Adil Fetahu

ADIL FETAHU: NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE NUK EKZISTON BAZA, KONCEPTI, AS SHPREHJA PËR TËRHEQJEN E NJOHJES SË SHTETEVE II

Llojet e njohjeve të shteteve të reja

E drejta ndërkombëtare njeh dy lloje njohjesh të shteteve të reja:

njohja de facto, dhe

njohja de iure.

Njohja mund të bëhet shprehimisht ose në mënyrë të heshtur. Njohja e bërë shprehimisht nënkupton njohjen në mënyrë formale, duke publikuar njohjen, me deklaratën e shefit të shtetit  apo shefit të diplomacisë që bënë njohjen, me notë diplomatike, apo përmes ndonjë marrëveshe (kontrate) shumëpalëshe të disa shteteve. Njohje e heshtur konsiderohet çdo akt normativ-juridik apo kontratë bilaterale me të cilën rregullohen marrëdhënie me shtetin e ri, poqese në marrëveshje (kontratë) nuk është vënë rezerva, me të cilën tregohet se marrëdhëniet e krijuara me kontratë nuk prejudikojnë njohjen e heshtur të pavarsisë. Këso rezerve në praktikë kanë vënë shtetet arabe ndaj Izraelit.

Njohja de facto nuk është njohje e plotë dhe definitive, por është e pjesëshme dhe (mund të jetë) e përkohëshme. Njohja de facto ka karakter të përkohëshëm (provizor) dhe mund të revokohet në çdo kohë, ndonëse kjo rrallë herë ndodhë, veçse shërben si një hap drejt njohjes de iure. Sidoqoftë, njohja de facto nënkupton një shkallë të lartë të pranimit politik të shtetit të ri me efekte juridike: lidhja e kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme nga fusha ekonomike, kulturore, njohja e pasaportave, e diplomave, çertifikatave,   lidhja e raporteve të caktuara (zyrat ndërlidhëse) sipas interesave politike pragmatike midis dy shteteve. Njohja de facto nuk nënkupton lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Njohje të tillë de facto ndaj Kosovës kanë edhe disa shtete të BE-së të cilat Kosovën nuk e kanë njohur de iure, si psh.Greqia, që ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë dhe i pranon pqsaportet e shtetit të Kosovës, Spanja, Çekosllovakia etj, të cilat i pranojnë pasaportat e Kosovës dhe zhvillojnë gara sportive me ekipet e Kosovës në kuadër orgnizatave sportive ndërkombëtare.

Për dallim nga njohja de facto, njohja de iure është njohje e plotë dhe e parevokueshme. Kjo përfshinë edhe krijimin e lidhjeve diplomatike me shtetin e ri, ndonëse lidhja diplomatike nuk është as kusht as e domosdoshmëri.

Dallimi midis këtyre dy lloje njohjesh konsiston në efektet juridike, në të drejtat dhe obligimet e shtetit të njohur në raport me shtetet e tjera të veçanta dhe në raport me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi.

Njohja e shtetit mund të jetë individuale ose kolektive.  Në shumicën e rateve njohja bëhet në mënyrë individuale: shteti ndaj shetit. Por ka edhe shumë raste kur njohja bëhet në mënyrë kolektive, nga ndonjë organizatë ndërkombëtare e shteteve, qoftë vetëm si njohje, qoftë me pranimin e shtetit të ri në organizatën ndërkombëtare. Pranimi i shtetit në OKB është njohje kolektive e anëtareve të KB,përveç atyre që e kundërshtojnë praniin dhe kanë qëndrim shprimor kundër njohjes.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk parashihet as përmendet tërheqja e njohjes

 

Nuk ka asnjë bazë,  asnjë kriter dhe asnjë rregull juridik që lejon tërheqjen e njohjes de iure, siç po vringëllojnë  zyrtarët e Serbisë me do tërheqje të njohjeve (çnjohje) të shtetit të Kosovës nga disa “banana republika” të Afrikës dhe Amerikës Latine. Tërheqja e njohjes së shtetit nuk përmendet askund si shprehje në të drejtën ndërkombëtare. Kjo është edhe për shkak se tërheqja e njohjes nuk e ndryshon asgjë gjendjen faktike as statusin juridik  të shtetit kundër të cilit është tërhequr njohja. Nëse vërtetë ato shtete njëherë e kanë njohur Kosovën, e pastaj sipas propagandës, gënjeshtrave apo premtimeve të diplomacisë së Serbisë e kanë tërhequr njohjen, tregojnë për joseriozitetin e tyre si shtete, të cilat nuk e njohin as e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është dashur të reagojë e të kërkojë sqarime nga ato shtete të cilat e kanë tërhequr njohjen, pa pasur asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë arsye nga shteti i Kosovës. Propaganda serbe i ka bindë ato se shpallja e “njëanshme” e pavarësisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shpallja e pavarësisë nuk ka qenë e njëanshme, por është bërë në  bazë të raportit të emisarit të Kombeve të Bashkuara (Marti Ahtisari), të pranuar nga KB,  ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vërtetuar se me aktin e shpalljes së pavarësisë, nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as Korniza Kushtetuese e Kosovës, që të dyja si akte ndërkombëtare, dhe nuk është shkalur asnjë parim i zbatueshëm i të drejtës ndërkombëtare.

Kosova duhet ta dinamizojë aktivitetin diplomatik për njohje të reja

Sipas raporteve të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete, të mëdha e të vogla. Tri prej  tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Njohja e fundit e Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si pjesë e Marrëveshjes së Vashingtonit, të 4 shtatorit 2020, kur edhe u caktua moratoriumi njëvjeçar i fushatës së Kosovës për njohje ose për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare,  si dhe i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Sipas propagandës së qeverisë dhe të mediave serbe, 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, dhe për këtë lavdërohet ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se të gjitha këto “çnjohje”, dhe vet futja e shprehjes “çnjohje” në të drejtën ndërkombëtare,  janë meritë dhe rezultat i punës së tij. Nuk ka dyshim se në fushatën e tërheqjes së njohjeve ka qenë e involvuar edhe Rusia në krah të Serbisë. Kurse Serbia me gënjeshtra, mashtrime, propagandë, premtime, dhurata, heqje të vizave, ndihma në bujqësi, dhurata të armëve, i ka mashtruar qeveritë e shteteve të brishta e jostabile të Afrikës dhe Amerikës Latine për të tërhequr njohjen e pavarsësisë së Kosovës. Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe kryetari Aleksandar Vuçiq, thonë se i kanë  në dorë edhe 4, respektivisht 7, e së fundi 8 nota të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por emrat e atyre shteteve nuk do i publikojnë nga frika se iu bëhet presion nga Amerik?

Sido që të jetë numri i tërheqjes së njohjeve, që siç e përmendëm më sipër, nuk ka asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare, tash është koha më e volitshme për diplomacinë e Kosovës  të tregohet pragmatike, vizionare dhe  ta dinamizojë aktivitetin e vet për të kërkuar njohje të reja. Tash  Rusia është shumë e zënë me agresionin e saj në Ukrainë, dhe ka humbur prestigjin e saj edhe te ato shtete ku ka pasur ndikim, po edhe Serbia  është njollosur dhe diskredituar si vendi i vetëm në Europë që është përkrahëse dhe aleate e ngushtë e Rusisë. Politika e jashtme e Kosovës, në këtë kontekst ndërkombëtar, duhet të jetë më e përqëndruar në kërkim të njohjeve të reja, se sa në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjeve tjera teknike, të cilat nuk prodhojnë asnjë rezultat për Kosovën, sepse edhe ashtu Serbia nuk i zbaton. Në këtë aktivitet, duhet diskredituar maksimalisht Serbinë, si shtet që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë dhe si faktor destabilizues në rajon, që paraqet rrezik për paqen dhe sigurënë në Ballkan e më gjërë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …