Avdullah Shukri Baftiu (20.3.1965 – 25.5.1999)

Avdullah Shukri Baftiu (20.3.1965 – 25.5.1999)

Avdullahu, lindi më 20 mars të vitit 1965 në fshatin Vatë. Ishte fëmija i katërt ndër pesë fëmijët sa u kishin jetuar prindërve, Bedrije dhe Shukri Baftiu.
Babai i tij me punën e pandërprerë fizike arriti t`iu krijojë kushte mesatare për jetë fëmijëve te tij. Ai e donte arsimin dhe i këshillonte bijtë të mësonin dhe të përparonin sa më shumë.
Nga jeta e rëndë në varfëri, ai u sëmur nga mushkëritë qysh në vitin 1970.
Në vitin 1971, Avdullahu filloi klasën e parë në shkollën fillore të cilën e kreu me sukses të shkëlqyer. Në shkollë fillore dallohej si nxënës i mirë dhe i shoqërueshëm. Ishte dalluar në sport (futboll, volejboll dhe në vrapim). Në vitin 1978 filloi mësimet në shkollën e mesme, në Kaçanik.
Demonstratat e rinisë studentore të vitit 1981 e gjetën në shkollën e mesme. Edhe pse i ri, Avdullahu së bashku me shumë nxënës mori pjesë në demonstratat që u zhvilluan në Kaçanik, duke qenë pjesëmarrës aktiv.
Këto ngjarje e frymëzuan në aspektin kombëtar, dhe qysh atëherë ai kishte filluar të kalitej edhe për ndeshje të tjera me pushtuesit e huaj.
Po atë vit i vdes babai. Në vitin 1981/82 u regjistrua në drejtimin “laborant i Biologjisë”, drejtim të cilën e përfundoi me sukses shumë të mirë, në vitin 1983. Regjistrohet në Fakultetin e Kulturës Fizike, ndërkohë që mori ftesën për ta kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas shërbimit në vitin 1985 i filloi studimet. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe me qëllim për të ndihmuan nënën dhe tërë familjen Avdullahu, në vitin 1987 martohet me Milikije Kolshin.
Prej asaj kohe, barra e familjes i bie mbi supe. Kjo ndikoi paksa edhe në studime, të cilat megjithatë arriti t‘i përfundojë me sukses në vitin 1989 kur kreu shkallën e parë e pastaj vazhdoi edhe shkallën e dytë të studimeve.
Në vitin 1992 u pranua në punë si arsimtar, në shkollën fillore “Ali Asllani” në Doganaj, ku dha mësim deri në vitin 1995. Ndërkohë pranohet në shkollën fillore “Kadri Zeka” të vendlindjes.
Avdullahu ishte shumë i afërt me nxënësit dhe kolegët. Mundohej që tërë dijen dhe potencialin që kishte t’ua jepte nxënësve të tij. Mori pjesë në demonstratat të cilat shpërthyen në vitet vitit 1989-1990 duke qenë njëri ndër pjesëmarrësit më aktivë.
Përcillte me shumë interesim zgjerimin e radhëve të UÇK-së dhe në shtator të vitit 1998, pas ofensivës së Jezercit, ai u inkuadrua në radhët e kësaj ushtrie së bashku me shokët: Muharrem Baftiu, Sherif Baftiun, Menduh Baftiun, Muhamet Malsiun, Ahmet Vishin, Rexhep, Naim, Ismet, Ramiz, Fadil, Izet, Vesel dhe Bujarin Baftiun e të tjerë.
Armët e para ky grup i mori në muajin tetor dhe prej kësaj kohe organizonin edhe roje. Avdullahu ishte i armatosur me pushkë snajper. Pas këtij organizimi të fshehtë, më datën 26 shkurt të vitit 1999 ky grup organizoi pritjen dhe bashkimin e ushtarëve nga fshati Doganaj, Sllatinë dhe Lirishte. Pritja e ushtarëve u bë prej orës 11.00 deri në orën 17.00. Në orën 19.00 këta ushtarë bënë sigurimin e rrugës për në fshatin Vatë, Nikaj, Biqec, Kovaqec, Kukaj, ku u takuan të gjithë ushtarët Kaçanikut. Pas darkës morën rrugën për në fshatin Gajre. Avdullahu, edhe pse i inkuadruar në radhët e luftëtarëve të lirisë punonte në arsim. Ndërkohë Avdullah Baftiu ndërpreu mësimin dhe iu bashkua radhëve të çlirimtarëve.
Në fshatin Gajre, luftëtarët e lirisë arritën pas mesnatës. Një kompani mbeti në këtë fshat, kurse pjesa tjetër shkoi për në fshatin Ivajë. Ditën e parë u bë organizimi i rojeve dhe caktimi nëpër pika. Më 28 shkurt në orën dy të mëngjesit arriti njësiti e Elezajve. Po këtë ditë, aty rreth orës dymbëdhjetë, në drejtim të këtij fshati qe nisur edhe policia serbe.
Avdullahu i pari i kishte vëzhguar terrenin, ndërkohë që i lajmëron bashkëluftëtarët e tij. Çlirimtarët u orientua për të zënë pozitat të cilat ishin caktuar më herët. Avdullahu me shokët e tij zë pozitë mbi rrugë në livadh mbi “Kthesë të Kepit”. Me të ishin: Menduh, Razim, Rexhep Baftiu, Nexhat Vishi, Zekerja Vishi, Januz Palloshi, Sami Malsiu dhe disa shokë të tjerë.
