Sot, më 10 tetor, anekënd botës shënohet Dita e Shëndetit Mendor. Kjo ditë me rëndësi të madhe për shëndetin e njeriut, ka kohë që shënohet edhe në vendin tonë. Mirë që shënohet por a është bërë sa duhet për mirëqenien psiko – sociale të njerëzve në nevojë!? A janë duke u përdorë qasje të mira ndaj personave që kanë vështirësi në shëndetin mendor!? Nga përvoja ime solide, kam përshtypjen se jo!
Jo pse punonjësit e shëndetit mendor nuk duan ta bëjnë detyrën e tyre si duhet por për shkaqe tjera dhe një nga to është dëshira për ta bërë heroin! Shumë herë më ka rastisur të habitem e të zhgënjehem dhe të dëshpërohem nga mënyra që kanë përzgjedhur punonjësit e shëndetit mendor për t’i trajtuar rastet e tyre. Në përpjekje për t’i ndihmuar këta njerëz, punonjësit e kësaj fushe iu kanë dhënë këshilla se çfarë duhet të bëjnë, si duhet të sillen, çfarë vendime duhet të marrin, gjë që ka pasur efekte të shpejta në jetën e atyre që kanë nevojë por në planin afatgjatë, kjo qasje nuk është aspak efikase, përkundrazi. Përmirësimi i shpejt i gjendjes së shëndetit mendor të kësaj kategorie, ka bërë që këta persona të ndjehen tej mase mirë dhe të falënderojnë pa masë trajtuesit e tyre për ndihmën e jashtëzakonshme që ju kanë dhënë dhe duke i parë ata si heronj të tyre. Duket se perceptimi dhe vlerësimi si heronj, i ka bërë të ndjehen tejet mirë punonjësit e shëndetit mendor dhe kjo i ka motivuar për të vazhduar me qasjen e tyre për ta bërë shpëtimtarin e njerëzve me vështirësi në shëndet mendor! Dhe kështu, ngadalë dal, fillon rrethi i keq vicioz. Njerëzit me vështirësi në shëndet mendor bëhen klientë të punonjësve të shëndetit mendor ndërsa këta të fundit çdo ditë e më shumë bëjnë shpëtimtarin e të parëve. Qasje tepër e gabuar me pasoja varësie për klientët. Është e kuptueshme dëshira e njeriut për t’u perceptuar dhe vlerësuar si shpëtimtar dhe hero i të tjerëve por a është humane kjo kur të tjerët i shndërron në klient dhe varës të shërbimit tënd!? Unë nuk e besoj se kjo është qasje e mirë dhe e dobishme por përkundrazi.
Sa herë has ose mësoj për punonjës të tillë, me dëshirë të pashuar për ta bërë shpëtimtarin dhe heroin e njerëzve me vështirësi të shëndetit mendor, më kujtohen ligjëratat e ekspertëve të nivelit botëror të shëndetit mendor, që bashkëpunonin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Divizioni i Shëndetit Mendor, sikur ishin Renos Papadopoulos, Kemail Kuscu, Anderw Cooper, Tobie Nathan, Natale Losi,… e shumë të tjerë dhe profesorët tonë universitar, Anton K. Berishaj, Nait Vrenezi, Shemsi Krasiqi, Naser Zabeli, Bektesh Bekteshi ( i ndjerë ), psikiatrat, Fahri Drevinja, Afrim Blyta, Valbona Govori...e shumë të tjerë që në çdo moment na qëndronin pranë dhe me dëshirën më të madhe na ofronin mbështetje, këshilla dhe na motivonin të bënim tutje në ofrimin dhe afirmimin e një qasje të re në fushën e shëndetit mendor që po etablohej në Kosovë. Esenca e kësaj qasje ishte qasja interdisiplinare në fushën e shëndetit mendor dhe mënyra e trajtimit të njerëzve që kishin nevoja. Ishte e jashtëzakonshme këmbëngulja e tyre që gjatë trajtimit të njerëzve që kishin nevojë, të gjenim burimet e tyre të forta, bashkë me ta t’i aktivizonim ato burime që ata të mos kishin më nevojë për ne por të mund t’ia dilnin vet mbanë, pa pasur nevojë për ne. Nënteksti i kësaj porosie këmbëngulëse ishte që të mos bënim heroin e as shpëtimtarin përball njerëzve që kanë vështirësi, por të angazhoheshim me tërë qenien tonë në gjetjen e burimeve të tyre, t’i aktivizonim ato dhe të bënim tutje në raste të tjera, që kërkonin ndihmë. Thjesht, ndihmë po – heroin e shpëtimtarin jo! Ishte kjo qasje e jashtëzakonshme dhe impresionuese. Nuk përshkruhet dot me fjalë kur njeriu që dje kishte nevojë për ndihmë nga jashtë, pas disa seancave, pavarësohej dhe ishte i gatshëm t’ia dilte vet. Ama jo fal një heroi që e ndihmonte nga jashtë, orë e çast, sa herë kishte nevojë, por fal zbulimit të burimeve që i gjente të vetja e tij, burime fal përdorimit të tyre, tani ai bëhej hero, jo vetëm i vetvetes por edhe të tjerëve!
Dhe kur kujton këto, nuk ke se si të mos revoltohesh tek dëgjon dërdëllisësit se si në Kosova është mbushur me analfabetë, që nga bankat shkollore deri në Universitet. Nihilizëm neveritës, i dëmshëm e i poshtër sa s’ka më. Dhe është çudi kur njeriu mëson mandej për notat e të tillëve që kanë marrë gjatë arsimimit të tyre – minimale!!!
P.s
Mbaj mend një bisedë me psikologun dhe profesorin universitar, Prof. Dr. Neki Junikun, gatë kohës së pauzës së ligjëratave që na i mbanin ekspert të shquar të shëndetit mendor, nga vende anekënd botës. Ai na pyet se si po kalojmë në ligjërata, a keni ndjesinë së po pajiseni me informata të reja e të dobishme për punën që ju pret!? A jeni të kënaqur me nivelin e ligjërimit!? Ia kthej se jemi shumë të kënaqur dhe të mahnitur nga përmbajtja e ligjëratave dhe mënyrës së ligjërimit, por, ia kthej, ne më të interesuar jemi të dimë se çfarë përshtypje kanë këta ligjërues për ne studentët?, a janë të kënaqur edhe ata me ne dhe angazhimin tonë!? A e kanë ndjesinë se ja ka vlejte të kalojnë mijëra km distancë për të ju mbajtur leksione studentëve të një vendi të shkatërruar, bërë shkrumb e hi nga lufta dhe që për 10 vite kanë qenë të dëbuar nga objektet shkollore e universitare!?
Dëgjoni me vëmendje, na përgjigjet profesor Juniku. Po e kuptoj shumë mirë hallin tuaj por nuk jeni në nivelin sikur po keni frikë se mos jeni. Më besoni se këta ekspert të shëndetit mendor, përloten sa herë bisedojmë për pjesëmarrjen tuaj aktive në ligjërata, pyetjet që parashtroni dhe vullnetin që keni me nxënë dije të reja dhe motivi që keni për të filluar sa më parë me punuar në fushën e shëndetit mendor!
Dhe për fat të mirë, në 7 Qendrat e Shëndetit Mendor, ankënd Kosovës, pjesë e tyre ishin edhe Këshilltarët Psiko – Social për Shëndet Mendor, të përgatitur nga Klinika e Stavistokut në Londër në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, respektivisht Fakultetin e Mjekësisë dhe Fakultetin Filozofik. Ishte një shërbim i ri, me një qasje të re që po ofrohej për herë të parë në Kosovë, në fushën e shëndetit mendor. Por krahas gëzimit, jo rrallë herë, kishte arsye edhe për dëshpërim, revoltim e zhgënjim kur shihje punonjës e ekspert të shëndetit mendor duke bërë shpëtimtarin dhe heroin e njerëzve që kishin vështirësi në shëndetin mendor.
Le të urojmë, që në të ardhmen, të shohim sa më pak punonjës e ekspert që në vend se ta bëjnë shpëtimtarin e heroin e njerëzve që kanë vështirësi në shëndet mendor, të angazhohen me tërë qenien në gjetjen e burimeve të tyre të strukura, dhe t’i mobilizojnë ato që këta persona të mos varen nga ndihma që vije nga jashtë por ta gjejnë heroin që është strukur diku në thellësi të brendisë së tyre.
Fatmir Graiçevci, këshilltar posiko –social për trajtimin e traumave dhe problemeve psiko-sociale në Kosovë