Sot, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ia ka adresuar një letër avokuese për buxhetin për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe për Qendrat për Punë Sociale (QPS) Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Drejtorit të Departamentit për Punë Sociale dhe Familjare, Mentor Morina.
Në mёnyrё qё tё sigurohet trajtimi i dinjitetshёm i viktimave tё dhunёs me bazё gjinore, nё pajtim me kornizën ligjore, RrGK ka kërkuar nga qeveria që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të rrisë buxhetin e alokuar për QPS-tё, në koordinim me komuna, nё mënyrë qё tё ngriten kapacitetet e tyre duke i funksionalizuar qendrat ashtu siç ёshtё e pёrcaktuar nё kornizёn ligjore pёrkatёse dhe programin e qeverisё si dhe kёto ndryshime, tё reflektohen nё amendamentimet e planifikuara tё Ligjit pёr Financa tё Pushtetit lokal. Po ashtu është kërkuar që të ngrisё buxhetin e alokuar për QPS-tё në kategorinë Paga dhe Mëditje (rreth 456,000 €) në mënyrë që të punësohen tё paktёn dy punëtorё socialë më tepër në çdo komunë, dhe tё njejtit të fokusohen vetёm nё trajtimin e rasteve tё dhunës me bazë gjinore. Është kërkuar edhe që të krijohen fonde emergjente nё Policinë e Kosovës dhe nё QPS me qëllim tё plotësimit tё nevojave emergjente tё viktimave gjatё trajtimit tё rasteve tё dhunës.
Letrën e plotë avokuese mund ta lexoni në vijim:
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
I nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuar Drejtor i Departamentit për Punë Sociale dhe Familjare, z. Mentor Morina,
Raportimet e rasteve tё dhunёs ndaj grave dhe vajzave, nё veçanti ato tё dhunës seksuale, janë nё rritje e sipër. Sipas Institutit tё Mjekësisë Ligjore, 85% e viktimave tё dhunës seksuale nga viti 2019-2021 ishin tё mitura. Qeveria aktuale e Kosovës e ka pёrsёritur disa herё se mirëqenia sociale është një nga prioritetet kryesore të saj, përfshirë edhe në programin e saj qeverisës. Ndërkaq, shërbimet sociale, e përkatësisht mekanizmat koordinues lokal për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të operojnë në kushte të vështira.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon të fuqizohen mekanizmat koordinues lokal për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave të dhunës me bazë gjinore, konkretisht, qendrat për punë sociale në bazë të obligimeve të Qeverisë ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në favor të zbatimit të Konventës së Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (SKMDhFDhG), Ligjit për Mbrojten nga Dhuna në Familje, dhe Programit të Barazisë Gjinore.
Sipas Ligjit Nr. 02 L-17 për Shërbime Sociale dhe Familjare, Qendra pёr Punё Sociale (QPS) si institucion publik i nivelit komunal ёshtё kompetent pёr mbrojtjen e tё gjithё qytetarëve nё nevojë pёr shërbime sociale. Nё kёtё aspekt, QPS-tё janё pёrgjegjёse pёr mbrojtjen e fëmijëve, e rrjedhimisht edhe për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga të gjitha format e dhunës deri nё riintegrimin e tyre nё shoqëri. QPS-tё kanё rol thelbësor nё parandalimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e viktimave tё dhunës, sidomos për fëmijët vajza. Mirëpo, bazuar nё hulumtimin e RrGK Nga Ligjet ne Vepra, QPS-tё nuk kanë buxhet apo kapacitete tё mjaftueshme tё operojnë detyrat e tyre, tё përcaktuara me kornizën ligjore të Kosovës. Si pasojё:
· QPS-ve u mungojnë burimet njerëzore për të menaxhuar të gjitha rastet që u janë caktuar;
· Meqenëse u mungojnë burimet njerëzore, menaxhimi i rasteve nga punëtorёt social ёshtё i dobët, e njëherit shpesh shtyen gratë dhe fëmijët të kthehen në ambiente të dhunës;
· Infrastruktura e dobët krijon pamundësi për të monitoruar mirëqenien e fëmijëve dhe për të siguruar një mjedis të sigurt për të ndihmuar viktimat;
· QPS-ve u mungon hapësira e mjaftueshme dhe qasja në transport të besueshëm, për të arritur me kohë tek viktimat, seancat gjyqësore apo për t’i realizuar vizitat sipas detyrës.
Meqenëse buxheti për QPS-të ekzekutohet sipas kërkesave buxhetore të komunave, rol shumë të rëndësishëm në fondet për këto institucione luan edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Sipas Ligjit Nr. 08/L-066 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, nuk ka ndonjë linjë specifike për financimin e QPS-ve, mirëpo ekziston një linjë për Politikat Sociale dhe Shërbimet Sociale për secilën organizatë buxhetore në nivel lokal nga e cila financohen edhe QPS-të.
Buxheti total i alokuar për shërbime sociale nga të gjitha komunat është 8,013,787 € me një mesatare prej 222,605 € dhe me një medianë 95,600 €. Nga ky buxhet, 2,785,522 € janë të alokuara në kategorinë e buxhetit ‘Paga dhe Mëditje’. Duke marrë parasysh se janë rreth 464 të punësuar nëpër komuna për shërbime sociale (mesatarisht 13 për komunë), punësimi i të paktën dy punëtorëve më tepër në çdo komunë, specifikisht për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje, do të kushtonte gjithsej rreth 444,000 € më tepër në vit për Qeverinë e Kosovës. Idealisht, komuna më e madhe në territorin e Kosovës, Prishtina, ka nevojë për dyfishin e shumës që do të ishte rreth 12,000 € më tepër në vit.
Në mёnyrё qё tё sigurohet trajtimi i dinjitetshёm i viktimave tё dhunёs me bazё gjinore, nё pajtim me kornizën ligjore, RrGK kёrkon nga qeveria që:
· Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të rrisë buxhetin e alokuar për QPS-tё, në koordinim me komuna, nё mënyrë qё tё ngriten kapacitetet e tyre duke i funksionalizuar qendrat ashtu siç ёshtё e pёrcaktuar nё kornizёn ligjore pёrkatёse dhe programin e qeverisё; tutje, kёto ndryshime, tё reflektohen nё amendamentimet e planifikuara tё Ligjit pёr Financa tё Pushtetit lokal;
· Të ngrisё buxhetin e alokuar për QPS-tё në kategorinë Paga dhe Mëditje (rreth 456,000 €) në mënyrë që të punësohen tё paktёn dy punëtorё social më tepër në çdo komunë, dhe tё njejtit të fokusohen vetёm nё trajtimin e rasteve tё dhunës me bazë gjinore;
· Tё krijojё fonde emergjente nё Policinë e Kosovës dhe nё QPS me qëllim tё plotësimit tё nevojave emergjente tё viktimave gjatё trajtimit tё rasteve tё dhunës.
Ne gjithashtu bëjmë thirrje për përfshirjen e vazhdueshme të linjës buxhetore, veçanërisht për strehimoret, si ofruese shërbimesh të licencuara që ofrojnë shërbime të kërkuara nga Konventa e Stambollit.
Shpresojmë se këto kërkesa do tё pёrkthehen nё veprime konkrete me qёllim tё mbrojtjes së grave dhe vajzave nё Kosovё.
Ne jemi të gatshme tё takohemi për të diskutuar nё detaje këto rekomandime.
Sinqerisht,
Igballe Rogova
Drejtore Ekzekutive
Rrjeti i Grave të Kosovës