Gjykata Speciale e fton për intervistim edhe ish-eprorin e lartë i UÇK-së, në Zonën e Kaçanikut, Hajrush Kurtaj

Hajrush Kurtaj, përfaqësues i një epoke, pjesëtar i UÇK-TMK-FSK-së, i kësaj “Shëntrinie” kombëtare shqiptare

Hajrush Kurtaj është përfaqësues i një epoke, subjekt më rëndësi i sinkronit akronimatik, UÇK-TMK-FSK,  i kësaj “Shëntrinie”  kombëtare,  në kuptimin e idealizmit shqiptar gjatë shekujve.   Ky “nus” prodhim i epokës Ademjashariane, që kishte për bazë idealizmin kombëtar të Rilindjes, madje  kishte edhe shumë pararendës të tjerë, (por në observimet e studimet  e mia,  shekullin   njëzet e perceptoj  me tre emra epokalë, me Enver Hoxhën që i nxori shqiptarët nga errësira shekullore dhe i bëri evropianë të vërtetë, jo të markës  “Made in BE”, por të vlerave të revolucioneve që bënë kthesa epokale në Evropë e kudo në botë , pastaj me Adem Demaçin, i cili lidhi fijet e rezistencës aktive  prej NDSH-së e deri  te lufta e armatosur duke qenë nus prodhim i idealizmit “Vaso Pashë Shkodranian”, dhe, me gjak- firmëtari  më i madh dhe më idealist i kombit, Adem Shaban Jashari, i cili ndërroi epoka,  sepse ishte dhe mbeti  epokal, unik,  i pa përsëritshëm).

Paragjykoj se dikush sapo ka vërejtur emrin e Evner Hoxhës, do ta  injorojë shkrimin duke treguar injorancën e vet dhe për të tillët nuk më ha meraku, ndërsa jam fare i sigurt se ata që më njohin dhe i njoh,  do të kenë respekt për mendimin e vlerësimin ndryshe, sidomos kur flitet e shkruhet me gjuhën e fakteve,  pasi  pa kallashët, municionin, bombat, zollat, gulinovët  që i kishte magazionuar  Enver Hoxha në bunkerët ushtarakë të Shqipërisë Socialiste,  kurrë nuk do të kishim bërë luftë çlirimtare, sepse armët nuk mund  i kishim  marrë në Serbi as në Greqi dhe me siguri se nuk do të na i kishte dërguar, as Amerika. (Kur  të huajt e  kishin pyetur Enverin se çka i duheshin të gjitha ato armë për një shtet me vetëm dy milionë banorë, ai ishte përgjigjur: Armët na duhen për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për  këta të Shqipërisë, sepse jemi një popull me 6 milionë pjesëtarë).

Vitet e robërisë dhe durimit të padurueshëm kishin sheshuar një mjegullnajë te një pjesë e madhe e veprimtarëve dhe intelektualëve, të cilin ndodheshin në udhëkryq, por një pjesë e vogël militante kishte bërë punën e vet, duke u radhitur në hallkat e zinxhirit shekullor të rezistencës dhe në momentin historik kishin  shpërfaqur ADN-në e rezistencës dhe mbijetesës kombëtare.

Ata,  që nuk shihnin ëndrra pacifiste, se pavarësia një ditë do të sillej në  pjatë, me aeroplan nga Amerika, në Prishtinë, me kohë kishin lidhur fijet e shkëputura dhe iu kishin rrekur armëve me moton historike: “Liri a vdekje”. Ata kishin çarë kufirin shqiptaro-shqiptar dhe me armët që kishin sjellë nga Shqipëria iu kishin kundërvënë makinerisë më kriminale që ka njohur Evropa e viteve 90-të të shekulli 20-të. Sesa kemi pasur mundësi dhe sa iu kemi kundërvënë, në një segment  shkruhet edhe në këtë libër.

Në mesin a çlirimtarëve të ardhshëm, me kohë ishte  përgatitur, ishte radhitur edhe djalëria e Kaçanikut me rrethinë, në atë mes edhe veprimtari, ushtaraku, militanti i lirisë, pjesëtari i “shëntrinisë shqiptare”, Hajrush Kurtaj nga Gabrrica, fshat malor i  cili ndër  shekuj  ka qëndruar stoikisht përballë maleve  të Sharrit Plak, nëpër ecejaket e historisë  nga ku,  në nëntor të vitit 1443 kishte shtegtuar për në Krujë   i Madhi  Skënderbe me 300 kalorësit e lirisë. 

Hajrush Kurtaj

Edhe historia jonë më e re në natën e 9 gushtit të vitit 1998 do të ndalej në Gabrricë, në shtëpinë ku kishin lindur dhe ishin rritur  bijtë e Miftar Kurtit dhe bashkëshortes së tij, Nënëmadhes Emine: Hajrushi, Xheladini, Danushi, Afrimi dhe Raifi  për të shënuar një kapitull të heroizmit shqiptar…

Pas formimit të njësiteve të UÇK-së në zonën e Neredimes, Agimi Bajrami kishte marrë urdhrin që nga Krojmiri, në  Blinajë,  që i përkiste Zonës Operative të Pashtrikut, së bashku me njësitin e tij të kalojë në Jezerc. Më 9 gusht të vitit 1998, komandant “Zefi” së bashku me Xheladin Kurtajn dhe Besnik Beguncën, me detyra ushtarake nisen për në Kaçanik, dhe rreth orës një të natës arrijnë në fshatin Gabrricë. Nga lodhja e madhe, ulen për t’u çlodhur pak. Hyrja e tyre në fshat ishte vërejtur nga bashkëpunëtorët e policisë serbe. Në mëngjesin e atij 1o gushti, rrethohet fshati Gabrricë dhe shtëpia e Miftar Kurtajt, ku po i pushonin trupat,   trimat e lirisë, pas lodhjes nga ai rrugëtim i gjatë nga malet e Jezercit. Ata dëgjojnë krismën e pushkëve dhe zërin e kriminelëve e të tradhtarëve, të cilët u bënin thirrje për dorëzim. Trimat u zgjuan me të shpejtë, kurse në atë rast komandant “Zefi”, i djeg në mesin e dhomës të gjitha dokumentet e rëndësishme ushtarake, e bashkë me to edhe ditarin e vet të shkruar gjatë ditëve të luftës. Fillon një luftë e pabarabartë me forcat e pushtuesit serb. Lufta zgjati disa orë dhe tre luftëtarët e lirisë qëndruan heroikisht deri në fishekun e fundit, duke vrarë disa kriminelë serbë. Trimat nuk u dorëzuan për së gjalli dhe ranë në altarin e lirisë, ashtu sikur i kishte mësuar me shembullin e tij Legjendari Adem Jashari.  Heroizmi i këtyre dëshmorëve të parë të UÇK-së në këtë anë bëri që shumë të rinj të mobilizohen në radhët e saj. Më 11 gusht, të tre dëshmorët i varrosën në fshatin Gabrricë. Me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të Zonës Operative të Neredimes, më 27 nëntor të vitit 1998, njësiti i Kaçanikut merr emrin e Agim Bajramit. Brigada 162 “Agim Bajrami” e barti këtë emër me krenari dhe me nder deri në çlirimin e Kosovës.

Danush Miftar Kurtaj (8.3.1961 – 22.5.1999)

Dëshmori Danush Miftar Kurtaj

 

Xheladin Miftar Kurtaj (20.4.1976- 10.8.1998)

Dëshmori Xheladin Miftar Kurtaj

Shtëpia e Miftar Kurtajt dhe e familjes së tij, në Gabrricë, po  atë ditë u shndërrua në Peimont të Zonës së Kaçanikut e të luftës së UÇK-së, në përgjithësi.

Kishin rënë: Agimi, Xheladini e Besniku por ishin ngritur si rrufe dhe  deri në fund të luftës kishin luftuar pandërprerë: Qamil Ilazi, Hajrush Kurtaj,  Hetem Hasaj, Naser Hasaj, Remzi Krraba, Xhelal Gashi, Ahmet Krasniqi, Feriz Guri, Nazmi Osmani, Izahir Troni, Haki Troni, Shefket Troni, Heset Malsiu, Bashkim Vishi, Nazim Terziu, Fadil  Çaka,  Muhamet Zeneli, Rrustem Dema, Ilaz Ceka, Shefket Kuka, Kemal Thaçi, Ejup Runjeva, Shaqir Kuka, Milaim Loku, Xhemajl Krivanjeva, Azem Guri, Muharrem Ahmetaj, Sadik Çallaku, Vehbi Koraqi, Hajrulla Shehu, Misim Sopa, Xhabir Elezi, Musa Zenuni  e shumë të tjerë.

Libri më i ri i autorit, Hajrush Kurtaj: “Kontributi i femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në Kaçanik dhe në Han të Elezit 1998-1999”, është në vepër e veçantë sa i përket përmbajtjes, sistemimit dhe mbarështrimit të lëndës, por edhe faktit se trajton një tematikë specifike, e cila ende është në fillimet e saj, sepse kontributi historik që ka dhënë femra shqiptare ndër shekuj është temë mbi temat, e cila ende nuk është gjurmuar, studiuar dhe prezantuar, në nivelin që e kërkon kjo tematikë.

Në këtë libër studimor, Hajrush Kurtaj i ka dalë borxhit, femrave, në veçanti nënave të dëshmorëve e martirëve, motrave, nuseve e bijave të tyre, në rrethim e Kaçanikut e të Hanit të Elezit.

Dikush edhe mund të thotë se rezistenca ka qenë gjithë-popullore, dhe nuk ishte vetëm mërita e femrave, por e vërteta  qëndron në faktin se autori i librit ke vërejtur me kohë  që bota e meshkujve, sado e kulturuar dhe e emancipuar qoftë, megjithatë e ndien superioritetin e muskujve, sidomos ndër ne shqiptarët, ku Kanuni i Lekës dhe fetë në veçanti femrën shqiptare  e kanë trajtuar si skllave dhe si gjini që duhet t’ i nënshtrohet burrit.

Në historinë shqiptare prej kohës së Mbretëreshës Teutë dhe në shekujt në vazhdim  kanë qenë disa femra shumë të njohura, por bota femërore përgjithësisht ka qenë e nënshtruar, pavarësisht rasteve. Vetëm në kohën e regjimit socialist në Shqipëri, prej vitit 1945, por edhe  në trojet shqiptare të mbetura nën Jugosllavinë Socialiste, ndërron pozita e femrës, në mënyrë rrënjësore, duke e shpallur ligjërisht të   barabartë në jetë, aktivitete  dhe në të gjitha segmentet e jetës së organizuar shoqërore.

Kjo e vërtetë e madhe sa Malet e Sharit nuk ka si mohohet, sepse nuk mbulohet dot dielli me shoshë. Këtë të vërtetë e ka prezantuar me përkushtim në librin e tij, “Kontributi i femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në Kaçanik dhe në Han të Elezit 1998-1999”,  Hajrush Kurtaj, jo duke ndarë rolin e femrës në luftërat çlirimtare dhe veçmas në Luftën e UÇK-së, por duke u thelluar në  kontributin e saj të veçantë, në radhë të parë si nënë, e cila është gjenetikisht më e lidhur me bijtë e bijat e saj, sesa janë baballarët. Edhe kjo është një e vërtetë e natyrës së femrës, jo vetëm ndër ne po kudo ndër popujt e kombet e botës.

Autori i librit, ka bërë një punë kolosale në prezantimin e rolit dhe kontributit të femrës në këtë pjesë të Kosovës, jo sepse kjo trevë dallohet më shumë se të tjerat në këtë segment, por  ai ka hulumtuar, sistemuar e realizuar lëndën, në territorin që e njeh më së miri dhe të cilit i takon dhe  për të cilin disponon aq shumë fakte e dëshmi. Ky fakt është një sfidë për studiuesit dhe hulumtuesit e tjerë, sepse nënave, bashkëshorteve, motrave, bijave nuk iu dalim dot prej borxhit, pasi ende nuk kemi arritur një nivel të duhur të “emancipimit mashkullor”, për shkaqe që nuk do të merren në shqyrtim me këtë rast.

Hajurush Kurtaj, ashtu sikur e ka mësuar artin e luftës nëpër akademi ushtarake, ashtu sikur e ka vënë në jetë atë art me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë dhe në ballin e luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, në përudhën e pas luftës i kishte vërë  vetes për detyrë, të  bëhet edhe kronist i saj, madje këtë e kishte projektuar dhe iu kishte përmbajtur edhe gjatë luftës, duke ruajtur tërë materialin ushtarak-luftarak, duke kërkuar nge eprorët dhe ushtarët e caktuar që të shënohen ngjarjet, të filmohen, të fotografohen, në mënyrë që ato fakte ta dëshmojnë luftën tonë të drejtë dhe të natyrshme kundër robërisë, luftën që çoi në çlirimin e vendit edhe me përkrahje ndërkombëtare, luftë e cila solli edhe Pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Libri, “Kontributi i femrës në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në Kaçanik dhe në Han të Elezit 1998-1999” përveç lëndës dokumentare shkrimore është i mbushur me foto autentike të kohës së luftës dhe të pas luftës, është ndoshta libri ndër të vetmit ku është prezantuar një lëndë tejet voluminoze faktografike, e cila dëshmon vizuelisht atë që është shkruar, duke dyfishuar dëshmitë, duke  përmbushur kërkesat e metodologjisë së punës së mirëfilltë shkencore, pasi libri përgjithësisht i përket publicistikës shkencore, ndërsa autori iu ka përmbajtur me besnikëri një metodologjie të tillë.

 …

Kronologjia e përmbajtjes akordon me temën e shtjelluar me profesionalizëm, në sinkroni dhe diakroni,  duke filluar që nga kapitulli i parë, – nënat e heronjve dhe të dëshmorëve, për të vazhduar me të dhëna të mjaftueshme për -vajzat dhe gratë që kanë marrë pjesë në luftën e UÇK-së të kësaj treve historikisht kryengritëse, jo vetëm të Kosovës,  duke vënë në spikamë sidomos -heroizmin e nënave.

Pastaj autori ka prezantuar biografitë e plota të katër heroinave të UÇK-së,  të Brigadës 162, Agim Bajrami të Nën-zonës  Operative të Kaçanikut  dhe Hanit të Elezit: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Lika.

Kapitulli vijues me foto, – emrat e mbiemrat e nënave të dëshmorëve e heronjve, pastaj – emrat dhe mbiemrat e bashkëshorteve të dëshmorëve e heronjve dhe në fund, albumi me fotot, që padyshim është më i pasuri dhe më reperezentuesi në një libër me vetëm 230 faqe.

Hajush Kurtaj është në vlugun e krijimtarisë, edhe pse deri tani  ka botuar disa vepra të suksesshme, sidomos për luftën e UÇK-së në Nën-zonën e Kaçanikut e të Hanit të Elezit  dhe me siguri se nuk do të ndalet, pasi ka për çka të shkruajë. Nuk mund të jetë indiferent frymëzimi kur nga Kulla e heroizmit në Gabrricë shikon Malet e Sharit Plak dhe pjesën më të madhe të Zonës së Kaçanikut heroik…

Pres edhe suksese të tjera  nga Hajrushi dhe të gjithë luftëtarët e lirisë që merren me këtë segment të krijimtarisë, publicistike,  por edhe letrare e artistike.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 10. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …