Dëshmorët e parë të Vërrinit: Ylber Fanaj, Albrim Fanaj dhe Nexhat Fanaj, në 17-vjetorin e rënies

Malësia e Vërrinit, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë dëshmorë e martirë. Kjo zonë malore e kufirit, që për afër një shekull i ndante mes për mes trojet shqiptare, në vazhdimësi ka qenë e përshkuar me ndjenjën e pashuar të lirisë dhe bashkimit kombëtar nga liridashësit e këas ane.

Albrim Zaim Fanaj, u lind më 13 gusht të 1978 në fshatin Vërmicë,  komuna e Prizrenit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Qysh në kohën e shtrirjes së UÇK-së në rajonin e Vërrinit, ai u kyç në radhët e çlirimtarëve të Kosovës në qershor të vitit 1998.

Ylber Zenel Fanaj, u lind më 29 gusht të vitit 1979, në fshatin Vermicë të Prizrenit. Edhe Ylberi së bashku me Albrimin, Nexhatin e të tjerë u kyç  në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në fillim të  zgjerimit të radhëve të çlirimtarëve  në këtë trevë të Kosovës.

Nexhat Qazim FANAJ, po ashtu  u lind në Vermicë, në vitin 1971. Edhe Nexhati ishte në radhët e atdhetarëve në Zvicër, të cilët punonin e vepronin në drejtim të intensifikimit të radhëve të UÇK-së. Ai ishte baba i dy fëmijëve, dhe sekretar i shoqatës atdhetare “GRYKA E LUMES”, dega në Lucern të Zvicrës. Me fillimin e luftës ai lë Zvicrën dhe kthehet në Kosovë, ku iu bashkohet luftëtarëve të Vërrinit.

Të tre këta trima çlirimtarë në fillim përbënin në skuadër luftëtarësh sypatrembur të Brigades 28, e cila me rastin e ristrukturimit të UÇK-së u quajt  brigada 128 e Zonës Operative të Pashtrikut. Luftëtarët: Albrim, Ylber e Nexhat Fanaj i takonin togës së Vërmicës. Fillimisht ishin angazhuar të përcillnin për në Shqipëri  luftëtarë të UÇK-së, nën përkujdesjen dhe vëzhgimin e komandantit Ruzhdi Saramati.

Një ditë në Vermicë erdhi një skuadër kufitare e ushtrisë serbe, pas saj një tjetër, dy, tre…dhjetëra e qindra ushtarë pushtues, me një vështrim tmerrues që kishin zënë pozicionet në shkurre e brigje, në gurina e pyje.  Duke parë nga larg lëvizjen e luftëtarëve të lirisë, ata, në gjuhën serbe u bëjnë thirrje luftëtarëve të UÇK-së për t’ u dorëzuar.  Pas britmës së serbëve, luftëtarët e lirisë, shkrepin një breshëri nga automatikët e tyre. Pastaj filluan luftimet e pabarabarta të luftëtarëve të lirisë së Kosovës kundër forcave shumëfish më të mëdha të armatës jugosllave.

 Pështjellim i plotë në radhët e armikut, ç’qe kjo? Nga erdhi? Kush qëllon? Pyetje këto që në shpejtësi vetime kaluan në mendjet e pushtuesve, njësitet guerile të UÇK-së.

Kjo britmë e luftëtarëve trima, Albrimit dhe Ylberit shpërtheu ne gjokset e skuadrës bashkuar. Armë të pa shkrehura një kufomë armiku, klithma, rënkim, lutje. Dhe ja në momentin kur skuadra serbe ishte në panik tek tërhiqej zvarrë, tek kodrina e staneve të Vërmicës, u duk skuadra tjetër serbe mire e armatosur, pastaj një skuadër tjetër me një oficer gjakpirës, forcat pushtuese serbe shtoheshin, ata vinin nga kazerma e Prizrenit me autoblinda, një veturë  me gjeneralin serb brenda.

Qëlloni mbi ta – porositi Albrimi,- kur të afrohen hidhni granatat dhe armët e tyre villnin zjarr e mbillnin vdekje. Qëllonin ata. Qëllonin, Albrimi, Ylberi luftëtarë të tjerë, qëllojnë luftëtarët e ushtrisë çlirimtare, pas çdo krisme një armik i vrarë a i plagosur, një armik më pak… Sokëllijnë malet, zjarri i armikut bëhet më i dendur. Nga karakolli mitralojnë duke qëlluar pozicionet e njësitit të UÇK-së, artileria e armikut qëllon e qëllon nga baza kufitare ku janë të pozicionuara forcat serbe, plumbat bien breshëri…po djemtë e Kosovës martire nuk mposhtën. Ra Albrimi dhe trëndafili i buzëqeshjes i ngriu në buzë, me shikimin nga tokat shqiptare. Ra Ylberi dhe lulekuqja i ngriu në fytyrë të çelur nur, me shikim nga ardhmëria e Kosovës… Ka vdekje e vdekje do të thotë poeti: Mund të vdesësh në shtrat, mund të vdesësh si hajdut, por lumë si ai që vdes nga flakët e luftës për një ideal të madh, për lirinë e Kosovës.( Avdi Ibrahimi)

Vërrini, kjo pikë e gjakut në gjeografinë e hartave të historisë së atdheut, është arena e të gjitha luftërave dhe përpjekjeve që i zhvilloi populli ynë në këto anë, gjatë shekullit që shkoi, kundër armikut dhe pushtuesit serb. Kosova, që tanimë kishte hyrë në vitin e dytë të vazhdimit të luftës çlirimtare kundër pushtuesit serb, në trupin e saj, Vërrinin e kishte plot e përplot plagë dhe gjak nga luftërat që u zhvilluan verën dhe vjeshtën e vitit `98, pa djemtë më të mirë të atdheut, si: Remzi Ademaj, Xhevat Berisha, Selajdin Berisha, Asim Berisha, Shefqet Berisha, Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Naip Berisha, Shahadin Berisha, Ibrahim Osmanaj, Nehat Berisha, Agim Shala, Besim Shala, Avdi Shala, Fatmir Berisha, Tamil Shala, Milaim Thaçi, Refki Shala, Fejsali Hoti, Astret Poniku, Arsim Poniku, Nesim Krasniqi, Hasim Maliqaj, Beamir Memaj, Ylber Fanaj, Albrim Fanaj, Nexhat Fanaj, Muhamet Shemsedini, Xhymret Shemsedini, Sabri Maliqi…, të cilët dhanë gjithçka nga vetvetja për atdheun dhe lirinë. Gjakut të derdhur të dëshmorëve në Vërri, ju bashkohet edhe gjaku i shumë martirëve të kësaj ane, që në mesin e tyre kishte edhe fëmijë, pleq e plaka, që u flijuan në votrat e tyre shekullore; Asllan Berisha, Izair Berisha, Bajram Thaçi, Mursel Halilaj, Skender Mehmedaj, Ogush Kryeziu, Qazim Poniku, Kadishe Berisha, Merxhan Shala, Myrvete Shala, Fatime Shala, Hate Shala, Xhemil Krasniqi, vogëlushi Arlind Kryeziu dhe Idriz Krasniqi. Por, kullat e Vërrinit nuk ishin mposhtur! Prapë se prapë tymojnë oxhaqet, tymojnë vatrat, frymon Kosova e lirë dhe e pavarur, amaneti i të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe amaneti i sa e sa brazave të atdhetarëve që luftuan e ranë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të Shqipërisë. ( Gëzim Ajgeraj)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …