leoni

Kosova dhe Shqipëria me projekte të reja të përbashkëta në fushën e energjisë

Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të nënshkruajnë memorandumin, i cili do ti paraprijë një studimi të përbashkët të fizibilitetit për kapacitetet e përbashkëta gjeneruese  në fushën e energjisë, në mënyrë që të dyja vendet të harmonizojnë burimet në fushën e energjisë. Kjo është bërë e ditur në Expo Forumin me temën ‘Projektet kryesore, menaxhimi i modeleve të reja të sektorëve strategjikë Kosovë-Shqipëri, Alternativat Financiare në periudhat e post krizave”, që u mbajt të martën në Tiranë.

Më këtë rast ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, tha se energjia, infrastruktura dhe telekomunikacioni, si tri shtyllat bazë të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve po ecin drejt harmonizimit, i cili do t’i jap impuls pozitiv ekonomive të Kosovës dhe Shqipërisë që në një të ardhme do të luajnë rol të rëndësishëm në rajon.

Stavileci vlerësoi se në prag të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, në fushën e energjisë kanë shënuar hapa konkret, siç janë projektet Interkoneksioni 400kV, TAP-i dhe Bursa e energjisë, të cilat do të ndikojnë fuqishëm në harmonizimin dhe fuqizimin e ekonomive të dyja vendeve.

Ai ka bërë të ditur se Kosova është duke punuar me përkushtim që në pranverë të vitit të ardhshëm të nis projekti më i madh energjetik, ai i TC Kosova e Re, i cili do të sigurojë furnizim stabil me energji.

Kreu i MZHE-së, ritheksoi se Bashkimi Evropian vendet e Evropës Juglindore, respektivisht Kosovën dhe Shqipërinë i sheh si pjesë të projekteve më të mëdha në rajon, atë të transportit dhe të energjisë. Andaj, sipas tij, dy vendet të  mund të luajnë një rol vendimtar në platformën e tregut të përbashkët energjetik në rajon dhe më gjerë, i cili do të tërheqë edhe investimet, duke përmendur këtu edhe projektin e gazit.

Nga ana tjetër, ministri i Energjisë dhe Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri ka bërë të ditur se tashmë Shqipëria është në prag të inaugurimit të projektit më të rëndësishëm energjetik të dy vendeve, ai i interkoneksionit, si projekt strategjik, i cili do të ndikojë në lidhjen e të dy ekonomive.

“Ne po shkojmë në një stad më të avancuar, që është studimi i fizibilitetit në partneritet publiko-privat, apo me kapital më të gjerë privat, në mënyrë që të krijojmë një kapacitet të ri gjenerues, duke u bazuar në linjitin e Kosovës“, ka thënë Gjiknuri, i bindur se shumë shpejt të dy vendet do të jenë faktor energjetik në Ballkan dhe më gjerë.

Ai me tej ka bërë të ditur se tashmë Kosova dhe Shqipëria kanë aplikuar për fonde për të intensifikuar edhe me tutje projektet e përbashkëta energjetike, derisa është shprehur se kapacitetet energjetike që ka Kosova janë të rëndësishme për balancën energjetike të dy vendeve.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se diaspora shqiptare është e interesuar të investojë dhe se dy qeveritë duhet angazhuar që kapacitetin e diasporës ta shndërrojnë në një partneritet për fuqizimin e dy ekonomive.

Ndërsa, Gjergj Buxhuku, drejtor Gjeneral i Konfindustria, tha se hapat në të cilën po ecin dy vendet, përkundër krizës globale po prodhojnë ristrukturim të dy ekonomive që jep shpresë për të ardhmen e dy vendeve.

Ndryshe, ExpoForumi u organizua nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, në bashkëpunim me Federatën e Industrive të Shqipërisë–Konfindustria dhe CDO Albania, ndërsa përveç përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kompanive të njohura botërore të sektorit të energjisë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …