Poezitë e Luljeta Abdullahut kanë një perceptim të veçantë poetik, meditativ

Poezitë e Luljeta Abdullahut kanë një perceptim të veçantë poetik, meditativ

Doktoresha poeteshë, Luljeta Abdullahu, specialiste e Mjekësisë Nukleare, ka botuar një cikël poezish bashkëkohore, në rubrikën e Kulturës në portalin e Radios- Kosova e Lirë,  të cilat zgjojnë kërshërinë e lexuesit të poezisë bashkëkohore, pasi janë të stisura  me shumë specifika të këndvështrimit të jetës dhe realitetit, në të cilin po jetojmë.

Krijimet e kësaj poeteje  janë  kryesisht meditative,  janë si njëlloj vendstrehimi për të ikur nga monotonia, e për t’u shprehur në to,  në çaste të caktuara, sidomos  kur kjo ikje ndodh nga vrazhdësia e përditshmërisë. Ajo krijon me fuqinë  e një imagjinate të thellë,  që niset nga thërrmijat atomike, formësohet në kohë e hapësirë, për t’u materializuar në një mendim filozofik mbi jetën dhe preokupimet ku njeriu gjallon, rropatet, mundohet ta gjejë  veten, disi më ndryshe  apo thjesht, pajtohet me realitetin, sikur bëjnë shumica.

Koha dhe hapësira, materia, universi, pafundësia, gjithësia pa fill e mbarim, janë kategori fizike e filozofike, me të cilat janë marrë e merren shkencëtarët përgjithësisht,  por edhe krijuesit, të cilët përmes imagjinatës ndërtojnë universin e tyre të mendimeve sepse:

 

Koha nuk është aspak fajtore, 

nuk është e korruptuar, 

është pasqyra e njerëzve të saj 

që kanë trashur pluhurin 

si agjent hiri shërues

në kornizë që e mbajnë. 

Larg nga të qenit nga një shkretëtirë e ashpër jemi!…

për t’u vetëdijesuar për atë që duhet të ishim. (Agjent hiri shërues)

 

Jeta është e stërmbushur me sfida, me të pritura e të papritura. Ajo të ballafaqon me botën tënde dhe botën rreth teje, ku ti mund të jesh edhe protagonist, por edhe vetëm një episod i një çasti tjetër kalimtar, sepse ajo paraqitet me ë gjitha trajtat e veta, me të gjitha hiret, nga të cilat edhe mund të të anashkalojë, por nganjëherë  të ballafaqon me rrebeshet e papritura të saj dhe pastaj varet se  cili do të jetë qëndrimi që do të marrësh për të mbijetuar:

Të shpallësh mirësinë tënde 

edhe nëse jeta ka qeshur me ty, 

si gjurmët e shkumës që 

përulen kur uji qetësohet 

pas detit të trazuar, 

pa atë ngjyrë të ndërmjetme 

miqësohu me jetën tuaj, 

pranoje si dashuri.

Do dal të rri jashtë, 

kështu që po të pyeti kush, 

jam e dalluar.

(Ngjyrat e ndërmjetme mungojnë në jetë!)

 

Poetesha, Luljeta Abdullahu, refleksin poetik e kap kalimthi, në kapërcim dhe pastaj përmes diskursit artistik e rrëkëllen me masën e kohës, duke krijuar imazhin e gjësendeve, ku nëpër  detaje, me figuracion të pasur artistik e stilistik, krijon pasazhin e natyrës në lëvizje, e cila tretet në njëlloj simfonie të përjetësisë, ku të gjitha pjesët shkrihen  në tërësinë e saj. Poezia  Kur masa e kohës është e cekët, është një krijim me një invencion krijues lapidar, ku përshkrimi i natyrës njëzohet me jetën në lëvizje, ku koha ka lënë gjurmët ende të patretura dhe momentet e ndarjes  nga më të dashurit  ndodhin krejt natyrshëm, ashtu sikur  ndodh çdo gjë në univers, përshkuar me botën e pasur të meditacionit poetik, me imagjinatë  të begatshme kreative.

Luljeta e zotëron dhe e begaton me  lulëzim  poezinë e saj, sepse ajo pretendon të jetë diçka më shumë se poeteshë kur mediton, kur bota e ndjesive  i sillet vërdallë dhe ajo nuk mund të qëndrojë indiferente, por as nuk pranon të reagojë me patetikë e ofshama, apo ta demonstrojë troç mospajtimin e saj.  Ajo tërë ketë gjendje e manifeston me maturi, pasi i kupton në esencë proceset dhe nuk habitet nga asgjë, duke qenë e vetëdijshme jeta ka i ligjet e veta, të cilat edhe mund të anashkalojnë nëse nuk dimë të bashkohemi me to.

 

Kur masa e kohës është e cekët! 

Ajo u shtrydh lehtë  

pa dëmtuar gjethet  

e pemës ngjyrë jeshile dikur  

që shërbyen rrugës së saj,  

qenë shkëputur nga zona  

për të mbuluar nga shkurre re 

një kostum gri në të verdhë  

që nuk janë nga toka,  

u përpoq të tund atë mbulesë  

me ndikim qiellor në fytyrën e saj.  

Ka kohë që nëna u largua,  

lutej zërin e saj të dëgjoj,  

kur jeta fillon fundin  

e simfonisë të errësojë,  

atje lartë ku duhet të kthehet  

në përjetësinë 

aromën e saj ngadal të nuhasë,  

Sa kohë kam që dëshiroj  

për ato fytyra si yll e hënë  

që të mund t’i përqafoj.

 

Leximi me vëmendje i pozive  të kësaj poeteshe, të jep mundësinë e përjetimit të një bote të veçantë shprehëse, krijime të  pasura me tema dhe ide të ekulibruara edhe me  labirinthe e pararoja  poetike, gjuhë dhe stil të pasur me figuracion të begatë artistik…  A. Q.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …