Shkalla e lartë e papunësisë dhe korrupsionit, mungesa e perpektivës për të ardhmen, pagat e ulëta, mungesa e kushteve esenciale të punës, mungesa e sigurimit shëndetësor në punë, zhgënjimi me qeverisjen e vendit për vite të tëra, punësimet përmes nepotizmit dhe jo në bazë të meritokracisë, janë vetëm disa nga arsyet të cilat po i detyrojnë të rinjtë e Kosovës ta braktisin vendin e tyre, për një jetë më të mirë.
Sipas statistikave relevante, mijëra të rinj kanë aplikuar për viza të punës, në mënyrë që të bëjnë shumë kilometra drejt vendeve Europiane për një jetë dhe të ardhme më të mirë për ta.
Në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 %, ndërsa tek të rinjtë shkalla e papunësisë ishte 48.6 %.
Mungesa e Investimeve të Huaja Direkte (të cilat do të ndikonin në hapjen e ndonjë fabrike apo vendeve të reja të punës), mospërshtatja
e profesionit me vendin e punës, kushtet aspak të volitshme në sektorin privat, punësimi nëpër institucione shtetërore në baza partiake dhe përmes nepotizmit, ishin shkaktar që shumë të rinjë mbetën pa punë.
Sektori publik, nuk ofron shumë mundësi për punësim, duke marrë parasysh faktin se mënyra e punësimit në shumicën e rasteve bëhet në baza partiake apo me të “njofshëm”, prandaj, rinia hezitojnë edhe të alikojnë për punësim në institucione shtetërore.
Sektori privat, ofron më shumë mundësi të punësimit, por më kushte aspak të favorshme për punë.
Sektori privat karakterizohet me paga të ulëta, presion shumë i lartë mbi punonjësit, mungesë e sigurimit shëndetësor (sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, ku punonjësit rrezikojnë jetën e tyre gjatë punës dhe nuk kanë asnjë sigurim).
Prandaj, duke marrë parasysh statistikat dhe ajo që shohim në praktikë, rinia kanë arsye dhe argument të fortë që ta braktisin vendin.
Kjo gjë do të ketë efekte shumë negative për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë në përgjithësi.
Me ikjen e rinisë, vendi do të ketë mungesë të fuqisë punëtore dhe nuk mund të krijojë kuadro profesionale për të ardhmen.
Qeveria duhet të ndërmarrë veprime të mënjëhershme në këtë drejtim dhe të gjej një zgjidhje, sepse është në pyetje e ardhmja e vendit.