Dy shtetet më mëkatare ndaj shqiptarëve në përgjithësi, Franca dhe Gjermania nuk pritet ta zgjidhin çështjen shqiptare, sepse edhe nëse pranohet një zgjidhje me një afat të caktuar për Kosovën, problemet e shqiptarëve në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Greqi, do të mbesin po ato. Dhe, një fakt është më se i sigurt se pa zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare në Ballkan kurrë nuk do të ketë paqe as stabilizim të rajonit.
Edhe çështja serbe dhe ajo boshnjake do të zgjidheshin në të njëjtën kohë. Dihet historikisht se serbët në Bosnje janë popullatë shumicë dhe autoktone të paktën prej shekullit nëntë të epokës. Kjo çështje ndërlidh edhe atë boshnjake-myslimane bashkë me Sanxhakun, që tani për tani me shumicë numerike të banorëve është e lidhur me Bosnjën, më shumë sesa me Kosovën, e cila nuk ka pretendime ndaj Sanxhakut, por me të drejtë kërkon vetëvendosje, në atë rajon aktualisht të sunduar nga Podgorica dhe nga Beogradi. Më e drejtë do të ishte të krijohej edhe një shtet të ri në Ballkan, nëse arrihet pëlqimi për lëvizje të kufijve mbi parimin etnik, e cila do të ishte zgjidhje e përjetshme që d0 ta stabilizonte rajonin përgjithësisht.
Shqiptarët, duket sikur i kanë falur krimet monstruoze, që i kanë kryer fqinjët kundër tyre, që i ka shkaktuar Evropa e Rusia prej Luftërave Ballkanike 1912-1913, pastaj Luftës së Parë Botërore, 1914, Luftës së Dytë Botërore 1941 e cila rikonfirmoi kufijtë e vendosur me forcë duke lënë të ndarë shqiptarë në pesë shtete. Është e vërtetë se ish kancelarja e Gjermanisë, zonja Angela Merkel, me një çast kishte shfaqur habinë sesi Shqipëria është një shtet që nga të gjitha anët kufizohet me troje shqiptare, por ajo deklaratë mbeti vetëm një konstatim, i cili nuk është marrë as merret seriozisht nga Gjermania zyrtare. Ndërsa Franca dihet historikisht se ka qenë dhe ka mbetur një aleate besnike e Serbisë dhe atë rol e luan edhe tani, pavarësisht pse Parisi zyrtar e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës.
Fakti se Franca dhe Gjermania, por dikur edhe Anglia e Rusia, e shtete të tjera kanë pranuar ndarjen e Shqipërisë në gjashtë pjesë, dhe tani gjenden në situatë të vështirë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, na bën të mendojmë se as ka qenë as do të jetë e lehtë zgjidhja e çështjes shqiptare dhe pikërisht për këtë qëllim kërkohet të shtyhet të paktën edhe për dhjetë vjet çështja e Kosovës, pa hapur asnjë çështje tjetër të pazgjidhur shqiptare në rajon dhe duke pretenduar se ato nuk mund të rikthehen më, si në rastin e Hungarisë, Katalunjës, Baskisë e shumë raste të tjera.
Realisht projekti më i ri, Francë Gjermani, del nga të njëjtat kancelari nga ku është krijuar dhe gjykuar padrejtësisht e mizorisht çështja shqiptare, sidomos nga Paqja e Shën Stefanit e vitit 1877, Kongresi i Berlinit 1878, Konferenca e Londrës e vitit 1913, Traktati i Versajës që rikonfirmoi copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Paqes së vitit 1919.
Lidhur me Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi nuk gabojmë fare po të themi se jemi në vitin 1920, kur kryetari amerikan, Vudrou Vilson, nuk u pajtua me shpërbërjen e Shqipërisë, por u pajtua me një Shqipëri londineze, pa Kosovën, pjesën shqiptare në Maqedoni, pa Çamërinë e shumë vise të tjera.
Sot në vitin 2022, jemi ashtu sikur përafërsisht ishim në vitin 1920, me dallimin e vetëm se Kosova është shpallur shtet ti pavarur në rreth 11 mijë km2 dhe e kanë njohur shumica e shteteve të Evropës e të botës, po jo dy fqinjë e saj kryesorë, që i kanë zhvatur dy të tretat e territorit, sikur janë Serbia dhe Greqia.
Greqia e ka zhdukur Çështjen e Çamërisë, arvanitët janë më grekë se grekët për Patridën e tyre,
Megaliheladen, shqiptarët në Maqedoni kanë fituar diçka, që dikujt po i duhet edhe tepër, në krahasim me “hiqin” e së kaluarës. Serbia ka dëbuar dhunshëm shqiptarët e Nishit Toplicës, Leskovcit, Vrajës, Kurshumlisë dhe i kanë mbetur edhe tri komuna për t i bërë Pazar me komunat serbe në Veri, apo për t i shpërngulur gradualisht, pasi Qeveria e Kosovës nuk po lejon shkëmbimin e disa territoreve. Shqiptarët në Mal të Zi nuk janë më si di dikur por as sa ishin dikur, sepse procesi i shpërnguljes së qetë drejt Kosovës e më shumë drejt Amerikës e vendeve të Evropës i ka sjellë në enklava që po shuhen gradualisht.
Kjo është sot çështja shqiptare, e cila si tërësi nuk është më në tavolinat e kancelarive të Evropës, por është si pjesë e një tërësitë ende të pazgjidhur, për shkak të Serbisë, shtetit më të përkëdheluir të Evropës së krishterë, e cila nuk po ia falë vetës mëkatin e bombardimit të dtyrueshëm nga Amerika dhe Anglia me NATO-në në krye.
Po ja tani, Gjermania dhe Franca hartojnë projekte dhe na thonë, nënshkruani, ose do ta keni edhe më keq. Dhe çka mund të bëjë një Kosovës trime me 5 mijë ushtar, “një trim mbi trimat” sikur Albin Kurti. çka mund të bojë një Vjose që kalon kohën para pasqyrës për t u dukur sa më like, çka mund të bëjë një këmbëgjatë e Konjufca, të cilin nuk po e përfillin as deputetët e vetë.
Ata që dikur me armë në dorë kanë vendosur fatin e Kosovës, ata që për 20 vjet morën pjesë në shtet-ndërtimin rimin e vendit sipas rendit botëror, sipas recetave të Evropës e Amerikës, ata janë duke u gjykuar pse kanë guxuar të bëjnë luftë kundër Serbisë.
Tani jemi ku jemi.
Albin Kurti ndodhet para dilemës hamletiane, dilemës tepër të rrezikshme, po nuk dihet a do të vendos si Hamleti. Po një gjë dihet se Kurti nuk e shtyn dot me Eskobarin as me Shulcin e aq më pak me Macronin.
Dihet po ashtu se Kurti e kishte rrëzuar njëherë veten nga Qeveria 40 ditëshe për një cikërrimë, vetëm sepse besonte se ministri Agim Veliu po ia bënte argatin duke ia mbajtur “zhgun” Hashim Thaçit.
Tani do të ketë shumë më të lehtë të ofrojë dorëheqje dhe çështje e bisedimeve me ata me të cilët nuk shtyhet dot, të ia lë në duar Vjosa Raif Osmanit, e cila do të zgjidhte pa pikë dyshimi, sepse ajo ka lindur dhe është rritur me meset familjare, shoqërore e politike që janë mësuar me Lepe-peqe, Moljim lepo, Jes okej…
Mbetet për t’ u parë e për t’ u dëshmuar se cili do të jetë Albini tani e tutje, ai i kauzës, apo ky që duhet të bëjë pazare.
Është e vështirë të jesh sot në lëkurën e Albinit, por ndoshta ai ka një shkop magjik, si ai i Aladinit dhe e zgjidh pasi të konsultohet dhe të merr frymëzim Me TRIMAT E Vetëvendosjes
Ahmet Qeriqi
212. 10. 2022
Elbasan