Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sot në Ferizaj është mbajtur një ligjëratë nga onkologu i njohur kosovar Dr. Ilir Kurtishi dhe Dr. Nazim Dauti, radiolog. I pranishëm në këtë ngjarje, ishte edhe udhëheqësi i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Dr. Kemajl Emini, i cili ka vlerësuar se ligjërata të tilla janë të mirëseardhura për secilin, bazuar në faktin e shtimit të rasteve të reja me këtë sëmundje tek ne. Në hapjen e kësaj ligjërate, radiologu Dr. Nazim Dauti, është shprehur se të atakuar nga kjo sëmundje janë të gjitha grupmoshat, përderisa ka shtuar se ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë gjë janë edhe dhe mosha, anamneza familjare, obeziteti si dhe pirja e duhanit. Ai njëkohësisht ka apeluar që vizitat e rregullta mund të parandalojnë këtë sëmundje. Ndërsa, për trajtimin dhe shkaqet e kësaj sëmundjeje ka folur onkologu Dr. Ilir Kurtishi, i cili ka potencuar se kjo sëmundje mund të parandalohet, duke shtuar ndërkaq se nga ajo mund të atakohet secili njeri, përfshirë dhe meshkujt. “Në Kosovë 400-450 femra janë të prekura me kancer të gjirit, ku femra me re është 18 vjeçe, ndërsa me e vjetra 108 vjeçare”, ka thënë onkologu Dr. Ilir Kurtishi. Ai ka kërkuar që gratë të bëjnë vetëkontrolle të rregullta. Me një fjalë rasti të pranishmëve iu është drejtuar edhe drejtorja e QKMF-së në Ferizaj Dr. Nadire Imeri. Sipas të dhënave zyrtare, në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë, brenda ditës trajtohen mbi 300 persona, të prekur nga sëmundje malinje.