Arben Shaqë Qerimaj (11.8.1976 – 26.5.1998)

Arben Shaqë Qerimaj (11.8.1976 – 26.5.1998)

‘’Luan, amanet automatikun! Të mos e lëshosh nga dora, deri në përfundim të luftës…!, – kjo ishte porosia që dëshmori Arben Qerimaj ia lë djalit të axhës dhe bashkëluftëtarit, Luanit, në çastet e fundit të jetës së vet, derisa i plagosur, po transferohej për në spitalin ushtarak të UÇK-së, në Irniq të Deçanit.
Pushka e lirisë – atdheu – amaneti. Kjo është trinia e sublimuar e idealit të trimave shqiptarë të motit. Pushka e tyre ka bartur si gjerdan të artë, amanetin për brezat: të vazhdohej lufta deri në fitore; pushka e lirisë të mos lëshohej nga dora. Dhe kjo pushë lirie, bashkë me amanetin që të luftohej për atdheun, u përcoll nga dora në dorë, nga brezi në brez. Kështu u përcoll ajo edhe nga Arbeni te Luani. Rënia e Luanit do të jetë përcjellje amaneti…
Në Gllogjanin e trimërisë, deri në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Familja Qerimaj jetonte në bashkësi të gjerë familjare, me rreth 90 anëtarë. Me një organizim të fortë e patriarkal, ajo merrej kryesisht me ekonomi bujqësore e me blegtori. Burrat e saj, pushtetin e njihnin vetëm si aparat dhune që pengonte organizimin e tillë të familjeve shqiptare, e jo si mekanizëm që ofron mundësi për punë, standard e mënyrë bashkëkohore të jetesës. Ata, shpesh do të jenë edhe në shënjestër të regjimit pushtues serb: në kohën e fushatës së kërkimit të armëve në dimrin e viteve 1955/1956l në vitet 80-të e në vitet 90-të, deri në fillimin e krismave të armëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me nisjen e luftës çlirimtare, votra e familjes Qeriman u bë mbështetëse e saj dhe bukëdhënëse e luftëtarëve të lirisë. Djem të kësaj votre, Arbeni, Luani, Naimi e të tjerë u bënë krah i fuqishëm i luftës, të cilët bashkë me djemtë e tjerë trima të familjeve të Gllogjanit, Haradinaj, Mustafaj, Hamzaj, Halilaj e të fshatrave të tjera të trevës së Deçanit, ia shpalosën gjoksin e kreshpëruar arbëror, pushtuesit serb. Këtij pushtuesi nuk do t’i duken më të vogla hijet e këtyre trimave të UÇK-së, sesa majat e larta të Bjeshkëve të Nemuna. Ai nuk do të dijë se cila ështi Skila, e cila Karidba shqiptare.
Dëshmori Arben Qerimaj ka lindur më 11 gusht të vitit 1976, në Gllogjan. Në fshatin e afërt, Irzniq, e kryen shkollën fillore dhe atë të mesme. Ai mësoi në po të njëjtat banka shkollore ku ishin ulur edhe dëshmorët, Luan e Shkëlzën Haradinaj, Himë Haradinaj, Shefqet Mustafaj…e të tjerë. Mësoi në shkollën, emri i së cilës, ndërlidhet me ngjarjet që pasuan demonstratat popullore të vitit 1981. Atëherë, pushteti jugosllav zhvilloi fushatë të ashpër antishqiptare për shkak të heqjes së bustit të serbit Petar Perla, emrin e të cilit e mbante shkolla fillore e Irzniqit. Lidhur me këtë ngjarje u fajësua dhe u dënua me burg edhe babai i Arbenit, Shaqa. Arbeni kishte vetëm 5-6 vjet kur i ati vuan dënimin në burgjet jugosllave, i akuzuar për urrejtje nacionaliste, por më vonë do të mësojë tërë të vërtetën, që në shpirtin e tij do ta pasqyrojë më qartë pamjen e pushtuesit serb, të mbiquajtur jugosllav.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, Arbeni merret me punë bujqësie. Kjo punë e kalit dhe zhvillon te ai tipare të një të riu të zhvilluar mirë fizikisht e me karakter të fortë. Prindërit e tij, Shaqa e Dyka kishin edhe dy djem të tjerë, Taulinin e Ilirin.
Kur Arbeni arrin moshën më të mirë djaloshare, Kosovës i vjen erë lufte çlirimtare. Në bërthamat e para të UÇK-së, në trevën e Dukagjinit, të formuara në Gllogjan, ku bënin pjesë vëllezërit, Luan, Shkëlzen, Ramush e Daut Haradinaj, Gazmend Mehmetaj, Agron Mehmetaj, Himë Haradinaj, Hasim Halilaj…., me kohë u bashkohet edhe Arben Qerimaj. Ai mobilizohet dhe përgatitet për luftë të armatosur, disa kohë para se të fillonin luftimet frontale me forcat e pushtuesit në betejën e Gllogjanit, më 24 mars të vitit 1998. Ndërlidhës i tij me njësitet e UÇK-së ishte Luan Haradinaj.
Pas fillimit të luftës, merr pjesë në aksione të shumta sulmi mbi përqëndrimet e forcave serbe në vende të ndryshme të zonës së Dukagjinit, të përfshira në luftë. Një sulm të suksesshëm, së bashku me bashkëluftëtarë, në pranverë të vitit 1998, ndërmerr në rrugën Deçan-Gjakovë, te fshati Rastavicë. Në atë rast, në shënjestër të armës çlirimtare vëhet një automjet me eprorë të policisë serbe.
Më 26 maj të vitit 1998, forcat e pushtuesit ndërmarrin një sulm të ashpër e të pandërprerë kundër epiqendrës së rezistencës antikolonialiste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjan dhe fshatrat përreth.
Asgjësimi i kësaj epiqendre do të kishte një rëndësi jetike për pushtuesin, sepse nga ajo varej fati i luftës çlirimtare edhe në trevat e tjera të zonës së Dukagjinit, madje edhe në zonat e tjera të Kosovës. Me mposhtjen e Gllogjanit do të ndërpritej korridori kryesor i furnizimit me armatim nga Shqipëria, që ishte i domosdoshëm për mbajtjen e frontit. Pjesëtarët e njësiteve të UÇK-së ishin të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të zonës së Dukagjinit, prandaj edhe atë ditë ishin në lartësinë e detyrës ushtarake. Sulmi armik fillon në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite maji. Granatimet ishin të pareshtura, Trimat qëndronin në istikame, në Rastavicë: Arbeni, Luani, Agroni, Shefqeti… Në një çast, një granatë shpërthen fare pranë pozicionit të Arbenit. Ai plagoset rëndë. Plagosen edhe bashkëluftëtarët pranë tij, Agron e Shefqet Mustafaj (bij axhallarësh), nga Gllogjani. Arbenin e plagosur, shokët e nisin për në spitalin ushtarak, i cili ndodhej në fshatin Irzniq. Mirëpo, plagët ishin të thella e gjakderdhja e madhe dhe sapo arrin në spital, mbyll sytë dhe hyn në përjetësi.
Ditën e rënies, varroset në Gllogjan, me nderime të larta ushtarake. Pas përfundimit të luftës çlirimtare të UÇK-së, trupi i dëshmorit Arben Qerimaj u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. Rënia e tij, forcoi dhe mobilizoi edhe më shumë bashkëluftëtarët e tij, për beteja të reja. Në shenjë respekti e admirimi për sakrificën sublime, emrin e dëshmorit Arben Qerimaj, pas luftës e ka përtrirë djali i axhës, Avdiut.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …