Sot përkujtohen heronjtë e kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies heroike të tyre

Mehmet Bislimi: Në përkujtim të dëshmorëve të kombit: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 Sa herë vjen nëntori para syve më del Llapi me lisat e gjatë, bjeshkët e larta të mbuluara me tisin e borës së parë, bacë Osmani me thinjat mbi kokë, nënë Qamilja zemërbardhë, nënë Halimja, e ndjerë, zemër madhe…

Sa herë vjen nëntori malli më rëndon si guri në zemër, dhe datat më ngatërrohen! Janari i kuq i Jusufit, i Kadriut, i Nuhiut… marsi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, mars- prilli i përgjakshëm i demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, 1989, 1990… prilli i Fadilit, maji i Tahirit, shtatori i Fehmiut dhe Xhevës… Ky cikël i përgjakjeve tona nga nëntori në nëntor, lidhur me zinxhirët e Zahirit, Edmondit, Hakifit përjetësisht…

     “Po, vëlla Afrim po, bijtë e Kosovës hallemadhe kanë lidhur datat, muajt, vitet, dhe për secilën ditë kanë thurur nga një kurorë lulesh të kuqe si gjaku, për t’i hedhur ato në themelet e lirisë, për t’i hedhur në lumin e madh të Ushtrisë sonë Çlirimtare e cila bëri shumë që aspiratat tona një ditë të bëhen realitet. Pa dyshim se ky është rezultat i veprimtarisë dhe përpjekjeve tona shekullore, përpjekjeve të pareshtura të shumë breznive në vazhdimësi, deri në sakrificë e vetëflijim, por edhe plotësim amanetesh të të rënëve, që një ditë liria e plotë të troketë edhe në portën e madhe të atdheut tonë, në tokat tona të lashta shqiptare ende të ndara dhunshëm e padrejtësisht!

      Afrim vëllai! Shokët tanë, bijtë më të mirë të popullit, shpaguan gjakun tuaj, duke e goditur armikun në ballë me pushkët e lirisë. Ideali yt dhe i shokëve tanë, ishte alternativë e vetme në rrugën tonë të patjetërsueshme, në atë rrugë që liria të bëhet realitet për mes tytës së pushkëve, të cilat jehuan aq bukur, shtrënguar në kraharorin e Ushtrisë sonë Çlirimtare të Kosovës, dhe përfundimisht, nuk ka mbetur datë e ditë e vitit kalendarik, që nuk është larë me gjakun e lirisë së martirëve të atdheut, bijve dhe bijave më të mirë, që populli ynë nxori nga gjiri i vet për t’i dhuruar në gjirin e atdheut. A ka diçka më madhështore, më monumentale e më sublime se flijimi juaj në altarin e lirisë?! Populli ynë është krenar e kryelartë për bijtë që ka dhënë për liri!”

     Këtu e 18 vite më parë, më 2 nëntor 1989, ranë heroikisht trimat e Llapit- bijtë e shqiptarisë: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Jeta është e tillë, dhe si e tillë na mëson se tani më rrëfimi i një historie rutinë për ata që tashmë kanë kaluar pragun e legjendës, sikur ka tejkaluar përmasat e një cikli rrëfimesh në vetën e tretë se: Ai ishte trim, se ai trim lindi këtu dhe u rrit atje, se ka mbaruar shkollën dhe ka rënë në burg, se ka rënë në konfrontim me pushtuesin duke u flijuar për liri të atdheut etj… Dhe kështu disi do të rrëfehej pak histori nga ne të gjallët, për ata që kanë rënë. Në mënyrë që ne më pastaj, të shtroheshim sa gjerë e gjatë pranë sofrës së madhe të ambicieve tona personale me egon makute për ngopjen e ndjenjave të pangopshme rënë pre e instinktit. Jo, kjo nuk është e tëra, kjo nuk do të ishte e ndërgjegjshme nga ana jonë.

     Mendoi se tani është e domosdoshme, që gjërat duhet shtruar më thellë në koncept, ato duhet kapur e studiuar në esencë, në zanafillë me tërë thellësinë e tyre atdhetare, historike, por edhe filozofike. Miti i sakrificës dhe i flijimit te shumë popuj është i njohur që nga lashtësitë, kjo nuk ka munguar as te populli ynë. Shembuj të tillë na paraqiten që përtej pragut të legjendave, siç është rasti i flijimit në themelet u Urës së Fshenjtë, pastaj shembulli i Kalasë së Rozafës, pastaj Doruntina, pastaj gatishmëria për sakrificën më sublime e Milush Kopiliqit e Halilit dhe Musës së vogël, e Oso Kukë Vraninës, e Jakup Ferrit, e Mic Sokolit, e deri tek Komandanti Legjendar i ditëve tona, Adem Jashari.

    Duke u bazuar në këto fakte, vetiu rezulton se vendosmëria për të rënë në shërbim të çlirimit të atdheut, ashtu sikur ranë: Afrimi, Fahriu e qindra dëshmorë tjerë më të hershëm e të më vonshëm, nuk ishte veprim i rastit. Kjo filozofi, bartë në vete një mision të veçantë, i cila kalon caqet e një filozofie klasike, që qenien e përcakton si krijuese, ose diktuese të ndërgjegjes.

     Në këtë kuptim, Afrimi, Fahriu dhe të gjithë bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e tyre, nuk iu përveshën kësaj rruge vetëm sa për të hyrë në histori, sepse hyrja në faqet më të ndritshme të historisë, nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Ata, mbanin qëndrimin e prerë: larg denigrimit të saj, në mënyrë që historia një ditë të mos rishikohej për t’u herrur nga barojat e pa dëshiruara, që dikur aty kishin mbjellë sistemet e dhunshme antikombëtare. Jo, misioni i tyre ishte përjetësia, e cila fitohet vetëm duke i shërbyer çështjes së atdheut denjësisht dhe pa paragjykime.

     Konturat e një shkrimi që do të bartë në vete nocionin e sakrificës pa e zbërthyer atë në rrafshin filozofik, sikur do të ishin jo bindëse, madje të zbehura. Ata me një vetëdije të plotë iu qasën këtyre rrugëve, të cilat pa dyshim se do të kurorëzohen me sukses një ditë, sepse ata ishin të vetëdijshëm se këto rrugë e duan edhe haraçin e vet, haraç të cilin populli ynë kaherë e ka paguar shumë fish! Prandaj, Afrimi, Fahriu e qindra dëshmorë të kombit tonë, më kohë kanë kaluar kufijtë e historisë, duke e pasuruar atë edhe me kompleksitetin e saj filozofik të një përkushtimi kaq madhështor siç flasin legjendat për Prometheun.

      Afrimi me shokë, nuk janë produkt i një spontaniteti, që vepron sipas ndjesisë së kundërshtimit të robërisë e të pushtuesit në përgjithësi, por që thellë në veten e tyre fshihnin edhe ambiciet personale egoiste. Jo, ata u ngritën dhe u armatosën me dituri, me ndjenja e përkushtim, me dashuri e respekt për atdheun, me gatishmërinë për të rënë në altarin e lirisë, dhe këtë, që më parë! Mbi këto përgatitje, ata më pastaj u organizuan dhe shtrinë rrjetin e tyre të organizimit në tërë hapësirat tona shqiptare, duke e parapërgatitur terrenin për goditjen e madhe, e cila pashmangshëm pasoi më vonë dhe u kurorëzua me emrat e tyre të rinj: dëshmorë të lirisë!

      Nga një kujtim të vogël…

      Mendoj se është obligim yni moral, të mos t’i marrim me vete në “botën e përtejme”, kujtimet për shokët e rënë. Të gjithë ju që e keni njohur për së afërmi, dhe qe keni vepruar sa do pak me ata, që u sakrifikuan për të jetuar ne të lirë, lini kujtimet tuaja të shkruara për ta!

     …“Ishte i ri, kur e sollën në burgun famëkeq “Zabela” të Pozharevcit. E kishin arrestuar së bashku me disa shokë të tij, duke qenë në shërbim ushtarak të asaj kohe. Pas shumë hetimesh e torturash i kishin dënuar me burg. Ai ishte i ri për një dënim aq të lartë e drakonik, 8 vite burg! Për një kohë, relativisht të gjatë, ishim në një dhomë burgu me Afrimin, me Fadil Vatën, Halil Selimin, pastaj me Sabit Veselin etj. Të habiste zgjuarsia e Afrimit. Ai lexonte shumë, i komentonte materialet e lexuara me shokë ku shpaloseshin mendimet tona për çështjen e pazgjidhur të atdheut, komentonim të kaluarën dhe bartësit e saj në kuadër të historisë shqiptare e shumë gjëra tjera.

      Afrimi ishte solidar me shokë, ishte sy pa trembur dhe përfundimisht i vendosur për t’i bartur mbi supet e tija të njoma të gjitha përgjegjësitë. Ai dhe shumë shokë të tjerë, që në burg kishin krijuar celulat e veprimit, të cilat ishin të gatshme për veprim, ende pa dalë nga burgu, Afrimi kishte respekt për të gjithë shokët e burgut, por në veçanti respektonte Ismail Haradinajn dhe profesorin e tij, Nezir Myrtajn. Në një rast (jo pa qëllim), Afrimin e kishin nxjerrë në vizitë mu në kohën kur pritej alarmi për të shënuar përvjetorin e vdekjes së diktatorit Tito. Gardiani kishte kërkuar nga Afrimi që të ndërpriste vizitën me prindër dhe të ngrihej në këmbë, për të nderuar me tre minuta heshtje përvjetorin e Titos, për të cilin, disa shqipfolës kishin nxjerrë madje edhe lotë. Por, Afrimi ishte përgjigjur çartë dhe prerë: ”Jo, unë kam vizitë, gardian, dhe nuk mbaj kurrfarë zie për vdekjen e Titos, unë nuk nderoj gjakpirësin e popullit tim!”…, ishin këto fjalët kumbuese të Afrim djalit, të thëna hapur në burgun serb të Pozharevcit rrethuar me hekura e mure të trasha…

      Nuk gjykoj nga simpatia, as nga njëanshmëria duke dashur që të tregoj para lexuesit, se isha unë ai, në burg me te, madje në një dhomë!…Jo, secila kohë ka bëmat e saja të historisë individuale e kolektive, ajo kohë ishte e tillë, prandaj në gjirin e saj (për fatin tim të mirë),  më kishte përqafuar edhe mua, si mijëra e mijëra të tjerë të rinj e të moshuar, atdhedashës të vërtetë. Për më shumë, dua të them se një djalë aq të ri, të ngritur e të kulturuar, aq të vendosur e të përkushtuar siç ishte Afrimi, nuk e kisha takuar më herët, për të mos thënë, as më vonë!…

      Pas daljes nga burgu, Afrim për as një çast nuk u hamend së vepruari në shërbim të atdheut. Ai, iu përvesh studimeve në Universitetin e Prishtinës, iu përvesh punës së organizimit dhe shtrirjes së organizatës në hapësirat shqiptare, ai ishte në organet udhëheqëse të saj, sekretar për çështje organizative! Afrimi së bashku me shokët e idealit, organizoi dhe udhëhoqi demonstrata të një pas njëshme, duke i orientuar ato drejt dhe arsyeshëm, bashkëpunoi ngushtë me grevistët minatorë, në Palestrën sportive “1 Tetori” në Prishtinë, mbajti fjalim para studentëve, të cilët ishin solidarizuar me minatorët, shpalosi qëndrimet dhe kërkesat e demonstrueseve para medieve serbe, sllovene e kroate të asaj kohe, si dhe të agjencive të huaja, që kishin mundur të depërtonin në Kosovë. Shkroi dhe publikoi shkrime në gazetën “Zëri i Kosovës”, madje duke i shpërndarë ato edhe si fletushka, me përmbajtje politike dhe ekonomike për të sqaruar qëndrimin, kërkesat dhe pozicionin tonë në rrafshin kombëtar.

     Ai, më në fund braktisi edhe uniformën ushtarake duke kaluar e vepruar në ilegalitet të plotë. Ishte në ballë të të gjithë atyre vlimeve të fuqishme, të atyre ditëve në Kosovë, kur edhe ra heroikisht e me armë në dorë së bashku me bashkëveprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Fahri Fazliun, ra në ballë të një përleshje të pabarabartë me milicinë gjakatare serbe. Dielli në “Breg të Prishtinës” u vrenjt, Afrimi ia mori rrezet e tija përfundimisht, që nga ajo ditë “Bregu i diellit” i Afrimit dhe i Fahriut, nuk pushoi së rrezatuari luftëtarët e lirisë! Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, ishin dhe mbetën përjetësisht rreze dielli e Kosovës, dhe e shqiptarisë!

      Eh, sa do të dëshiroja të isha tek ti, o baca Osman, ashtu si vite më parë, tok me ty e nënë Qamilen dhe ta ndiznim nga një duhan. Ta ndjeja atë buzëqeshjen tuaj prindore, duke mos u ngopur së llafosuri deri në orët e vona të natës…

      Afrimi dhe Fahriu tani më nuk janë vetëm, as kurrë nuk kanë qenë vetëm. Trimat kudo që janë, janë të bashkuar, edhe në atë botë!…

Kokën lartë prindër të familjeve të të rënëve për liri! Nga gjiri juaj keni nxjerrë ushtarët e lirisë së atdheut, nga një gjerdan të art nesër për ta, në faqet e historisë sonë më të re… Ata janë më të gjallë se të gjallët, janë frymëzimi i brezave të ardhmërisë drejt realizimit të aspiratave tona shekullore, janë historia vet!…

I gjallë dhe i nderuar për jetë e mot kujtimi për, nëntorin e madh të historisë, nëntorin e Afrimit dhe Fahriut. Nëntorin e ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, nëntorin e ditëlindjes së Ushtrisë Çlirimtare të  Kosovës, nëntorin e të gjithë dëshmorëve e lirisë!

 2 nëntor 2022

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …