leoni

Jeta e vrullshme e Roza Anagnostit

Albert Zholi: Jeta e vrullshme e Roza Anagnostit

Jeta e vrullshme e Roza Anagnostit

27 tetor 1943– 2022

-79-vjetori-

Përgatiti për botim: Albert Z. ZHOLI
Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur, më 27.10.1943, në Tiranë. I ati qe oficer karriere, ndërsa e ëma shtëpiake. Pas vitit 1944, familja Xhuxha vjen të jetojë në Shkodër. Në këtë qytet jetonte familja e gjyshit nga nëna. Në Shkodër, Roza përfundoi shkollën fillore, më pas të mesmen. Që e vogël shquhej si këngëtare dhe balerinë, të cilat do të rrezatonin në vitet që do të vinin. Ajo është mirënjohëse për jetë mësuesve të palodhur, si: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi (në Shtëpinë e Pionierit); kompozitorit Prenkë Jakova (në Shtëpinë e Kulturës). Në kujtimet e saj, Roza shkruan: “… më cilësuan si një vajzë me talent në të ardhmen, ndonëse, më pas ëndrrat nuk i pata të lehta”, vijon ajo. Dënimi i të atit, përjashtimi nga Liceu do të ishin tragjike për jetën e Rozës, e cila donte të bëhej artiste dhe kishte plot ëndrra. Mbi të, nënën dhe motrën do të rëndonin varfëria dhe pasojat e luftës së klasave. Roza vazhdoi gjimnazin “29 Nëntori”. Në të njëjtën kohë jepte dhe provimet me korrespondencë në Liceun Artistik (dega e artit dramatik). Në vitin 1965 diplomohet. Një rreze drite e ftoi për të vazhduar rrugën e bukur të artit. Bëhej fjalë për vitin 1958, kur ishte nxënëse në shkollën e mesme. E ftojnë në premierën e parë të teatrit të estradës. Më pas edhe në teatrin dramatik, në pjesën “Kunora e Nurijes” e dramaturgut Kolë Jakova, me regji të Lec Shllakut. Në vitin 1961 babai i Rozës lirohet nga burgu. Artistja Xhuxha (Anagnosti) përveç skenës teatrore, pushton dhe ekranin. Ajo interpretoi plot role që shkëlqejnë në panteonin e teatrit dhe filmit shqiptar, por rrugëtimin e saj artistik që e nisi në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, nuk do ta harrojë… Dhe mirënjohjen Roza nuk e harroi. Pas shumë e shumë vitesh ajo erdhi për të lënë “dëshminë” e saj përmes arkivit të pasur e lavdiplotë.

Bashkëpunimi me regjisorin Hysen Hakani

Duke kujtuar filmin, Roza është rrëfyer: Bashkëpunimi im i parë me regjisorin Hysen Hakani është në filmin ‘Toka jonë”. Ai mbetet në kujtesën time shumë i veçantë. Në këtë film Dhimitri ishte operator. Në këtë film ne u njohëm dhe në fund të tij u fejuam me Dhimitrin. Më pas krijuam dhe familjen tonë.

Është një film që ka shumë poezi në të gjithë drejtimet. Për mua ai ishte një rol shumë i bukur. Më pëlqente shumë. Regjisori Hysen Hakani kishte shumë humor, ishte kërkues, kishte mënyrën e tij të punës. Në ato vite kishim shumë pak regjisorë. Në fillim kam xhiruar filmin “Detyrë e posaçme” me regjisorin Kristaq Dhamo. Më pas kam xhiruar me regjisorin Hysen Hakani, për të vijuar me xhirime me Viktorin dhe Dhimitrin, e në vijim filma të tjerë. …

Po kujtoj një rol tjetër, atë të Files. Roli i Files ishte një karakter shumë i veçantë dhe, unë, pasi bëra kinoprovën, fitova. Në këtë film interpretonte ajka e aktorëve shqiptarë. Përmend këtu aktoren Tinka Kurti, që ishte fantastike dhe unë e ëndërroja në atë kohë. Në kohën kur u xhirua filmi isha vetëm 19 vjeçe. … Në atë vit, kur unë kam bashkëpunuar me regjisorin Hysen Hakani isha aktore në teatrin e qytetit të Shkodrës. Ai më kishte parë në teatër dhe më ftoi të bëja një kinoprovë… Filmi “Ndërgjegjja” ishte i këndshëm. Në këtë film isha në rolin e një mësueseje të re. Në film kishte skena dashurie të kohës së atëhershme, kishte romantizëm. Përderisa regjisori Hysen Hakani më mori sërish të interpretoja, besoj se kishte mbetur i kënaqur nga unë në këtë film.

Martesa me regjisorin, emërimi i Rozës në Teatrin Kombëtar.
Pasi interpretoi dhjetëra role kryesore në Teatrin “Migjeni” Roza Xhuxha, që artdashësi shkodran e shihte të ardhmen e teatrit, u nda nga skena ku doli për herë të parë, sepse në tetor të vitit 1964, u martua me regjisorin Dhimitër Anagnosti. Që nga ky vit ajo u emërua  aktore në Teatrin Popullor ( sot Teatri Kombëtar). Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar në Tiranës dhe në kinematografi. Ajo bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art.

Rolet e interpretuara nga Roza Anagnosti
Numërohen rreth 120 role në teatër dhe kinematografi e TV, interpretuar nga aktorja.

Disa nga filmat më të suksesshëm janë:

“Plagë të vjetra” (Dh. Anagnosti, 1969)

  • “Fije që priten” (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977,
  • “Mësonjëtorja” (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981.
  • Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë.
  • Filmat e tjerë janë “Ndërgjegja” 1972,
  • “Qyteti më i ri në botë” 1974,
  • “Në shtëpinë tonë” 1979,
  • “Dita e parë e emërimit” 1981,
  • “Besa e kuqe” 1982,
  • “Taulanti kërkon një motër” 1984,
  • “Pranverë e hidhur” 1985,
  • “Botë e padukshme” 1987,
  • “Familja ime” 1987,
  • “Vrasje në gjueti” 1987,
  • “Rikonstruksioni” 1988,
  • “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989,
  • “Vetmi” 1990.

  • Filma të tjerë

(2006) “Gjoleka djali i Abazit”
(1990) “Valsi i Titanikut”  teatër-komedi
(1990) “Vetmi” – Bardha
(1989) “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”
(1988) “Rikonstruksioni”  (TV)
(1987) “Botë e padukshme”  – doktoreshë Besmira
(1987) “Familja ime”
(1987) “Vrasje në gjueti”
(1985) “Gurët e shtëpisë sime”
(1984) “Taulanti kërkon një motër” – Luli
(1982) “Besa e kuqe”  – Mrika
(1982) “Rruga e lirisë”
(1981) “Dita e parë e emërimit”
(1979) “Mësonjëtorja” – Dafina
(1979) “Në shtëpinë tonë”
(1976) “Fije që priten”
(1974) “Qyteti më i ri në botë”
(1972) “Ndërgjegja” – Arta
(1968) “Plagë të vjetra” – Vera
(1966) “Komisari i dritës” – Rudina
(1964) “Toka jonë” – Filja
(1963) “Detyrë e posaçme”

Ajo është një ikonë e rrallë që edhe sot pas 79 vitesh nuk ka mundur që mosha ta zhvendosë nga piedestali i rrallë i pavdekësisë skenike. Ajo mbetet ende e bukur në shpirt, skenë dhe në jetë.

Titujt:

“Artiste e Merituar” “Mjeshtre e Madhe”, “Nderi i Kombit”

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …