leoni

Ylli Mece

YLLI MEÇE: MEDITIME PARAELEKTORALE.. PËR TË MOS HARRUAR DHIMBJET E PLAGËVE TONA

Në të vërtetë asnjë popull nuk e meriton që të vuajë, por për aq kohë sa ata ngelen robër shpirtëror të besimit të tyre të verbër, shkaktuar nga efektet ngazëlluese të fjalimeve të udhëheqësve të tyre dhe për më tepër kur dihet se këto fjalime, nuk janë gjë tjetër veçse referate premtimesh të lyera me solucion kokaine apo heroine. Por a është në gjendje populli t’i kuptojë. Është mirë që për ta vërtetuar këtë, mjafton të përdoret metoda e krahasimit. Nëse një herë e beson dhe zhgënjehesh, ja dhe herën e dytë e përsëri zhgënjehesh, në të pastajmen kush ta ka fajin or popull? Qeveria, Parlamenti, Presidenca apo e gjithë superstruktura e ngritur prej tyre? Për fatin e mirë por dhe për mjerimin e keq tonin, ne kemi patur një oligarki të njëjtë, me surrate të njëjtë, me kusëri të njëjtë me banditizëm të njëjtë, madje kaq orgjinalë kanë qenë ata në maskarallëqet e tyre, saqë jo vetëm se i kanë nxjerrë të palarat njëri- tjetrit, por me denoncimet e bëra nga ana tjetër kanë treguar dhe tregojnë se rruga e vazhdimësisë së tyre kriminale është e një trajtëshme dhe e pandryshuar, për të mos thënë se nga koha në kohë, ajo është rritur.

Figura të tilla si Berisha, Nano, Meta, Rama, Mediu e deri te Nardët, Dukët & Co. Tashmë janë bërë simbol i të keqes së dukshme te cilat nuk ka aspak nevojë të vërtetohet. Ngjarjet e rënda e deri në trauma tragjike me përmasa kombëtare, nuk janë rrjedhojë e veprimtarisë së popullit, por rezultate të një vije thellësisht anti-popullore, paçka se gjatë fushatave elektorale tunden e shkunden podiumet e mikrofonat bashkë me to dhe radio altoparlantët, të cilët dhe vet ata luftojnë me njëri tjetrin se kush duhet të ngjyroset ne mavi, kush në blu por që në fund ndodh, që populli të vishet në të zi. Për këta bastardë të politikës një pjesë e popullit fatkeqësisht ende marroset ndaj tyre, ata nuk lënë asnjë rast pa i çjerrë maskën njëri tjetrit ashtu sikurse putanat që kur grinden i numërojnë njëra tjetrës dashnorët hamshorë. Mos vallë ato gabojnë ? Jo as ata e as ato, nuk gabojnë. Veçse kur qetësohen bëhen përsëri shoqe e mike të mira. Kështu veprojnë dhe politikanët tanë. Le ta ilustrojmë me shembuj, a qëndrojnë këto përfundime apo jo?.

 Termin “Lil Floriri” në treg e hodhi për herë të parë vet Berisha, i cili ishte po ai që do të burgoste Nanon dhe do të ishte po ky Berishë, që për të do të fliste më vonë me superlativa si një politikan me integritet të lartë. Por aleanca dhe grykësia për pushtet dhe që i bën këta politikanë, pasanikër të mëdhenj, nga ana tjetër i bën po ata që ta kapërdijnë dhe turpin me bukë madje të mos e kenë për asgjë as dinjitetin familjar. Në përpjekjet e mundimshme të tyre për të formuar psh “aleancën e mjeruar Berisha – Meta”, le tu referohemi thënieve se ç’thonë ata për njëri tjetrin. Berisha dikur akuzonte Metën se kishte porositur jo vetëm vrasjen e dy deputetëve por dhe si një figurë tejet të korruptuar duke thënë: Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Meta si Ministër i jashtëm nuk e ka patur të drejtën për të negociuar me CEZ…

 I bëj thirrje prokurorit të përgjithshëm të nisë hetimet e menjëhershme, për të, për këtë aferë korrupsioni, në shkallë n/kombëtare.(2015) ndërsa Meta, nën trysninë e akuzave tronditëse, shantazhoi Berishën duke dhëna detaje mbi një video komprometuese të Shkëlzenit, djalit të ish-kryeministrit, kjo në Marsin e vitit 2015 ku Berisha i kërkoi Metës të dorë hiqej si një “kokë e qelbur e lidhur me krimin”. Në këtë rast të a kish të drejtë Berisha, apo ai fliste përçart? Nëse kishte të drejtë,si mundet që tashmë në 2022 kur ai rrezikon seriozisht ( dhe që unë nuk e besoj të rrezikojë, sepse dikur Amerika dhe Gjin Gjonin e shpalli “non grata”, por ja që Gj.Gjonit asgjë nuk i ndodhi), pra për Metën kur ai e shante, pse pikërisht tani flet me superlativa dhe deklaron se ai do të bashkëpunojë me të? Mos vallë hiena e rrëmbimit të pasurive të shqiptarëve ndërruan zanat, apo thjeshtë bojatisën lëkurën? Sigurisht që asnjeri dhe as tjetri nuk e kanë harruar “21 janarin.” Masakra e kësaj date, është pika më të lartë e dhunës shtetërore,mbas asaj të vitit 1997, që për të mbrojtur krimet e tyre shtuan dhe një krim tjetër edhe më të rëndë, duke përgjakur shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” me 4 dëshmorë të tjerë. Shkaku ish grykësia korruptive e Metës i cili kishte si mburojë një korrupsin tjetër po aq të madh, ai i Zenit të Berishajve. Ajo që rriti zemërimin popullor nuk ishte vetëm çështja e vjedhjes së 280 kg. floririt nga Meta, por dhe videoja e shfaqur në publik e Priftit. Ato janë provat më të pa kundërshtueshme ndaj tij, sikurse kanë qenë dhe akuzat që i bënin kandidatët për deputetë të LSI-së liderit të tyre i cili këmbente kolltukun e deputetit të kësaj partie me mijëra euro.

Po Meta me atë ecjen e vet prej rondokopi, si arinjtë e murrmë të Rusisë, çfarë ka thënë për Berishën? Pavarësisht se Lilua deklaron që Sali Berisha nuk ikën dot nga pushteti pa gjak, ai e harron atë që Salën e ka parë me sytë e tij se ai jo vetëm se nuk ikën nga pushteti pa gjak, por dhe pushtetin e merr me gjak sikurse tentoi në 1998-ten kur Nanua ja mbathi ne Maqedoni, duke imituar mbretin Zog, veçse “orëziu” Nano, iku “trok”pa një kacidhe, dmth ja mbathi pa flori. Nga ana tjetër, realisht kemi një Ramë kontradiktor i cili ç’nuk thotë për Berishën e teksa ky i fundit jo që kalon çdo kod etik, por shkon deri atje sa problemet që ka nevojë shoqëria i banalizon në mardhëniet familjare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, sapo shpërtheu Gërdeci, në vend që Rama të shkonte te familjet e viktimave që ranë për bukën e gojës ngushëllon milioner Berishën për shkatërrimin e aktivitetit të Zenit me një ortak manekin si Mediu dhe dikë tjetër nga USA, paçka se “enigma Trebicka” ngelet një ndër krimet më “mister” që lidhet direkt me familjen Berisha pa folur këtu për ngritjen e sistemit të piramidave, organizimin drejtimin dhe tendencën për të çuar popullin drejt një lufte vëllavrasëse.

Çudia më e madhe ish se askush nuk doli fajtor, askush nuk u vendos para drejtësisë, sepse përjetonim kohën e padrejtësive më të mëdha. Aktualisht në politikë, ende janë dhe përsëri do të jenë po ata aktorë, shkaktarë të tragjedive të popullit tonë. Në situatën kur në pushtet ndodhet një parti e cila në formë duket si më sociale , përfaqësuesi më në zë i tyre Rama, tashmë në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm akuzohet për korrupsion, apo më saktë si inkubator i krijimit të kushteve të mega përfitimeve nga ana e “beniaminëve” të tij, të cilët ai i ka nën patronazh, por dhe kur afrojnë zgjedhjet janë po ata që marrin peng Ramën dhe suitën socialiste nën patronazh për ta çuar atë drejt fitores, sikurse të njëjtën gjë bëjnë dhe partitë e tjera, të cilat aspirojnë për pushtet. Dhe është logjike, është kjo, pikërisht kjo parti e PPSH-së e konvertuar në PSSH nga e cila lindën burimet e gjithë fatkeqësive, fatkeqësi këto, të bekuar nga patriarku i tradhtisë më të madhe R. Alia.

Rama para gazetarëve dhe ekraneve të Tv, kur e pyesin për hemoragjinë kombëtare ngre supet e deklaron: “Po çfarë tu bëjmë, nuk i ndalojmë dot, sepse sot jemi në lëvizjen e lirë”.Jo Ramë aga jo, ti nuk e thua të vërtetën sepse është në kompleksitet e gjithë politika e juaj anti kombëtare gjatë gjithë tre dekadave që popullin shqiptar e kini braktisur. Për më shumë se tre dakada si rezultat i kësaj politike plagët e shoqërisë jo që nuk janë pakësuar, por janë shtuar. Kemi një rini që kërkon të marrë arratinë..Pse ? Kemi një Shqipëri me paga të shtresave në nevojë më të ulëtat e turpërueset ….Pse? Kemi një shtresë pensionistësh me pensione qesharake..Pse ? Kemi një drejtësi të korruptuar që ka frikë nga krimi Pse ? Kemi një kriminalitet që del mbi ligjin dhe është ai që vendos drejtësi..Pse ? Kemi ekonomi e cila sundohet nga bosët dhe tentakulat e oktapodëve gjakpirës po çuditim rajonin Pse ? Dhe sa e sa pikëpyetje të tilla rëndojnë e rëndojnë mbi kurrizin tonë ! Shoqëria jonë, realisht ndodhet në një amulli të pazakontë, ku krimi shtetëror me krimin e organizuar prej bandave kriminale, por dhe me krimin e thjeshtë ordiner të cilit ju u kini krijuar kushtet janë në harmoni me njeri tjetrin. E gjithë superstruktura e ngritur dhe shumica e deputetëve janë pjellë e juaj që ushqehen me gjakun e plagëve tona. Por sikurse thotë populli: ” Ky është stani i juaj dhe rrjedhimisht të tillë bulmet do të ketë”.

Problemi nuk është te ju, sepse ju jini të njëjtë, jeni ana e kundërte të njëjtës medalje që për fatin e keq populli im vazhdon t’ju besojë akoma, sepse shpreson se vjen një ditë që ujqërit me urtësinë e tyre mund të jetojnë mes qingjash, madje dhe me mëlçi në qafë po t’ia u varësh, nuk do e pranojnë, sepse duke qenë dhe ata në kope bashkë me qingjat, do të hanë bar. Por ja që ujku është ujk dhe dhëmbët i ka për mish dhe turinjtë për gjak. T’i ketë harruar këto fjalë të urta populli? Nëse votojmë krimin s’kemi pse të ankohemi se paskemi kriminelë. Ja zgjedhjet po afrojnë mos harrojmë thirrjet” O Sali o hero gjithë Shqipëria ty të do”“Ilir Meta,,Meta Meta vetëm ti je e vërteta” “Rroftë Shpëtim Idrizi dhe republika e çamërisë” !“Mediu…Mediu.. Mediu”( ore ne thamë se ai na iku por prapë na mbiu” Rama..! Rama… ! Rama ! (teksa tironsit që nuk e shqiptojnë dot Rama do bërtasin “Rroftë Roma” duke ekzaltuar kështu dhe ambasadorin italian). Dhe mbas zgjedhjeve futja gjumit o popull dhe kur të hapësh sytë mos u anko sepse ….ti që i zoti për asgjë nuk je mbaji në kurriz se mirë e ke! Thjeshtë ishte një kujtesë një meditim paraelektoral, për nesër.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …