leoni

Mark Tunë Lleshi (24.3.1926- 7.8.1998)

Mark Tunë Lleshi (24.3.1926- 7.8.1998)

Forcat e mëdha e të çfrenuara policore, paramilitare  e ushtarake serboçetnike, pas humbjeve që pësuan në Frontin e Anadrinit; Beteja e Fortesës, e Rahavecit, në Frontin e Drenicës; Gryka e Llapushnikut, Frontin e Rrafshit të Dukagjnit; Qëndresë, Sukë e Cërmjanit, Shqiponjë të Dushkajës, Junik, Stubëll, Rosishtë, Loxhë, pastaj luftimet në Vërri, në Zborc, Budakovë e shumë luftime të tjera gjatë fundkorrikut dhe fillimgushtit të vitit 1998, përqëndrohen për shkatërrimin e çerdheve të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shkatërrimin e korridereve të logjistikës në zonat si Rrafshi i Dukagjinit e Pashtriku dhe kështu të paralizohet rrjeti logjistik i furnizmit me “Zjarrin e Lirisë”.

Për ta arritur këtë objektiv, bandat e dehura e të shfrenuara të Milosheviqit, të Arkanit e të Sheshilit, vendosin prita, pusi, vrojtore të reja e stabilimente për kontrollimin e lugjeve  në “Gurrazhub”, “L’ke të Hasit”, “Lug të Zi”, “Shishman të Bokës”, “Lug të Godenit”, “Livdhet e Devës”, “Qafa e Mileshecit”, “Rrasa e Koshares”, “Rrasë e Zogut”, “Zharja” e Gjocaj,  Jasiq, “Çokë” të Junikut, “Bjeshkë të Isniqit” e në pikat e tjera nga se aty kalonin; Mujë Krasniqi, Bedri Shala, Bekim Berisha, Rasim Kiçina, Agim Bajrami, Shaban Golaj, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Maliq Ndreca, Fadil Nimani, Idriz Balaj e Daut Haradinaj, nga se aty kishte shtegtuar edhe Luan Haradinaj. Me prita të këtilla okupatori pretendonte zbehjen logjistike të cilën do ta përcillte me sulmet e sinkronizuara mbi formacionet e  komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rrfshin e Dukagjnit, veçanërisht në Junik, Loxhë, Prapaçan, Gllogjan, Shqiponjë, Qëndresë, Morinë e Vraniq, prandaj, të premten, më 7 gusht të vitit 1998, kah ora 15,00, me autoblinda, tankse,  pinzgavera  e  me  skuadra ndëshkimore të këmbësorisë, të prirë  prej paramilitarëve vendas  si  Drago  Simonoviq,  Milan Radojçiq,  Moma  Pantiq, Grujica e Rajko  Zindoviq dhe Sveto Jakovleviq, sulmojnë fshatin Vraniq, në të djathtë të rajonales Gjakovë-Klinë, vërsulen mbi Lleshët e këtij fshati dhe filloi Beteja e Vraniqit, në të cilën turpërisht thyhen forcat serbe, nuk arrijnë për ta marrë korridorin logjistik e të stacionohen në Vraniq. Në këtë betejë Markalleshët e organizuar e të sistemuar funksionalisht shkëlqejnë sa në defansivë aq edhe në ofensivë. Luftojnë të gjithë, i madh e i vogël, gra, burra, pleq e plaka dhe kështu u mbrojtën burrërisht duke lënë në altarin e lirisë Kolë Gjon Lleshin, të anë e Kaltrinës dhe plakun Mark Tunë Lleshin, lapidari i të cilëve sot lëshon rreze lirie dhe ruan heroizmin e Markut, Kolës, Prenit dhe Memës.

Plaku, luftëtar i lirisë, sot dëshmor i kombit Mark Tunë Lleshi, axhë i dëshmorëve Pren, Memë e Kolë Lleshi të Vraniqit të Dushkajës së Gjakovës, i biri i Tunë Mark Lleshit, e i Janës, bijë e Gashëve të Lugmirit (ish-Dobidolit të Anadrinit), është i lindur më 24 mars të vitit 1926. Asokohe, Marku kreu vetëm katër klasë të fillores në vendlindje, por kishte njohuri të mëdha për traditën dhe pleqërimin sipas normave dokanore në frymën e “Kanunit të Lekë Dukagjnit” të cilin e njihte mirë. Kishte njohuri të mjaftueshme  për historinë kombëtare, për gjeografinë e cunguar e të rrudhur të trojeve etnike, por edhe për blegtorinë dhe për bujqësinë. Me të vëllajn, Zefin, gëzonte respekt si “shpi n’ za” jo vetëm në famullinë e Dablibares, por edhe më gjerë. Si një burrë tejet i rëndësishëm e me ndikim të madh u bë halë në sy për pushtetin sllavokkomunist e serboçetnik, veçanërisht pas reformave agrare dhe pas vendosjes së kolonëve serbomalazias npër fshatrat e Dushkajës, të Rrafshit të Dukagjinit e të Anadrinit. Gjatë një gjysëmshekulli të regjimit famkeq e tërë vatra familjare e vëllazërisë Lleshi nga Vraniqi trajtohej si çerdhe nacionalistësh, prandaj edhe ndiqej, arrestohej e maltretohej veçanërisht prej argatëve të inspektorit të sigurimit serb në krye të të cilëve qëndronte Mirko Iliq, më  i  njohuri   si  sinonim   për  tmerrin  dhe trishtimin e përhapur në fshatrat e Dushkajës së Gjakovës. Mark Lleshi madje ishte alivanosur për vdekje mu nga dora e këtij krimineli. Po ky inspektor maltretoi edhe Zefin, të vëllajn, dhe këtë e bëri për t’i frikësuar dhe tmerruar të tjerët dhe kështu Milani të mbretëronte në Has, Vujoviqi në Rekë të Keqe, Prashçeviqi në Rekë e Mark Iliqi të bërlykej  nëpër Dushkajë. Megjithatë Mark Tuna nuk frikësohej. Në një harmoni familjare e ekonomi rurale, me bujqësi e blegtori, rriti njëmbëdhjetë fëmijë, gjashtë djemë e pesë vajza, të gjithë të pushkës në Betejën e Vraniqit.

Pothuajse gjatë tërë jetës Marku merrej me punë të mëdha e vepra të rëndësishme; shquhej me një oratori prej burri prandaj edhe i shkonte fjala nëpër kuvende të burrave që mbaheshin për zhdukjen e ngatërresave dhe çrrënjosjen e hakmarrjes. Me daljen në skenë të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve e të Ngatërresave, u aktivizua në zgjidhjen e shumë kontesteve të natyrës pronësore-juridike të prodhuar nga agrarët serboçetnikë vetëm e vetëm për t’i përçarë shqiptarët. Mark Tuna nuk ndalej, vepronte në bashkëpunim me veprimtarët e Anadrinit, të Dushkajës, të Rekës e madje edhe me legjendën e pajtimeve-profesor Anton Çettën, të cilin e kishte mik shtëpie, kunat të të vëllajt. Merr pjesë në të gjitha demonstratat dhe protestat që organizoheshin kundër dhunës  serbe për mbrojtjen arsimit në gjuhën shqipe, për mbrojtjen e shtypit, televizionit dhe universitetit dhe dhe në protestat për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas luftimeve në Prekaz, në Gllogjan e në Shqiponjë. Shquhej si veprimtar shumëdimensional, pasi që Zoti ia kishte dhuruar shumë aftësi “trim për psuhkë e azgën për fjalë” do të thoshte Fishta të cilin e kishte idol në trininë: Gjergj Kastrioti, Adem jashari dhe Gjergj Fishta. Me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u mishërua si i frymëzuar nga Kaçel Doda, Soko Tona, Oso Kuka e Kërni Gila, e këtë ia bëri nipi Gegë Zef Lleshi, luftëtar i orëve të para e shok i Haradinajve të Gllogjanit dhe i biri Pjetri, luftëtar i mobilizuar që në  ditët e  para  të  luftës në Dukagjin. Dhe kështu, konaqet e Markalleshëve bëhen nyje permanente në të cilën lidhej Rrafshi i Dukagjinit me Anadrinin, nëpërmjet Xhelal Hajdës e Sahit Krasniqit, sot të dytë dëshmorë të kombit, me Hasin, nëpërmjet Gaspër Karaçit, sot dëshmor i kombit, Pal Çunit e Gjon Preçit, e së andejmi edhe me Vërrinin e Budakovën dhe me të gjithë veprimet drejtonte Mark Tunë Lleshi me tërë familjen. Bashkëveproi me Haradinajt, Brahimajt, Nimanajt, Zenelajt, Agushët dhe me shumë familje që ishin të njohura në Rrafshin e Dukagjnit e më gjerë. Madje, aftësia e madhe oratorike të cilën e kishte Marku, ndikoi në dinamikën e shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dushkajë dhe fshatrat buzë Drinit të Bardhë. Aktiviteti logjistik e operativ i Markut kulmoi në sigurimin e korridorit për furnizim me armatim, por e tërë kjo veprimtari ishte në shënjestër të kolaboracionistëve, policëve dhe paramilitarëve të cilët kishin njohuri për veprimtarinë dhe gatishmërinë e Markalleshëve të Vraniqit që rrezikonin shfrytëzimin e aksit rrugor Gjakovë-Klinë nga kalonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që kryente  kryente aksione duke shkatërruar infrastrukturën dhe teknikën e bandave serboçetnike gjithnjë të mbështetura nga policia, paramilitarët dhe ushtria serbe. Së këndejmi, sipas planit të gushtit, më 7 gusht, në fshatin Vraniq, depërtojnë forcat serbe dhe përpiqen për t’i rrethuar Markalleshët, lagje margjinale e fshatit, shtëpitë e të cilës kishin mbirë rrëzë një kodrine me bukuri idilike. Dhe kështu, në atë të premte në orën 15,00, forcat serbe të cilave u prinin serbët lokalë të armatosur mirë si: Simonoviqët, Radojeviqët, Pantiqët, Zindoviqët dhe Jakovleviqët. Në krye të skuadrave gjendeshin: Draga me Çedën, Momën e Nebojshën, Milani me Momë Pantiqin, Drashkun e Gogën dhe shquheshin Grujica Zindoviq dhe Steva Jakovleviq. Sipas vlerësimeve të kryeçetnikëve të përmendur, hyrja në Vraniq dhe depërtimi në trojet e Markalleshëve, me krisma, me zhurmë e me britma do t’i frikësonte banorët dhe do ta merrnin malin, por nuk ndodhi kjo. Vëllezërit Leshi të organizuar mirë, sipas traditës familjare  për mbrojtjen e “trojeve të babës”, rezistojnë me luftë  për tri orë. Në lagjen e rrethuar me tre harqe ofensive luftohej pothuajse fyt për fyti, por Marku qëndron i pathyeshëm duke dëgjuar këngën e nipave:

“Qindro plak, e bon gajret!

Edhe n’dekshim s’po kem dert.

U lom djem’ve amanet:

Me luftu qysh’ kem’ adet

Kët’ Kosovë mos me lon’ shkretë”.

Dhe luftuan si burra e qëndruan granit: Gega, Nika, Toma, Lleshi, Martini, Nikolla, Dritoni, Pjetri, Agimi, Gjoni, Kastrioti, Zefi dhe bijat: Zoja, Drania e Pashkja, por në krye të rezistencës heroike marrin përjetësinë Mark Tunë Lleshi e Kolë Gjon Lleshi. Rezistenca heroike e kësaj familjeje, lufta e tyre në kuadër të vargut të luftimeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bë shembull i mbrojtjes titanike të derës së njohur të Markalleshëve  për mik, për bukë, për kripë e për zemër, derë e madhe që  mbeti simbol i vetëmbrojtjes deri në sakrificë dhe njëherit njëra prej digave të forta në të cilat hasi përroni i dhunës dhe i krimeve të Slobodan Milosheviqit mbi familjet shqiptare. Këtu u shkatërrua “Eskadroni Famkeq Ndëshkimor”, u thërmua tërësisht për veprime të mëtejme, mirëpo nuk u shkatërruan skuadrat e rezistencës, sepse nuk u thyen Markalleshët, sokaqet e të cilëve u mbuluan me kufoma paramilitarësh e teknikë të shkatërruar. Në fushën e nderit mbeti luftëtari i lirisë, plaku shtatëdhjetëvjeçar Mark Tuna, me nipin, Kolën e Gjonit dhe mbiu “Legjenda e Markalleshëve”, mbiu rapsodia që brez pas brezi do t’ua ruajë nderin dhe heroizmin e lënë amanet djalë pas djali, ashtu siç e trashëgoi edhe ky brez i Markalleshëve trimërinë e të parëve që mbetën emblemë e kësaj vëllazërie e vatre familjare të Franikasve të Dushkajës së Gjakovës.

Trupat e pajetë të Markut e të Kolës, i mori policia serbe dhe i dërgoi në morgun e Spitalit të Gjakovës së bashku me rreth 15 policë  e ushtarë të vrarë serbë. Por, të dielën, më 9 gusht lejojnë  varrimin e tyre në varrezat e fshatit Vraniq nën përcjelljen e forcave të mëdha policore, madje me një protokol tejet rigoroz të lëvizjes së kortezhit funeral deri te varrezat ku prehen sot.

Me rastin e shënimit të përvjetorit të parë, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mirënjohje luftarake nderoi familjen Lleshi dhe dëshmorët: Markun, Kolën, Prenin dhe Memën. Po me mirënjohje, këta dëshmorë u nderuan edhe nga Shtabi i Zonës Operative  të Rrafshit të Dukagjinit me nënshkrimin e komandant Ramush Haradinaj. Rezistenca legjendare e Markalleshëve të Vraniqit u mbetet trashëgim të bijëve, nipave dhe mbesave, u mbetet krenari franikasve dhe tërë Famullisë, Dukagjinit, Kosovës dhe të gjitha trojeve etnike sepse kjo qëndresë u skalit në lapidarin e madh që shtrihet mbi katër shtylla të kompleksit memorial  pranë rajonales Gjakovë-Klinë, aty ku dikur truponin Preni e Mema në krye të çetave që ishin tmerr e trishtim për serboçetnikët e krenari kombëtare për Kosovën dhe për Rrafshin e Dukagjinit. Burrëria dhe trimëria e Prenit dhe e Memës u skalitën edhe në vargjet e fatosave të Bishtagjinit, të Dablibarit e të Gjakovës, prandaj edhe në ditarët e Teutës e të Fatos Lleshit, e në rapsoditë e Bajrush Dodës, Zekë Lushit e të Hysni Kelmendit, ndërsa Kaltrina e vogël e cila nuk e njeh të anë Kolën, dëgjon këngë e recitime dhe përpiqet që në faqet e ditarit ta kujtojë trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të Vraniqit të Dushkajës. ( Dr. Sabahajdin Cena)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …