Një vit më parë, djali i axhës, dëshmori Arben Qerimaj, para se të mbyllte sytë, i kishte lënë dëshirën e fundit Luanit: të vazhdonte luftën me armë në dorë. Luani e zbatoi porosinë me devotshmëri, duke vazhduar me vendosmëri luftën çlirimtare kundër kolonializmit serb, deri në rënie, një vit më vonë. Ç’rastësi, që vetëm luftëtarëve të lirisë u ngjan! Sikurse për dëshmorin Arben Qerimaj, njëzetegjashtë maji u bë datë e rënies edhe për dëshmorin Luan Qerimaj. Ai ra në vitin 1999.
Luan Qerimaj ka lindur në Gllogjan, më 2 mars të vitit 1980. Babai i tij, Isufi, me fillimin e luftës çlirimtare nga UÇK-ja, ndodhet i gatshëm për aksion, sepse nga i ati, Ismaili, kishte trashëguar pushkën e lirisë. Gjatë vitit 1998, ndonëse me moshë rreht 65 vjeç, merr pjesë në shumë aksione të armatosura kundër forcave serbe. Në njërën prej betejave, edhe plagoset.
Nëna e Luanit, Nusha, ishte e kënaqur që kishte lindur e rritur me mund, pesë fëmijët e saj: Ukën, Arsimin, Luanin, Xufën dhe Lumen. Luanin, sikur e kishte rritur për Kosovën. Asaj i duheshin luaj, të zhvilluar fizikisht, trima e të fuqishëm dhe me temperament eksploziv, siç ishte Luan Qerimaj.
Shkollën fillore, Luani e kryen në Irzniq. Po aty e vijon shkollimin e mesëm. Mirëpo, ishte në klasën e tretë të shkollës së mesme, kur Kosova kishte nevojë për mbrojtësit e saj, kurse Ushtria Çlirimtare për ushtarë të lirisë. Luani iu përgjigj pa hezitim kushtrimit të UÇK-së për mobilizim, prandaj, bashkë me djemët e axhallarëve, Arbenin e Naimin, u bashkohet bashkëluftëtarëve nga Gllogjani e nga fshatrat e tjera të Dukagjinit, në pranverë të vitit 1998. Pjesëtar i njësiteve të UÇK-së, në muajt e parë të angazhimit, merr pjesë në aksione të shumta sulmimi kundër forcave serbe dhe kudo tregohet i guximshëm e i shkathët. Me rënien e djalit të axhës, Arbenit, më 26 maj të vitit 1998, Luani nuk ligështohetn por bëhet edhe më i gatshëm për beteja të reja. Gjatë verës së vitit 1998, ai shkëlqen në radhët e shumë bashkëluftëtarëve, në luftimet kundër pushtiesit, në vendluftime të shumta, si në Gllogjan, Ratishë, Dashinovc, Maznik, Rastavicë e të tjera.
Ofansiva e egër ushtarake e pushtuesit, e ndërmarrë kundër UÇK-së në zonën e Dukagjinit, në muajt gusht e shtatro të vitit 1998, nuk e luhat vendosmërinë e Luanit për të vazhduar luftën çlirimtare. Atë e neverit ikja nga fushëbetejat e komandantit të Shtabit Operativ të zonës së Dukagjinit, Tahir Zemaj, i pasuar nga disa ithtarë të tij, te të cilët ai kishte kultivuar ndjenjën e frikës e të disfatizmit. Ai u mbetet besnik radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për asnjë çast nuk u ndahet njësiteve të komanduara nga eprori Ramush Haradinaj, deri në konsolidimin e këtyre radhëve. Detyrat ushtarake i kryen në kuadrin e brigadës 131 ‘’Jusuf Gërvalla’’, e cila veprimin e vet e kishte të shtrirë në këtë pjesë të Rrafshit të Dukagjinit. Luani ishte komandant toge i njësisë për intervenime të shpejta, që operonte në kuadrin e brigadës. Kudo në aksione, Luani ishte i njohur me gulinovin e tij, në bazë të të cilit edhe mbiquhej ‘’Luan Gulinovi’’. Këtë nofkë ia kishin lënë shokët e luftës, në bazë të ngjarjes që i kishte ndodhur në fshatin Shqiponjë (ish- Jabllanicë), kur granata e armikut këput këmbët e mitralozit të tij, i vënë në pozicion gjuajteje.
Fshatrat e komunës së Deçanit e të trevës së Dushkajës u sulmuan pa ndërprerë deri në fund të luftës. Mirëpo, Luani me bashkëluftëtarë nuk mposhtej. Ai luftoi nga pozicioni në pozicion, i bindur në fitoren e sigurt.
Në ofensivë të ashpër kundër UÇK-së, në këtë arenë luftimesh armiku ndërmori në pjesën e dytë të majit të vitit 1999. Luftimet nuk kaluan pa të vrarë e të plagosur. Shumë ushtarë të plagosur kishin nevojë për trajtim serioz, prandaj ata duhej të transferoheshin në Shqipëri. Një grup ushtarësh të plagosur po transferoheshin edhe më 26 maj të atij viti. Për sigurimin e rrugës në drejtim të fshatit Skivjan të komunës së Gjakovës, kujdesej pararoja, të cilës i prin Luani. Ai i njihte shumë mirë ati shtigje, sepse nëpër to kishte lëvizur shumë herë. Me vigjilencë, ai po kalonte këtyre shtigjeve edhe kësaj here. Mirëpo, nata kishte ngritur terrin pusi. Forcat militariste serbe ishin pozicionuar gjatë natës afër Gllogjanit, te vendi i quajtur ‘’Te Lajthitë’’. Në këtë vend, pararoja e UÇK-së u përball me breshërinë e armëve të armikut. Breshërinë, edhe ajo iu përgjigj me zjarr. Mirëpo, pozitat e luftimit ishin të pabarabarta. Luani bie dëshmor, kur ‘’zolla’’ e tij nuk shkrepte më.
Trupi i dëshmorit Luan Qerimaj u gjet afër vendit të rënies, pas përfundimit të luftës dhe pas largimit të këmbës së militarëve serbë nga toka e Kosovës. Rivarrimi i tij, u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan, ku prehet i qetë në mesin e shumë të pavdekshmëve të Shqipërisë etnike.
Që nga vegjëlia, dëshmori Luan Qerimaj mbante emrin përkëdhelëz familjar, Behluli. Këtë emër të përtërirë, sot e mban djali i vëllait të tij, Ukës, sikurse që e mban edhe djali i vëllait tjetër, Arsimit, emrin e tij të përtërirë pas rënies.
Me emrin dhe kujtimin për dëshmorin Luan Qerimaj lidhen gjësendet e ruajtura si relikte: uniforma ushtarakem, gjoksorja, dylbitë, simboli me stemën e UÇK-së e të tjera.
Mirënjohjet e shumta, të cilat i janë dhënë familjes së dëshmorit, Luan Qerimaj, (nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, asociacionet e dala nga lufta, asociacionet e zonës së Dukagjinit, TMK-ja etj.) janë simbolikë e respektit për sakrificën sublime të këtij dëshmori, në dobi të lirisë së Kosovës
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …