndanë për nevojat e Luginës. Ajo nuk duhet cilësuar si ndihmë, por si detyrë. Fuqizimi ekonomik e politik i Luginës është domosdoshmëri, ndërsa bashkimi me Kosovën zgjidhje adekuate për qytetarët e dy vendeve.
Çdo përpjekje që Lugina e veriu i Kosovës t’i lihen modeleve që ruajnë tharmin ndarës e konfliktin përbën material për keqpërdorim e instrumentalizim nga pushtetet autoritare.