Sa herë vjen 1 tetori, ringjallet me të drejtë kujtesa lidhur me përpjekjet paqësore për ta fituar lirinë, për t’u rikthyer në institucionet arsimore, nga ku na kishte përzënë Serbia e Millosheviqit, sot po ato shkolla e institucione të mbyllura edhe për shkak të veprimeve të pamatura të disa protagonistëve të protestave të atëhershme.
Një Tetori i vitit 1997, festohet në dy vitet e fundit shënohet si asnjë protestë tjetër e së kaluarës, madje më shumë se “Pranvera ’81” sepse për Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit shënon fillet e “Republikës së Tretë”, shënon kthimin e dinjitetit, të cilin shqiptarët e kishin humbur gjatë shumë shekujve nën robëri, por u rikthye më 1 tetor të atij viti, në një protestë paqësore, të cilën e rrahu dhe e përgjaku regjimi i Milosheviqit, nuk pati viktima, për dallim nga protestat e viteve të mëparshme e të mëvonshme.
Populli gjithnjë ka pasur e ka dinjitet, dhe nuk e ktheu dinjitetin një protestë e 1 tetorit, të vitit 1997 sikur ka thënë me mburrje e prepotencë, kryeministri, Albin Kurti, njëri ndër protestuesit, i cili për atë protestë nuk u dënua me burg, por u rrah nga policia, ashtu sikur u rrahën e u hoqën zvarrë edhe disa protestues të tjerë.
Protesta shumë më të fuqishme e të përgjakshme se kjo janë zhvilluar kudo në Kosovë, në vazhdimësi deri në kohën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Se 1 tetori ishte një protestë paqësore, të cilën e përgjaku regjimi serb i Milosheviqit, e deklaron edhe vetë Kurti kur thotë: “Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës ( protestat në shumës !) të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”. Kurti kishte deklaruar se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.
Kurti nuk do të dijë se heshtjen dhe frikën i kishte thyer, komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me trimat e tij, qysh në vitin 1991 me aksionet jo paqësore kundër milicisë serbe dhe ato kanë vazhduar deri në masivizimin e UÇK-së. Është tjetër “muhabet”, sesi politika pacifiste e kohës ishte distancuar nga veprimet luftarake të UÇK-së.
Mbivlerësimi i një proteste, në mesin e qindra të tjerave, shumë më të përgjakshme, është përpjekje për t u veshur me merita politike dhe për të shënuar ditën e lindjes së “Republikës së Tretë”.
Nuk e mohon askush se protesta e 1 Tetorit ishte një protestë më shumë në vazhdën e protestave të pandërprera, sidomos prej vitit 1981 e deri në vitin 1998, kur ato u zgjeruan krahas aksioneve të UÇK-së dhe daljes publik të saj, më 28 nëntor të vitit 1997.
Përpjekja për të përvetësuar ngjarje të veçanta, duke i ekzagjeruar, duke i paraqitur si të jashtëzakonshme, si protesta që paskan bërë kthesa, si protesta mbi të gjitha protestat, nuk i bën nder në radhë të parë protestuesve të asaj kohe, sepse ata e dinë fare mirë se sa protestues shqiptarë i ka vrarë Serbia deri në vitin 1998, sa mijëra të tjerë i ka burgosur, e dinë po ashtu se sa i ka rrahur më 1 tetor të vitit 1997. Por politika e gënjeshtrave dhe e kauzave mashtruese nuk ka nevojë për matematikë.
Nuk ka popull në botë pa dinjitet, po ka politikë, pushtet, regjim pa dinjitet.
Andaj duhet të jemi të përgjegjshëm, kur kërkojmë të vishemi me dinjitet, sepse dinjiteti i një populli, nuk është pronë individuale e akëcilit politikan. Kur bëhet fjalë për dinjitet, askush në historinë shqiptare të rezistencës paqësore aktive nuk ka pasur më shumë dinjitet, burrëri, trimëri dhe qëndresë sesa ka pasur, Adem Demaçi.
Një popull, i cili me shekuj ka luftuar kundër pushtimeve e robërisë, një popull që gjatë shekujve ka derdhur gjak, ka ruajtur gjuhën, traditën, besën, kulturën, rezistencën aktive, gjithnjë ka pasur, ka dhe do të ketë dinjitet. Dinjiteti i popullit kurrë nuk humb, për t’ia kthyer pastaj një individ, një ministër apo një kryeministër cilido qoftë ai.