Pas krismave të mortajave, e cila u bë nga H. Hasaj dhe N. Hasaj ky grup filloi sulmin kundër forcave okupatore serbe. Deri në orën 17.00 e gjysmë Avdullahu, Menduhi dhe J. Palloshi nuk e lëshuan pozicionin, ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë u pozicionuan në pika të tjera.
Në këtë sulm të forcave armike ra dëshmor Hetem Hasaj dhe u plagosen Naser Hasaj, Bashkim Vishi dhe Ekrem Ahmetaj, si dhe një fshatar nga fshati Gajre. Gjatë tërë asaj dite pushka e Avdullahut dhe shokëve të tij nuk pushoi asnjë moment. Forcat okupuese pësuan humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në mjete motorike, ndërkohë që u vra edhe komandanti i tyre.
Rreth orës 20.00 në përfundim të ofensivës Avdullahu me shokët u orientua për në fshatin Ivajë. Pas kësaj ofensive, Avdullahu inkuadrohet në kompaninë, ku komandant ishte Feriz Guri. Gjatë kësaj kohe ai mori pjesë në ofensivën e parë të Ivajës. Pozicionet e tij, ishin mbi “seperacion” ku q’ndroi i pa thyeshëm edhe nga kjo pikë, pas ofensivës u kthye në fshatin e tij ku qëndroi deri më 13 mars të vitit 1999. Po atë ditë forcat serbe sulmuan fshatrat Bicaj dhe Rekë. Avdullahu u shkoi në ndihmë bashkëluftëtarëve dhe pastaj iu bashka kompanis së tij. Gjatë kësaj periudhe ai mori pjesë edhe në ofensivën e dytë të Ivajës e cila ndodhi më 24 mars.
Prej datës 25 mars pasi UÇK-ja kaloi në fshatin Zhark, Avdullahu edhe me tutje në cilësinë e snajperistit, në togun e vëzhgimit, kryente me përgjegjësi detyrën e tij.
Duke qenë se ishte arsimtar i kulturës fizike, ai i udhëhiqte edhe ushtrimet e mëngjesit me ushtarë. Pas një periudhe kohore, emërohet komandant skuadre, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi dhe përkushtim deri në rënie.
Më datën 25 maj 1999, në orën 3 të mëngjesit, në kohën kur ishte dhënë alarmi, Avdullahu së bashku me skuadrën e tij u pozicionua në kodrën e quajtur “Shtrëzoviq”. Pasi u caktoi pozicionet ushtarëve me zbardhjen e mëngjesit ai tashmë po vëzhgonte drejtë pozicioneve të ushtrisë okupatore serbe. Skuadra e tij vepronte në kuadër të togut të parë.
Gjatë asaj dite, filluan luftime sporadike, ndërkohë që Avdullahu qëndronte i pathyeshëm me shokët e tij. Në mëngjesin e hershëm, dy vëzhguesit Sami Malsiu dhe Zekerja Vishi morën detyrën për të vëzhguar në fshatin Nikaj me ç’rast bien në pritë të forcave ushtarake serbe. Avdullahu mbronte shokët nga pika e tij e vrojtimit. Gjatë konfrontimit me forcat serbe plagoset Zekerja Vishi. Ai pastaj me ndihmën e Samiut u tërhoq deri afër pozicioneve të Avdullahut, i cili me ushtarët e tij i jep ndihmën e parë.
Rreth orës 8 pas konsultimeve me komandantin e togës, së bashku me disa ushtarë tjerë merre urdhër që të kontaktojë me komandantin e Batalionit, e cila ishte e vendosur në lagjen “Zharka”, rreth 2 kilometra nga pozicionet e togës së parë. Avdullahu, duke konstatuar se luftimet zhvilloheshin me ritëm të shpejtë, i mori bashkëluftëtarët Razim Baftiu, Rexhep Baftiu, Nexhat Vishi dhe Sami Baftiu dhe shkoi në drejtim të komandës, Gjatë kësaj rruge, për shkak se forcat serbe filluan të godasin nga të gjitha anët, luftëtarët tanë të lirisë organizonin mbrojtjen njëri pas tjetrit.
Arritja në vendin e caktuar është bërë rreth orës 10.00 të asaj dite pas konsultimeve me komandantin e Batalionit dhe njoftimin e tij për ushtarin e plagosur, si dhe gjendjen e tij. Prej aty ai ka marrë instruksione që ushtari të mos bartet pasi të qëndroj aty. Ushtarët e tjerë u kthyen në pozicione ndërsa Avdullahu vazhdoi rrugën për të kaluar në pikën 2 prej nga forcat serbe shiheshin qartë.
Gjatë rrugës, në vendin e quajtur “Rrasat e Zharkut” has në forcat serbe dhe gjatë luftimeve ai ra heroikisht. Ofensiva zgjati deri në orët e vona dhe po atë ditë në të njëjtin vend ra heroikisht edhe komandanti i Kompanisë së Parë, Nazmi Osmani.
Pas ofensivës ushtarët i morën të dy dëshmorët dhe i barten në lagjen Zharku ku edhe ishin stacionuar. Në orën tre të mëngjesit bashkëluftëtarët i varrosën me nderime ushtarake. Rënia e komandantit të Skuadrës, Abdullah Baftiu i preku pa masë të gjithë ushtarët dhe oficerët e Batalionit të Parë.
Avdullahu pas vetes la bashkëshorten Milikijen, bijat: Fatbardhën, Kosovarën, Donjetën, Edoniten dhe djalin Edonin.
Trupi i dëshmorit është rivarrosur në varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Në vendin e rënie është ngritur pllakë përkujtimore. Në shenjë nderimi familja ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Zona e Neredimes, Komunës së Kaçanikut dhe brigadës 162 “Agim Bajrami”. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …