Turizmi në Shqipëri, në decenien e fundit i ka dyfishuar e mbase edhe trefishuar përfitimet, sidomos pas luftës në Kosovë dhe thyerjen faktike të kufirit në vitin 1999, që i ndante për afër një shekull shqiptarët.
Pushuesit në bregdetin e Shqipërisë prej Velipojës e deri në Sarandë janë të shumtë nga viti në vit, edhe për faktin se në 10 vitet e fundit shteti dhe kompanitë kapitaliste të përfitimeve e shfrytëzimeve të resurseve natyrore e të njerëzve, përgjithësisht, kanë ngritur kapacitete gjigande në shërbim të turistëve, nga të cilët Shqipëria, (e radhitur në vendet e para të Evropës për ditët me diell), realizon një pjesë të madhe të buxhetit e përfitimeve të Shtetit.
Përveç turizmit bregdetar e atij malor në dimër, në periudha të caktuara vjetore janë në shërbim edhe sa e sa banja termike, të cilat vizitohen edhe nga vendësit, por shumë më tepër nga shqiptarët jashtë kufijve administrativë, nga “kosovarët” sikur na kanë quajtur dhe na quajnë, pa dallim të gjithë vëllezërit tanë, në Shqipëri.
Llixhat e Elbasanit, të njohura edhe si Banjat e Elbasanit, ndodhen në Tregan pranë qytetit të Elbasanit. Këto burime janë të njohura dhe të përdorura, qysh gjatë periudhës romake. Hoteli i parë i ndërtuar nga sipërmarrësit privat ka qenë ai i vitit 1932, i quajtur ” Hotel Park”, pronë e Grigor Nosit, ndërsa më vonë janë ndërtuar edhe hotele të tjera.
Në dhjetë vitet e fundit janë rritur tejmase kapacitetet pranuese të pushuesve dhe pothuajse të gjitha hotelet janë të mbushura përplot, me çmime në dukje reale, por për ne nga Kosova janë të njëjta për shkak se në vajtje ardhje me veturë, janë dyfishuar shpenzimet e naftës e të benzinës.
Ajo që kam vërejtur, në njërin nga hotelet ku kam qëndruar 10 ditë me bashkëshorten time, dhe që u bie në sy të gjithë atyre që interesohen për më shumë të dhëna është, reduktimi minimal i fuqisë punëtore, duke përfituar kështu mbi kurrizin e klientëve. Në vend se të shpeshtohen hyrjet e qëndrimit në vaska ato janë kufizuar me vetëm njëherë në ditë dhe me qëndrim minimal, 5 deri në 10 minuta për 24 orë.
Në këtë kohë llogaritet edhe zhveshja e veshja e klientëve. Ky shfrytëzim tejet minimal bëhet, mbase edhe në mungesë të ujit, por në radhë të parë, bëhet për shkak të mungesës së personelit që merret me shërbime për hyrje dhe dalje nga vaskat.
Nuk duhet ndonjë njohje e veçantë e ujërave “shëruese” termike për të kuptuar se qëndrimi mesatarisht 8 minuta në një vaskë, sa mund t’ i ndihmojë klientit për 24 orë.
Po të ishte qëndrimi në vaska dy herë në ditë nga 15 apo 20 minuta, edhe do të mund të besohej se do të arrihej ndonjë efekt shërues, nga sëmundjet e shumta që propagandohen në muralet e hoteleve.
Në korridoret e mbushura përplot me reklama propaganduese lidhur me dobitë dhe shërimin e sëmundjeve që kryesisht trajtohen nëpër vaska nuk gjeni dot një rregullore të thjeshtë për të drejta dhe obligimet e pushuesve.
…
Ushqimi në mëngjes e në darkë është dietal, me qumësht e kos përgjithësisht ndërsa ushqimi i drekës me shumë mish e yndyrë, mbushur me mëlmesa e shtesa të ndryshme, sallata në drekë me tranguj e pak domate…
Ajo që më së shumti i godet pushuesit e shumtë nga Kosova është mungesa e shitoreve dhe pamundësia për vetë-ushqyerje apo vetë përgatitje të ushqimit. Në tërë atë kompleks me katër pesë hotele të mbushur përplot, dhe me sa e sa apartamente e shtëpi ka pushues me nevoja të veçanta të ushqimit, ka invalidë të shumtë me sëmundje specifike, që kërkojnë edhe ushqime konform diagnozave mjekësore.
Arsyen pse nuk ka shitore nuk e di askush.
Tregu ambulant është i stërmbushur me rroba gjithë faresh sa duket se ia zënë frymën çdo këndi. Tregu i pemëve e perimeve është i varfër dhe me çmime dyfish më të larta sesa në tregjet e tjera. Një kilogram banane të gjelbra shitet mbi dy euro. Dardha vendore e pjekur mirë, është edhe e lirë por gjendet shumë rrallë.
Shërbehet edhe çaj i rusit, dhe të gjitha pijet e tjera.
Ata që më së shumti i pengojnë shumicën e pushuesve janë grupet shëtitëse të argëtuesve me daulle klarinetë e def, që ekzekutojnë me tërë fuqinë e instrumenteve e zërit, sidomos kur vallëzojnë kalimthi dhe këndojnë “e jona Kosova e jona Shqipëria” e këngë të tjera që nxisin disa nga pushuesit kosovarë të futin duar në xhepa për të “sajdisur” argëtuesit që dalldisin vallet sikur të tregjet e Banglladeshit e vendeve të lindjes.
Prania e tyre nëpër terë kompleksin e hoteleve me nga tri e katër orë në ditë me valle e ndonjë strofë kënge para hoteleve, përbën një dhunë dërrmuese për të gjitha ata që kanë shkuar të pushojnë dhe të gjejnë, sadopak. qetësi e prehje shpirtërore, sepse nëpër banja, kudo dhe jo vetëm në Llixhat e Elbasanit, nuk shkohet për argëtim e qejfe, për këngë e valle, sikur shkohet në bregdet, por shkohet për pushim e mundësisht edhe për pak shërim, për të cilin flitet aq shumë por që lë shumë për të dëshiruar.
10 minuta në ditë në vaskë me ujë shërues, aq është caktimi që kanë paraparë kapitalistët e hoteleve, me të cilët është mbushur kudo Shqipëria.
Nuk janë më Llixhat e Elbasanit të kohës së Socializmit ku pushonin gratis punëtorët e qytetarët për shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Natyrisht se ishte një tjetër realitet atëherë, sot është koha e përfitimit, shfrytëzimit deri në palcë, madje duke të përcjellë me hare, me curle e lodër…
I vetmi gjest që më ka lënë përshtypje për të mirë është një si pijetore-qajtore, përballë hotelit, “Asllan Kuqja” ku përhapet kënga burimore shqiptare, pa as edhe një këngë të vetme tallava, por me këngë e valle të zgjedhura nga të gjitha trojet shqiptare, me të cilën çdo kush pushon bashkë me nostalgjinë e një kohe të perënduar dhunshëm e padrejtësisht. Por edhe ato këngë ngulfaten për disa orë në ditë nga brambullimat e daulleve.
Meqë sipas prognozave të mia në Llixhat e Elbasanit ka më së shumti klientë nga Kosova por edhe nga trevat jashtë Shqipërisë, do të ishte e rrugës që këto banja të vizitohen edhe nga autoritete qeveritare të përbashkëta, të Kosovës e të Shqipërisë, për të parë si trajtohen ata, cilat janë kërkesat e tyre, të drejtat dhe obligimet e pushuesve por në radhë të parë e mbi të gjitha të atyre që ofrojnë shërbime.
Ahmet Qeriqi
29. 10. 2022