Dëshmori i kombit Ilaz Selimi u lind më 5.9.1958 në fshatin Repë, komuna e Besianës. Babai i Ilazit, Selimi,nuk shikohej me sy të mirë nga regjimi i kohës dhe për këtë në vitin 1948 ishte dënuar dhe kishte vuajtur burgun prej tetë muajsh, pasi në shtëpinë e tij kishte strehuar djalin e axhës, Hamitin i cili kishte vrarë një serb në kufirin Kosovë-Serbi .
Përcaktimi i familjes Selimi në rrugën atdhetare pati ndikim edhe te dëshmori i kombit i cili qysh nga fëmijëria kuptoi se vendi ishte i okupuar dhe se okupatorin duhet shporrur nga këto troje sa më parë që është e mundur.
Shkollën fillore, Ilazi e kreu në Pollatë. Pasi ishte fëmija më i madh i prindërve Selim dhe Mihrije Selimi dhe pasi familja jetonte në kushte të rënda ekonomike nuk mundi të vazhdojë shkollimin e mëtejmë. Kështu për shkaqe ekonomike iu desh ta ndërpresë shkollimin dhe qysh në moshën 15 – vjeçare detyrohet ta marrë rrugën e mërgimit. Katër vite qëndroi në Mal të Zi, dymbëdhjetë vite në Kroaci, ndërsa gjashtë vjet në Gjermani.
Pas fillimit të luftës kroato-serbe në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, Ilazi mori pjesë në këtë luftë për tre muaj me radhë, pasi lufta e kishte zënë si punëtor me qëndrim të përkohshëm në Kroaci. Më pas prej atje shkoi në Gjermani.
Me fillimin e luftës në Kosovë, Ilazi kthehet në vendin e tij për të dhënë kontributin në luftën çlirimtare. Me vullnet të madh, hyri në radhët e UÇK – së, ku fillimisht shkoi në Shalë të Bajgores ku djemtë e Llapit kryenin përgaditjet për luftën e armatosur kundër okupatorit serb. Ilazi menjëherë u inkuadrua në aksionet që merrte UÇK-ja dhe ishte pjesëmarrës i betejës së lavdishme të UÇK-së të ZOLL-it, e njohur si Beteja e Kaqanollit që u zhvillua nga 15-17 shtator 1998. Pas kësaj beteje Ilazi sistemohet në pikën e fshatit Repë në vendin e quajtur “Brezovan” ku njësiti i tij ishte i vendosur në shtëpinë e Nexhmi Behramit. Ky njësit, i komanduar nga Faik Durmishi, ishte në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Pas një kohe kur zhvilloheshin luftimet në fshatin Llapashticë, përkatësisht në vendin e quajtur “Tabet e Llapashticës” Ilazi me disa shokë lufte shkoi në ndihmë në këtë vijë të frontit. Bashkë me Ilazin ishin edhe Elfir Behrami (dëshmor i kombit), Salih Sejdiu, Mujë Metollli, Rasim Zhitia, Zenel Sinani etj.
Dëshmori i kombit Ilaz Selimi ka marrë pjesë në shumë beteja të zhvilluara kundër njësive serbe në ZOLL. Ndër betejat më të njohura ku mori pjesë ai janë ato në Kaqanoll, Dobratin, te Tabet e Llapashticës, Tashefc etj. Gjatë ofansivës së njohur të marsit të vitit 1999, në kufirin Kosovë – Serbi, në fshatin Tashefc, Ilazi tërë ditën kishte qëndruar në istikame, së bashku me Milaim Qerimin dhe Musë Qerimin (dëshmorë të kombit), në vendin e quajtur “Bregu i Lamës” në fshatin Repë.
Ilazi mori pjesë edhe në disa beteja tjera deri në betejën e fundit kur më 26 maj 1999 bie dëshmor në fshatin Repë, duke luftuar me heroizëm kundër forcave serbe. Një ditë më parë, më 25 maj të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër në shumë drejtime, në mënyrë që ta detyrojnë të dorëzohet atë pjesë të popullatës, e cila kishte mbetur nëpër malet e Grykës së Llapit. Forcat ushtarake e policore serbe sulmojnë nga të gjitha anët, si nga Tashefci, Sllatina, Uglari, Tërnavica, Murgulla, Zhitia, Sylevica, Breca, Pollata, Repa, Metehia dhe nga Shala e Bajgorës. Më 26 maj 1999, derisa ishte duke qëndruar i palëkundur në pozicionet e UÇK –së, në fshatin Repë, te vendi i quajtur “Llaze” te “Bregu i Lamës”, Ilazi bie heroikisht, përkrah Milaim dhe Musë Qerimit. Ai ra për lirinë e Kosovës që atë ta gëzojnë fëmijët e tij: Albani, Arbri e Kosovarja, si dhe të mbarë Kosovës.
Trupi i dëshmorit Ilaz Selimi është varrosur në fshatin Repë. Ilazi ka qenë i martuar me Mevlude Mulliqin. Ai ka lënë vëllezërit: Xhevatin, Fatmirin dhe Samirin, si dhe motrat Bedrien, Nexhmien, Sanien, Shemsien, Afërditën, Bastrien dhe Hamiden. Në fshatin Repë është i ngritur lapidari ku janë të skalitura pamjet e pesë dëshmorëve të këtij fshati: Ilaz Selimi, Hamdi Sejdiu, Milaim Qerimi, Fatmir Selmani dhe Musë Qerimi.
Pas luftës, familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje për kontributin e birit të saj në luftën çlirimtare të UÇK-së, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK, nga SHP i UÇK-së të ZOLL, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Besianë. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …